Pas negociatave të gjata, mesfushori shqiptaro-zviceran Ardon Jashari është zyrtarisht pjesë e Milanit. Klubi kuqezi e prezantoi para mediave, ku lojtari u shpreh se ky transferim ka qenë gjithmonë dëshira e tij dhe se puna për ta realizuar marrëveshjen ka qenë e gjatë dhe e vështirë.
“Të luash për këtë klub sjell presion, por është normale. Do të punoj shumë për të shpërblyer besimin,” tha Jashari, duke theksuar se qysh nga kontaktet e para me Igli Taren kishte vendosur ta hidhte këtë hap. Sipas tij, një rol të madh në këtë transferim e kanë pasur edhe Zlatan Ibrahimovic dhe Tare, të cilët i dhanë besim gjatë gjithë procesit.
I impresionuar nga Pirlo dhe i lumtur që do të ndajë mesfushën me Luka Modric, Jashari u shpreh se mezi pret të debutojë në “San Siro”. Ai theksoi se është i gatshëm të përshtatet në çdo pozicion të mesfushës dhe se prioriteti i tij është të ndihmojë skuadrën në të dyja fazat e lojës.
“Kur isha i vogël, kam ëndërruar gjithmonë të luaj për Milanin. Ta vesh këtë fanellë është diçka e jashtëzakonshme,” përfundoi mesfushori kuqezi./KultPlus.com
