30 vjet MP3, ja si formati audio nga Erlangeni revolucionarizoi botën e muzikës

Tridhjetë vjet më parë, një metodë revolucionare e kompresimit audio shndërroi thellësisht botën e muzikës. Ky format i ri, i quajtur MP3, u zhvillua në Institutin Fraunhofer për Qarqet e Integruara (IIS) në Erlangen të Gjermanisë, një shpikje që vazhdon të formësojë jetën tonë teknologjike edhe sot e kësaj dite.

Bernhard Grill, një nga bashkëthemeluesit e MP3-së dhe aktualisht drejtor i Institutit Fraunhofer IIS, ka qenë në qendër të vëmendjes mediatike këto ditë, duke shënuar këtë përvjetor të rëndësishëm. Grill ishte pjesë e ekipit të zhvilluesve që për vite me radhë punuan me zell në Erlangen, me qëllim që të zvogëlonin madhësinë e skedarëve muzikorë praktikisht pa humbje të cilësisë. Në vitin 1995, përpjekjet e tyre u kurorëzuan me sukses, dhe metoda e re e kompresimit audio ishte gati për treg.

Parimi i reduktimit- më pak është më shumë

Sipas Grillit, epoka e kompjuterëve ishte ende në fillimet e saj, dhe emri i shpikjes së re u bazua në zgjatimet e skedarëve, duke lejuar vetëm tre shkronja. Në një votim të brendshëm demokratik, MP3 u zgjodh si emri zyrtar.

Formati i ri audio revolucionarizoi industrinë muzikore duke përdorur “matematikë të aplikuar dhe një sasi të madhe njohurish për veshin e njeriut,” siç e përmbledh Grill. Procesi i MP3-së thjesht heq pjesët e tepërta të muzikës që janë të padëgjueshme për veshin e njeriut, duke eliminuar zërat dhe zhurmat që nuk janë thelbësore. Kjo bën që të ruhet vetëm ajo që është e rëndësishme, duke reduktuar madhësinë e një skedari muzikor në rreth një të dhjetën e madhësisë së tij origjinale, pa ndryshuar ndjeshëm sinjalin aktual.

Ndryshimi i zakoneve të konsumit dhe rritja e Institutit

MP3 ndryshoi rrënjësisht zakonet e konsumit të muzikës në mbarë botën. Disqet e vinilit, kasetat dhe CD-të filluan të lihen në plan të dytë, ndërsa platforma të reja, fillimisht shpesh të paligjshme, shpërthyer në internet për shpërndarjen e muzikës. Konvertimi i CD-ve të tëra në skedarë MP3 u bë një “sport popullor”.

Në fillim, lexuesit e projektuar posaçërisht për këtë format kishin kapacitet të kufizuar për disa këngë, por kapaciteti i ruajtjes u rrit me shpejtësi, duke bërë të mundur ruajtjen e qindra këngëve në një lexues MP3.

“Ndoshta nuk e kuptuam menjëherë se po ndryshonim botën, por sigurisht që e kishim atë ambicie,” thotë Grill. Fokusi në internet ishte padyshim vendimi i duhur në atë kohë.

Instituti Fraunhofer ka gjeneruar të ardhura në qindra milionë euro falë shpikjes së tij. Numri i punonjësve është rritur vazhdimisht, duke arritur në rreth 1.200 punonjës në kampusin e Erlangenit. Kjo rritje u financua, ndër të tjera, nga licencimi i patentës MP3. Edhe pas skadimit të saj në vitin 2017, kodekët pasardhës vazhdojnë të gjenerojnë të ardhura. Megjithatë, fituesit e vërtetë kanë qenë prodhuesit e pajisjeve si Apple, Sony dhe SanDisk, të cilët kanë gjeneruar miliona të ardhura nga shitja e lexuesve të MP3.

E ardhmja e formateve audio

Teknologjia MP3 dhe kodekët pasardhës të saj gjenden sot në pothuajse çdo celular, shërbim transmetimi dhe radio digjitale. Sipas Grillit, brezi i katërt i kodekëve është aktualisht me sukses në treg, ndërsa i pesti, me një bërthamë AI, është tashmë gati në laborator.

Kodekët më të përparuar të sotëm zvogëlojnë shpejtësinë e transmetimit të të dhënave dhjetë herë më shpejt se MP3. Kjo është thelbësore kur shpejtësitë e transmetimit janë më të ngadalta ose kur shumë njerëz qasen në një sinjal në të njëjtën kohë. Kjo u lejon njerëzve të shikojnë filma ose të dëgjojnë muzikë me cilësi të qëndrueshme të zërit gjatë udhëtimeve. Kështu, historia e suksesit të kësaj shpikjeje 30-vjeçare nuk ka mbaruar ende./rtsh/ KultPlus.com

Bëhen ​30 vjet që nga shpallja e Kushtetutës së Kaçanikut

7 Shtatori është cilësuar si identitet i historisë së re të Kosovës.

Më 07 shtator të vitit 1990 delegatët e Kuvendit të atëhershëm të Kosovës, që kishin shpallur Deklaratën e Pavarësisë më 2 korrik të atij viti, e formalizuan atë deklaratë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Nga protagonistët e miratimit të saj, 7 Shtatori është cilësuar si identitet i historisë së re të Kosovës. Kushtetuta e Republikës së Kosovës është shpallur në Kaçanik, pasi ishte qyteti më i afërt me kufirin me Maqedoninë dhe mundësia e shpalljes së Kushtetutës ishte më e lehtë.

