Një numër i madh destinacionesh në botë kanë tërhequr shpesh vëmendjen e turistëve, për banorët e tyre jetëgjatë dhe sekretin e të jetuarit shëndetshëm.
I tillë është dhe Azerbajxhani Jugor, shtëpia e tri rajoneve; Lankaran, Nagorno-Karabak dhe Lerik që vlerësohen të jenë vendet me përqendrimin më të lartë të 100-vjeçarëve, në Kaukazin jugor.
Lerik, një rajon pranë kufirit iranian, në malet Talysh, njihet veç të tjerash dhe për një muze tepër të veçantë, të njohur si “Muzeu i jetëgjatësisë”. I ndërtuar më 1991, muzeu mban më shumë se 2000 ekspozita që dokumentojnë jetën dhe kujtimet e banorëve më të vjetër të rajonit, kryesisht përmes fotografive, që datojnë që nga vitet 1930, si dhe objekteve personale që ata kanë mbajtur.
Një histori interesante, e dokumentuar në muze, është ajo e një bariu, Shirali Muslumov, që supozohet se jetoi deri në 168 vjet. Në pasaportën e tij, shkruhet se ai ka lindur më 1805 dhe ka vdekur më 1973. Nëse kjo është e vërtetë, kjo do ta bënte atë personin më të vjetër që ka jetuar ndonjëherë. Në muze ruhet dhe një kartolinë që udhëheqësi komunist vietnamez, Ho Chi Minh, i dërgoi Muslumov, duke e përshëndetur me përkëdheljen, “I dashur Babagjysh!”.
Ky gjen i jetëgjatësisë duket se trashëgohet edhe në familje. Vajza e tij 95-vjeçare, Halima Qambarova, thotë për CNN Travel, se ajo mund të mos jetojë deri në 168 vjeç, si babai i saj, por të paktën shpreson të jetojë deri në moshën 150 vjeç, si gjyshi i saj, ose 130, si tezja e saj. Qambarova e cila ruan dhe flet një dialekt të folur nga vetëm 200 000 njerëz, thotë duke qeshur se ndihet vetëm 15 vjeç.
“Sekreti i jetës së gjatë është ushqimi i mirë, mineralet në ujin e burimit, barishtet dhe çajrat që ne konsumojmë për të parandaluar sëmundjet”, shprehen banorët e Lerik. Ata këmbëngulin se kurrë nuk kanë marrë ndonjë ilaç. Gjithashtu, konsumimi i mishit, produkteve të qumështit, por mbi të gjitha ajri i pastër i maleve të larta të Talysh janë faktorë që, sipas tyre, i kanë bërë ata banorët më jetëgjatë të Kaukazit.
“Qetësia e mendjes është pjesë e sekretit të tyre”, thuhet në një udhëzues në muze. “Ata qëndrojnë larg stresit, duke jetuar pa shumë planifikim ose shqetësim për të ardhmen.”
Megjithatë, vitet e fundit ka një rënie të numrit të banorëve mbi 100 vjeç, dhe sot të tillë janë vetëm 11 persona, në një popullsi lokale prej 83 800 banorësh. Studimet dhe vetë banorët fajësojnë për këtë, lëvizjet drejt qyteteve si dhe ndryshimet në mjedis. /gazetaeexpress/ KultPlus.com