Clint Eastwood mbush 95 vjeç

Aktori hollivudian Clint Eastwood feston plot 95 vjeç mes suksesesh të shumta në fushën e Kinemasë, shkruan britannica.com.

Clint Eastwood, i lindur më 31 maj 1930, në San Francisko, Kaliforni, SHBA, është një aktor amerikan filmash, i cili u shfaq si një nga yjet më të njohur të Hollivudit në vitet ‘60, i njohur për portretizimin e tij të individualistëve të ashpër.

Eastwood gjithashtu gjeti sukses si regjisor, duke fituar çmime Oscar për punën e tij në ‘’The Unforgiven’’ (1992) dhe ‘’Million Dollar Baby’’ (2004).

Eastwood i nxiti kolegët e tij të filmave të dalin me ide të reja ndërsa feston 95-vjetorin këtë fundjavë.

Regjisori fitues i çmimit Oskar, Eastwood, i tha gazetës austriake ‘’Kurier’’ se planifikonte të vazhdonte të punonte duke thënë se ishte ende në formë të mirë fizike dhe shpresonte se askush nuk do të duhej të shqetësohej për të në këtë drejtim.

Filmi më i fundit i Eastwood, drama ligjore “Juror#2”, u shfaq në Shtetet e Bashkuara vitin e kaluar dhe gazeta tha se ai ishte aktualisht në fazën e paraprodhimit për një film tjetër.

Kur u pyet për mendimin e tij mbi gjendjen aktuale të industrisë së filmit, ylli i filmave si “The Good, The Bad and The Ugly” dhe “Dirty Harry”, dhe regjisor i dhjetëra filmave përfshirë “Unforgiven” dhe “Million Dollar Baby”, tha se ‘’më mungojnë ditët e shkuara kur skenaristët shkruanin filma si ‘Casablanca’ dhe kur të gjithë kishin një ide të re”.

I pyetur se nga e merrte energjinë, Eastwood tha se ‘’nuk ka asnjë arsye pse një njeri të mos përmirësohet me kalimin e moshës. Dhe unë kam shumë më tepër përvojë sot.

Sigurisht, ka regjisorë që e humbasin ndjesinë e tyre në një moshë të caktuar, por unë nuk jam njëri prej tyre’’./ atsh/ KultPlus.com

Alfred Moisiu feston 95-vjetorin, Bajram Begaj: Ka dhënë kontribut të çmuar, populli shqiptar e vlerëson me konsideratë të lartë

Ish-Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Alfred Moisiu, feston sot 95-vjetorin e lindjes.

Përmes një letre të hapur, Presidenti Bajram Begaj uron Moisiun, të cilin e vlerëson për kontributet për vendin.

I dashur President Moisiu,

Kam kënaqësinë e veçantë që, me rastin e ngjarjes së gëzueshme të 95-vjetorit të datëlindjes Suaj, të bashkohem me familjarët, miqtë dhe dashamirësit Tuaj të shumtë për t’ju transmetuar urimet e mia më të përzemërta për shëndet të plotë, jetë të gjatë dhe aktive.

Në rrugëtimin historik të shtetit shqiptar, Ju, i nderuar President Moisiu, keni dhënë kontribute të shumta e të çmuara, për të cilat populli shqiptar ju vlerëson me konsideratë të lartë.

Në moshën e adoleshencës ju u rreshtuat në radhët e Ushtrisë Nacional-Çlirimtare të Shqipërisë, për t’u përfshirë më pas në angazhime të rëndësishme dhe përgjegjësi shumë të larta, duke kulmuar me postin e Presidentit të vendit.

Në çdo hap që keni hedhur, ju keni shkëlqyer!

Ju kontribuuat me përgjegjësi gjatë ushtrimit të detyrës së Kreut të Shtetit, veçanërisht në kohë zhvillimesh të vështira, por edhe me urtësi, ekuilibër dhe frymë përbashkuese në konsolidimin e demokracisë, shtetit të së drejtës, parimit të të drejtave dhe lirive themelore, si dhe forcimit të imazhit ndërkombëtar të Shqipërisë.

Në këtë jubile mjaft të veçantë, të cilin ju e keni arritur me shumë përkushtim, punë të palodhur e atdhetari shembullore, duke u bërë model frymëzues për autoritetet shtetërore dhe politike shqiptare, është kënaqësi për mua t’ju drejtohem me urimet më të përzemërta”, shkruan Begaj./ topchanel/ KultPlus.com