Në atë kohë, Kosova ishte e okupuar tërësisht nga forcat policore dhe ushtarake të ish-Jugosllavisë dhe Serbisë, pasi nga 2 korriku, kur u lexua deklarata e pavarësisë, kishte filluar një aparteid i regjimit të Millosheviçit ndaj Kosovës dhe qytetarëve shqiptarë./ KultPlus.com

Sot plotë 30 vjet nga vdekja e Lasgush Poradecit

Llazar Gusho i njohur me pseudonimin Lasgush Poradeci, lindi në Pogradec më 27 dhjetor 1899 dhe u shua në Tiranë më 12 nëntor 1987. Veprimtaria e tij krijuese e cek atë si poet, shkrimtar dhe përkthyes.

Pseudonimi letrar me të cilin njihet, vjen nga rrudhja e emrit të tij përfshirë atësinë, Llazar Sotir Gusho (La-S-Gush) dhe si mbiemër ka përdorur endonimin e vendlindjes, Poradeci.

Lasgush Poradeci u lind në një familje me tradita atdhetare. Në moshën 10-vjeçare prindërit e dërguan për të vazhduar studimet në Manastir dhe më vonë në Athinë, ku mbaroi liceun.

Më 1921 ai shkoi në Rumani, për të ndjekur studimet e larta. Duke qenë pa bursë dhe pa asnjë ndihmë, ai u detyrua të punonte dhe njëkohësisht të studionte. Në Bukuresht ai u lidh me Lëvizjen Atdhetare të Kolonisë Shqiptare, u miqësua me Asdrenin e atdhetarë të tjerë shqiptarë dhe u zgjodh edhe sekretar i përgjithshëm i Kolonisë. Në verën e vitit 1924 Qeveria e Fan Nolit i dha bursë dhe kështu arriti t’i përfundojë studimet e larta në Grac (Austri) në Fakultetin e Filologjisë Romano-Gjermane.

Për dallim nga poetët e Rilindjes, që me gjithë origjinalitetin e tyre kishin tipare të përbashkëta, poetët e shquar të periudhës së Pavarësisë Noli, Fishta, Poradeci, Migjeni, janë krejtësisht të ndryshëm nga njëri-tjetri si nga formimi, nga prirja e tyre, ashtu edhe nga interesat e synimet.

Lasgush Poradeci e jetoi Rilindjen ne periudhën e shpërthimit të kryengritjeve të mëdha për liri. Në veprën e këtij liriku të madh të letërsisë sonë jetoi shqetësimi atdhetar i mbrojtjes së kombit dhe të traditës së Rilindjes, ashtu sikurse edhe dëshira për triumfin e pikëpamjeve demokratike, shqetësimi për një emancipim të përgjithshëm kulturor e shpirtëror të shoqërisë shqiptare.
Ai është nga lirikët tanë më të mëdhenj, i cili u shqua për sensibilitetin dhe ëmbëlsinë poetike me të cilën i këndoi Shqipërisë dhe dashurisë.

Në vitin 1933, u botua vëllimi i tij i parë “Vallja e yjeve”, dhe më 1937 u botua vëllimi i dytë “Ylli i zemrës”.

Pas Luftës së Dytë Botërore Lasgush Poradeci e vazhdoi veprimtarinë krijuese, por u mor edhe me përkthime. Ai shkroi, veç të tjerash, poemat “Eksursioni teologjik i Sokratit”, “Mbi ta”, “Kamadeva”, baladat për Muharrem e Reshit Çollakun. Gjithashtu, përktheu disa nga kryeveprat e letërsisë botërore si “Eugjen Onjegin” të Pushkinit, lirikat e Lermontovit, të Bllokut, Poemat e Hajnes, të Majakovskit e Mickieviçit, lirikat e Gëtes dhe Hajnes, poezi të Lanaut, Brehtit; Hygos, Mysesë, Bajronit; Shellit, Bërnsit, të Emineskut etj.

Më 12 nëntor të vitit 1987, Lasgush Poradeci, vdiq, duke lënë pas një krijimtari të bukur, e cila kishte fituar zemrën e lexuesit dhe kishte tërhequr vëmendjen e disa studiuesve të shquar të kulturës sonë si Eqrem Çabej, Skënder Luarasi, Mitrush Kuteli, Sabri Hamiti, Ismail Kadare etj./ KultPlus.com