‘RED’: lufta mes komerciales dhe artit të vërtetë, në Teatrin Aleksandër Moisiu

Sonte në Teatrin “Aleksandër Moisiu” shfaqet premiera e dramës “RED” (e kuqe) nga dramaturgu amerikan John Logan. Vepra vihet në skenë nën regjinë e Altin Bashës dhe interpretohet nga aktorët Gentian Zenelaj e Urim Aliaj.

“E kuqe” është një dramë me dy personazhe, kushtuar piktorit abstrakt Mark Rothko dhe veprave që solli nga viti 1949-1970. Fillimisht vepra është vënë në skenë në Londër, më 8 dhjetor 2009 dhe më pas në shumë teatro anembanë globit. Dy nga aktorët më të njohur që e kanë interpretuar janë britanikët Alfred Molina dhe Eddie Redmayne, me të cilët drama fitoi disa çmime Tony Awards.

“Vetëm një gjë kam frikë në jetë, miku im. Një ditë e zeza do ta përpijë të kuqen”. Kjo batutë  e artistit shpreh gjithë brengën e tij dhe refuzimin që i bënte “Pop artit” dhe në thelb komercializmit.

Mark Rothko, paguhet në 1958-ën nga restoranti i famshëm e tejet i shtrenjtë “Four Seasons” , për të realizuar disa murale. Rothko nis punën, i ndihmuar nga asistenti i tij Ken. Përmes dialogut të personazheve del hapur se si asistenti ashtu dhe artisti janë të dyzuar me pranimin e kësaj porosie kaq komerciale. Përfundimisht, Rothko ndërpret punën dhe merr vendimin të kthejë paratë tek “Four Seasons” me pretendimin se ai vend është i papërshtatshëm për ekspozimin e veprave të tij.

Drama “E kuqe” do të shfaqet për publikun në 4 net: 24, 26, 27 dhe 28 janar./atsh/ KultPlus.com

44 fotografi nga fondi personal i aktorit Aleksandër Moisiu, ekspozohen në Bibliotekën Kombëtare

Një ekspozitë e studiuesit Pjetër Logoreci me fotografi të aktorit austriak me prejardhje shqiptare, Aleksandër Moisiut, është hapur sot në ambientet e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, shkruan KultPlus.

Studiuesi shkodran pas një hulumtimi të realizuar në arkivat e Vjenës, ka arritur të nxjerrë 44 fotografi nga çaste të ndryshme të jetës së aktorit të ndjerë, të cilat paraqesin shumë qartë nivelin e lartë artistik e elitar të tij.

Fotografi me nënën, me bashkëshorten dhe familjarë të tjerë të tij, ishin të ekspozuara të parat, duke treguar edhe kronologjikisht rrjedhën e jetës së tij prej burimit, familjes.

Fototgrafi të dokumenteve si ajo e pagëzimit, martesës, fotografi të realizura gjatë roleve të tij në teatër, fotografi me kolegët, të dekoratave të cilat i kishte marrë aktori, po ashtu qenë pjesë e ekspozitës të cilat i shpjegonin shumë qartë etapat e jetës së tij.

Ndërsa të fundit qenë një fotografi e arkivolit me trupin e pajetë të aktorit, dhe tjetra nga ceremonia e mortore e tij.

Gjatë prezantimit të fotografive, studiuesi tregoi për vizitorët e ekspozitës edhe një deklaratë të autorit Franc Kafka duke treguar për zërin e kristaltë të autorit dhe tenorit Moisiu.

“Ai fliste me sy, por ai ka poseduar edhe diçka që askush tjetër nuk e ka pasur, zëri i tij ishte kumbues, sepse ka qenë tenor. Kafka ka qenë mik i tij, ai e përshkruan zërin e tij duke thënë që zëri që del prej tij, arrin në majat më të larta të teatrit të Vjenës, bënte jehonë nëpër sallë dhe vinte përsëri në veshin e dëgjuesit, kaq kumbues ka qenë zëri i tij”, ka thënë Logoreci.

Fjalimin e tij studiuesi Logoreci e përmbylli duke e quajtur gjeni dhe Ajnshtajn shqiptar, aktorin Aleksandër Moisiu./KultPlus.com

Përvjetori i lindjes së aktorit Aleksandër Moisiu

Më 2 prill të vitit 1879, në Trieste të Italisë ka lindur aktori me origjinë shqiptare, Aleksandër Moisiu.

