Kurti e Osmani homazhe në Prekaz, kujtojnë sakrificën e familjes Jashari

Me rastin e 17 Shkurtit, kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani e kryeministri Albin Kurti vendosin kurorash lulesh te Kompleksi Memorial “Adem Jashari”.

Më këtë rast Osmani tha se sot kujtojmë sakrificën e familjes Jashari, për lirinë që ne e gëzojmë sot.

“Sot ishim me kryeministrin Kurti, me anëtarët e qeverisë për të nderu sakrificën e familjes Jashari, që u flijuan që sot ne ta gëzojmë lirinë dhe shtetin tonë. Është pikërisht ky vend që dëshmon atdhedashurinë që është simbol i asaj se si duhet ky vend dhe duhet të vazhdojë të jetë udhërrëfyes për punën tonë dhe brezat e ardhshëm”.

Ndërsa, kryeministri Kurti tha në 12 vjetorin e Pavarësisë kujtojmë kryengritjen dhe sakrificën e familjes Jashari.

“Bashkë me kryetaren e kuvendit me ministra e deputete erdhëm sot këtu në Prekaz në kryeqytet të kryengritjes e të qëndresës së popullit tonë, për të kujtuar dhe nderuar familjen Jashari, babën Shaban me nënën Zahiden, Ademin e Adilin, Hamzën e Feridën, Zarifën me fëmijët e tyre dhe me gjithë familjen e gjerë, gjithsej 59 veta, të cilët luftuan dhe u sakrifikuan në një ngjarje të jashtëzakonshme që sot njihet si Epope e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në 12 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë”,tha kryeministri i Kosovës./Indeksonline / KultPlus.com