Në 25 vjetorin e vdekjes së Anton Pashkut botohet përmbledhja ‘Anton Pashku- shkrimtar’

Në 25 vjetorin e ikjes së Antonit në amshim, doli përmbledhja e kumtimeve të studiuesve pjesëmarës në konferencat e organizuara nga Bibliotekat Kombëtare të Kosovës dhe Shqipërisë, me temën “Anton Pashku – shkrimtar” (të mbajtura në maj dhe tetor 2017)

Lajmin e bëri të ditur e bija e Pashkut, Lule Pashku, e cila përmes një postimi në rrjetin social Facebook, u shpreh tejet falenderuese ndaj drejtorëve të Bibliotekave Kombëtare të Shqipërisë dhe asaj të Kosovës.

‘Përzemërsisht i falënderoj drejtorët e Bibliotekave Kombëtare të Kosovës dhe Shqipërisë, Dr. Fazli Gajraku dhe Prof. Persida Asllani, të cilët me angazhimin dhe përkushtimin e tyre dëshmuan se aty ku ka vullnet dhe dije bëhen gjëra të çmuara’, kishte shkruar Lule Pashku. / KultPlus.com

25 vjet nga vdekja e Anton Pashkut

Anton Pashku i cili sot shënon 25 vjetorin e vdekjes, konsiderohet ndër stilistët më të mirë të letërsisë shqipe.

Bënte pjesë në brezin që hodhi themelet e prozës shqiptare në letërsinë shqipe në Kosovë, së bashku me Adem Demaçin dhe Ramadan Rexhepin.

Anton Pashku është autor pa paramodel në letërsinë shqipe, por njëkohësisht është vetë model specifik, thyes e konsolidues i traditës letrare shqipe. Anton Pashku, specifikisht, është ndër të parët shkrimtarë të letrave bashkëkohore shqipe, i cili veçohet për trajtimin e temave të vogla, rrëfimin prej perspektivave të ndryshme, observimet psikonarrative, shpërfilljen e normave të zakonshme të shkrimit letrar.

Pashku eci kundër rrymës së realizmit socialist duke ngritur një kullë letrare avangarde.[10] Duke qenë mënyrë krejt e re e shkrimit letrar në shqip, nuk u pranua lehtësisht, për shkak se ishte shkrim pak si tepër labirinthik për praktikën letrare shqiptare dhe shijet letrare të kohës. Mungesa e lumturisë në letërsinë e Pashkut shihej me dyshim dhe mohim nga kritika ideologjike komuniste e kohës.

Vdiq më 31 tetor të vitit 1995, ndërsa la pas vetës shumë tregime, drama e romane të cilat i mbetën lexuesit shqiptarë më shumë se një kujtim nga shkrimtari i madh. / KultPlus.com