Në skenën gjermanishtfolëse ka mishëruar mjeshtërisht role kryesore të një spektri të gjerë të veprave të letërsisë evropiane, duke nisur që prej tragjedive antike greke e deri në bashkëkohësi.

Karriera e tij ka nisur në moshën 19-vjeçare, kur ka filluar të ekzekutonte role minore si “kompars” në skenën e Burgtheatër.

Më pas, Moisiu është angazhuar në teatrot e Pragës dhe të Berlinit, ku është shquar për zotësi aktoriale, veçanërisht në interpretimin e rolit të Edipit mbret dhe të Hamletit. Kjo mbarëvajtje e bujshme e ka dërguar për të shpalosur talentin e tij drejt skenave të tjera të Evropës dhe të Amerikës Veriore.

Në vitin 1935, në perëndim të jetës së tij, aktori ka kërkuar shtetësinë italiane, që është mirëpritur nga autoritetet përkatëse.

Po ashtu, si bir i një shqiptari nga Kavaja dhe një arberësheje, ai ka pasur dëshirë të merrte edhe shtetësinë e vendit të tij të origjinës, i cili ka refuzuar të plotësonte vullnetin e tij të fundit.

Aleksandër Moisiu ka ndërruar jetë më 23 mars të vitit 1935 në Vjenë. Në dokumente paraqiten njoftime për shfaqjet e dhëna prej tij./klankosova/KultPlus.com

Mbyllë perden festa e madhe e teatrit shqiptar, shpallen fituesit e trofeut “MOISIU”

Edicioni i parë i Festivalit të Teatrit Shqiptar – MOISIU – ka përfunduar me shumë sukses, shkruan KultPlus.

Ky festivali, i cili bëri bashkë në një organizim teatrot shqiptar, Teatrin Kombëtar të Kosovës, Teatrin Shqiptar në Shkup, Teatri Kombëtar të Shqipërisë dhe Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” u mbyll sonte.

Një ëndërr e kahmotshme u bë realitet – Edicioni i parë i Festivalit të Teatrit Shqiptar MOISIU i bashkë-organizuar nga Teatri Kombëtar i Kosovës, Teatri Shqiptar në Shkup, Teatri Kombëtar i Shqipërisë dhe Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” u mbyll sonte.

Nga 16 deri me 27 nëntor 2022, çdo natë nga ora 19:00 në Teatrin Shqiptar në Shkup mbi 300 krijues të teatrove shqiptare paraqiten produksionet teatrore nga Prishtina, Tirana, Shkupi, Ferizaji, Shkodra, Tetova, Prizreni, Korça, Gostivari e Presheva për një numër rekord të shikuesve.

Trofeun e MOISIU-t sivjet e fituan:

Shfaqja më e mirë: Tri Motrat – Teatri Shqiptar Shkup
Regjia më e mirë: Qendrim Rijani – Tri Motrat
Aktori më i mirë: Sotiraq Bratko – Tregtari i Venedikut
Aktorja më e mirë: Ilire Vinca – Babi dhe Babai
Aktorja/roli i dytë më e mirë: Elia Zaharia – Ivanov
Aktori/roli i dytë më i mirë: Alfred Trebicka – Ivanov
Artisti i ri më i mirë: Kosovare Krasniqi – Babi dhe Babai
Skenografia më e mirë: Beqo Nanaj – Tregtari i Venedikut
Kostumografia më e mirë: Sofi Kara – Ivanov
Kompozitori më i mirë: Trimor Dhomi – Tri Motrat
Çmimi i dramës shqipe: Babi dhe Babai – Jeton Neziraj

Ndërsa çmimin e karierës organizatorët e ndanë Post Mortem për aktorin Luran Ahmeti!

Ky festival është mbështetur nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës, Ministria e Kulturës e Republikës së Shqipërisë dhe Ministria e Kulturës e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe do të organizohet çdo nëntor në rotacion: Shkup, Tiranë, Prishtinë.

Ky fesitvali do të mbahet vitin tjetër në Tiranë. /KultPlus.com

Kujtime nga ditari i Franc Kafkës për Aleksandër Moisiun

Moikom Zeqo

Franc Kafka e ka njohur dhe ka qenë adhurues i aktorit Aleksandër Moisiu. Në “Ditarin e tij” Kafka flet për Moisiun për përshtypjet e një takimi në 28 shkurt 1912:

“3 Mars. Më 28 shkurt isha tek Moisiu.

Ka një paraqitje jo të natyrshme. Rrinte ulur dhe në dukje dukej i qetë; vetëm duart i mbante zakonisht të bashkuara përmbi gjunjë, sytë ia ngulte librit dhe lëshonte zërin e tij që i ngjasonte atij të një njeriu që është duke vrapuar.

Salla kishte akustikë të mirë.

Nuk humbiste asnjë fjalë edhe po të ishte vetëm pëshpërimë! Gjithçka zgjerohej pak nga pak sikur vijonte jehona e zërit e cila bashkohej me të tjera gjëra dhe na mbyllte edhe ne në qarkun e saj.

Në këtë rast mund të vësh re mundësitë që ka zëri.

Ka në të artifise vulgare dhe befasime që na detyrojnë të shohim përtokë po ne nuk vepronim në atë mënyrë; kështu ndodhte p.sh. që në vargjet e para ‘Flej, Miriam, vajza ime’; kur zëri endet nëpër melodi; tek shqiptimi i shpejtë i Këngës së Majit ku ngjasonte sikur në mes të fjalëve ishte futur vetëm maja e gjuhës; tek ndarja e fjalëve tek poezia “Era e nëntorit” në mënyrë që era të shtyhej në fillim poshtë e më pas të vërshëllente lart.

Ai që ngre sytë nga tavani i sallës e ndjen veten të lartësuar nga vargjet.

Poezitë e Gëtes nuk janë arritur nga recituesi po ama s’gjen dot asnjë gabim tek recitimet e tia dhe aty gjithçka ndikon për t’ia arritur qëllimit.

Përftoi efekt të madh kur ai shtoi në program ‘Këngën e shiut’ të Shekspirit dhe brofi në këmbë, u çlirua nga teksti duke nderë dhe tutluar shaminë në mes të duarve dhe nxirrte vetëtima nga sytë.

Mollëzat i ka të rrumbullakta po fytyrën eshtake.

Flokët i ka të buta, dhe i shtron pareshtur me lëvizje të ngadalta të dorës.

Për të kishim lexuar artikuj entuziastë; këto i shërbejnë derisa e dëgjojmë për herë të parë, më pas ai pështjellohet dhe nuk mund të përftoj një mbresë të kulluar.

Mënyra si reciton i ulur me librin përpara, të kujton paksa një ventrilok.

Artisti, i ftohtë nga ana e jashtme, ulej para meje në mënyrë që thuajse nuk dallojmë dot fytyrën e përkulur, lëvizjet e buzëve dhe në vend që të flasë ai, duket se flasin vargjet përmbi kokën e tij.

Megjithëse dëgjoheshin melodi të ndryshme dhe zëri rrëshqiste si një barkë përmbi ujëra, nuk dëgjohesh melodia e vërtetë e vargjeve.

Disa fjalë shpërbëheshin nga zëri; ato ishin rrokur në mënyrë të brishtë dhe lulëzonin dhe s’kishin asgjë të përbashkët me zërin e njeriut derisa zëri shqiptonte fort ndonjë bashkëtingëllore të ashpër, e mbështeste fjalën në tokë dhe i jepte fund recitimit”.

Franc Kafka jep kështu përshtypjet e tij me një veprimtari recitimi të drejtpërdrejtë me Aleksandër Moisiun. Nuk është një dëshmi e dëgjuar nga të tjerët, por është dëshmi autentike e vetvetes.

Kafka e përshkruan talentin recitues dhe interpretues të Moisiut si atë të një vetriloku! Kjo më duket e çuditshme, por edhe e pranueshme. Ventrilokut i vjen zëri nga thellësia e brendshme e barkut dhe pa i lëvizur buzët. Ky është një shpjegim mjeshtërie! Dhe Moisiu ishte vërtet një mjeshtër. /Telegrafi /KultPlus.com