Më 28 qershor në Pejë hapet ekspozita ‘Cicërimat në Mjegull’ nga artistja Blerta Hashani

Instituti i Artit Bashkëkohor ARKIV ka njoftuar se me 28 qershor do të hapet ekspozita personale e artistes Blerta Hashani me titullin “Cicërimat në Mjegull”, një seri pikturash që ngrihet në ndërthurje të kujtesës personale dhe historisë së fshirë kolektive.

Duke vazhduar hulumtimin e nisur me ciklin Memorizonim, kjo ekspozitë përbën një meditim poetik dhe filozofik mbi zhdukjen graduale të jetës rurale, mbi gjurmët që mbeten dhe mbi ato që fshihen në mjegullën e kohës. Cicërimat, të brishta dhe të përkohshme, bëhen simbol i përpjekjes për të kapur atë që është duke u larguar një jetë që dikur lulëzonte dhe tani qëndron në heshtje, në kufijtë e kujtesës.

Ekspozita përfshin një seri pikturash të reja të vendosura në klasat e braktisura të shkollës Vaso Pashë Shkodrani në Pejë, hapësirë e cila vetë mbart kujtime dhe zëra të brezave të ndryshëm. Pikturat komunikojnë në heshtje me muret e vjetra, të mbushura me fjalë dhe imazhe të nxënësve, duke krijuar një dialog të ndjeshëm mes artit bashkëkohor dhe kujtesës së përbashkët.

Përdorimi i materialeve si juta, dru, bojë vaji dhe letër ngre një gjuhë vizuale që reflekton ndjeshmërinë e jetës së përditshme rurale. Këto materiale mbajnë peshën e historisë, ndërsa pikturat e Hashanit trajtojnë objektet e harruara dikur funksionale, tashmë fragmente të një epoke të shkuar si roje të heshtura të kohës.

Në këtë ekspozitë, mjegulla nuk është vetëm një prani fizike, por edhe metaforë për pasigurinë, harresën dhe bukurinë e asaj që është lënë pas. Pikturat nuk janë thjesht imazhe, por akte të ruajtjes përpjekje për të fiksuar në kohë një botë që po zbehet. Vizitorët do të ftohen të ecin nëpër hapësirat e ARKIVit, të ndjekin cicërimat, dhe të përjetojnë një udhëtim emocional përmes humbjes kujtesës dhe asaj që mbetet mes mjegullës. Ato janë cicërima që dalin nga mjegulla të brishta, por të gjalla; të buta, por të forta në praninë e tyre poetike.

Për Artisten
Blerta Hashani, e lindur në vitin 1997 në Ferizaj, Kosovë, ka përfunduar studimet në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës (2015–2020), ku ka formuar bazat e praktikës së saj vizuale në ndërthurje mes kujtesës personale, materialitetit të përditshëm dhe ndjeshmërisë poetike.

Hashani ka ndërtuar një prani të dallueshme në skenën e artit bashkëkohor në Kosovë dhe më gjerë, përmes ekspozitave personale dhe pjesëmarrjes në ekspozita ndërkombëtare në qytete si Prishtinë, Bernë, Bruksel, Paris, Londër, Vjenë, Bonn, Marseille dhe më tej. Veprat e saj shquhen për përdorimin e materialeve të thjeshta si pëlhurë, letër, dru dhe bojë, që bëhen bartë të fragmenteve të kujtesës, zëra të jetës rurale dhe periferike, dhe intimiteteve që zakonisht mbeten të padukshme në rrëfimet
vizuale të artit bashkëkohor.

Ekspozitat personale të Hashanit përfshijnë: feel more në LA MAISON DE RENDEZ-VOUS në Bruksel (2023), Memorizonim në LambdaLambdaLambda në Prishtinë (2024) dhe Ambient (2022) ka marrë pjesë gjithashtu në ngjarje të rëndësishme kolektive si Manifesta 14 në Prishtinë (2022); Known/Unknown Worlds në Kulturzentrum PROGR në Bernë (2024); Autostrada Biennale në
Prizren (2025); ekspozita në Galleria Continua në Paris (2025), Friche la Belle de Mai në Marseille, GROVE në Londër, dhe Bonner Kunstverein në Gjermani, ndër të tjera.

Në vitin 2024, Hashani ka qenë pjesë e dy rezidencave ndërkombëtare: në Milvus Artistic Research Center në Suedi dhe në residency.ch në Kulturzentrum PROGR në Zvicër, ku ka zhvilluar projekte kërkimore të lidhura me kujtesën, arkivimin poetik dhe hapësirat e brishta të të përditshmes. Blerta Hashani jeton dhe punon në Mirashë afër Ferizajit, Kosovë.

Rreth Arkiv
ARKIV, Instituti i Artit Bashkëkohor është institucioni i parë publik i dedikuar artit bashkëkohor në rajonin e Pejës. Duke bashkuar artistë vendas, kombëtarë dhe ndërkombëtarë në të gjithë disiplinat, ARKIV është një qendër e krijuar për kërkime të avancuara, të menduarit kritik, eksperimentim dhe dialog.

Instituti i Artit Bashkëkohor ARKIV, aspiron t’u ofrojë vizitorëve një përvojë të pashembullt të kulturës dhe artit bashkëkohor. Ai ekzaminonë të kaluarën përmes mbledhjes dhe arkivimit, do të informojë të tashmen përmes ekspozimit dhe prodhimit dhe do të frymëzojë të ardhmen përmes edukimit dhe zhvillimit. Ky institut, ndihmonë në avancimin e artit bashkëkohor në Kosovë përmes angazhimit të drejtpërdrejtë të artistëve dhe publikut duke krijuar ekspozita dhe programe që komunikojnë fuqinë transformuese të artit të kohës sonë.

Një vlerë thelbësore e ARKIV është promovimi i mundësive për dialog publik rreth artit dhe ideve që artistët prodhojnë në mënyrë që puna e tyre të bëhet pjesë e një bisede kombëtare dhe ndërkombëtare. Është një vend i veçantë dhe platformë unike për diskursin dhe angazhimin në një shoqëri ku anëtarët e grupeve të ndryshme etnike, racore, fetare ose shoqërore ruajnë dhe zhvillojnë kulturën tradicionale.

Në ARKIV, besohet në nxitjen e ndërtimit të komunitetit duke i bashkuar njerëzit përmes artit dhe ideve; duke besuar se arti është një nevojë njerëzore, egzistenciale dhe ndarja e përvojës së tij promovon angazhimin kolektiv dhe dialogun ndërkombëtar. ARKIV është një institucion që mbledh, ruan, sistemon dhe publikon vlera historike. Andaj, ARKIV e sheh veten si një arkiv vizuel që propozon një hapësirë për diskutim mbi artin bashkëkohor nga Kosova dhe më gjerë. ARKIV Instituti i Artit Bashkëkohor Pejë është një OJQ publike, jofitimprurëse e themeluar në vitin 2018 nga artisti Sislej Xhafa.

ARKIV, ndodhet në shkollën aktuale publike, Vaso Pashë Shkodrani. Objekti i kësaj shkolle daton nga viti 1946 duke shërbyer si shkolla e parë fillore në Pejë dhe është i vendosur në një lokacion afër parkut kombëtar të qytetit.