“The Ellen DeGeneres Show” po hetohet nga “WarnerMedia”

28 Korrik, 2020 - 11:49 am

Shou më i shikuar në Amerikë, “The Ellen DeGeneres Show”, është duke u hetuar nga “Warner Media” pas spekulimeve për një ambient toksik të punës në këtë emision.

Një punëtorë aktual dhe dhjetë ish-punëtorë të emisionit ditorë, i cili prezantohet nga aktorja komike Ellen DeGeneres, së fundmi kanë folur hapur rreth sfidave të punës në këtë shou, si dhe i kanë akuzuar tre producentët ekzekutiv të tij, Ed Glavin, Mary Connelly dhe Andy Lassner, për bulizëm, transmeton Koha.

Pas spekulimeve të tyre, revista “Variety” tani po raporton se televizioni i cili e prodhon këtë shou, “Warner Bros. Television”, ia ka dërguar një memorandum stafit të punëtorëve për t’i informuar se i kanë filluar hetimet rreth sjelljeve joadekuate dhe të padrejta në vendin e punës.

Kompania “WarnerMedia” e cila e posedon televizionin “Warner Bros.”, u ka kërkuar punëtorëve nga departamenti i burimeve njerëzore që ta realizojnë një hetim së bashku me një firmë të palës së tretë, të cilët besohet se do t’i intervistojnë punëtorët aktual dhe të kaluar të këtij shou, rreth eksperiencës së tyre në vendin e punës.

Qëllimi i këtij hetimi është ta sigurojnë një ambient ku punëtorët mund të lulëzojnë.

Në akuzat e ngritura nga punëtorët e emisionit, të cilat ishin publikuar në një artikull të “BuzzFeed”, 62-vjeçarja Ellen nuk akuzohej për keqbërje, por ata thonë se ishin këshilluar që të mos i drejtohen asaj nëse e shohinin duke ecur nëpër ndërtesën ku xhirohet shou.

Një grua afrikano-amerikane kishte deklaruar se është trajtuar ashpër, i është injoruar kërkesa për rritje të pagës dhe është akuzuar se po duket shumë arrogante dhe e zemëruar, pasi ajo kishte kërkuar që të gjithë pjesëtarët e stafit t’i nënshtrohen trajnimeve për diversitet dhe gjithëpërfshirje në vendin e punës.

Një tjetër punëtore kishte deklaruar se është pushuar nga puna, ngase kishte marrë pushim mjekësor për një muaj pas tentimit të vetëvrasjes.

Pas publikimit të këtyre akuzave në mediat botërore, producentët e përmendur në këtë raport e kanë lëshuar një komunikatë për media, ku thuhej: “Gjatë dy dekadave të punë në këtë shou dhe punësimit të më shumë se 1000 njerëzve, ne jemi munduar ta krijojmë një ambient punë të hapur, të sigurt dhe gjithëpërfshirës. Andaj, po ndihemi zemërthyer dhe na vjen shumë keq të dëgjojmë se disa pjesëtarë të stafit tonë, të cilët i konsiderojmë si një familje, kanë pasur eksperienca negative në këtë shou. Ne nuk jemi dhe nuk synojmë të jemi të këtillë, si dhe ky nuk është misioni që Ellen e ka vendosur për ne.”

Ellen DeGeneres e cila konsiderohet një prej prezantueseve më të pasur në botë, ende nuk ka bërë komente zyrtare rreth kësaj çështje.

Aktualisht ajo vazhdon të qëndrojë në karantinë në shtëpinë e saj, prej nga edhe e ka realizuar shoun televiziv tash e disa muaj. / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme