Nën ripërjetësimin e krijimtarisë së Nexhmije Pagarushës, RLIOF nis rrugëtimin me ‘Ëndrra pa kufi, Opera pa mure’

Flonja Haxhaj

Mbrëmja e kaluar në Prishtinë shënoi hapjen e edicionit të pestë të Rame Lahaj International Opera Festival, me një koncert të jashtëzakonshëm nën qiellin e hapur, përballë Bibliotekës Kombëtare të Kosovës. Në një atmosferë të ndriçuar hijshëm dhe me një publik që kishte zënë vend në çdo cep të kësaj hapësire, festivali filloi rrugëtimin e tij artistik në mbrëmjen dedikuar tërësisht krijimtarisë së ikonës së muzikës shqipe, Nexhmije Pagarusha, shkruan KultPlus.

E pozicionuar në hapësirën përballë bibliotekës, mbrëmja ofroi një skenografi ku stolat dhe dritat krijuan një ambient që në shikim të parë e paralajmëronin një natë të mbushur me emocion, nostalgji dhe melankoli. Nën moton “Ëndrra pa kufi, opera pa mure”, RLIOF solli para publikut një koncert që u bë urë-lidhësemes operës dhe trashëgimisë muzikore shqiptare.

Mbrëmja u hap me interpretimin e ndjeshëm të këngës “Unë ty të kam dashtë” nën zërin e Edona Reshitaj në përcjellje nga orkestra e Genti Rrushit. Pas saj, Adhurim Grezda solli një version të fuqishëm të “Perëndeshë e bukurisë”, ndërsa artistja Arbëreshë interpretoi me delikatesë këngën “Ti mor djalë”.

Pas këtyre performancave, në skenë u ngjit mezopranoja egjiptiane, Gala El Hadidi, e cila me këngën “E dehur jam” përçoi emocione të thella dhe një përjetim të veçantë të muzikës së Pagarushës. Reshitaj u rikthye me “Kur më del në derë”, ndërsa El Hadidi interpretoi ndjeshëm “Vetë ke mbet”. E më pas Grezda solli “Kur më shkon si zog n’hava”.

Vazhdimi i koncertit solli këngë të tjera të paharrueshme si “Dashuro” nga Arbëreshë, “Zani i tij më thërret” nga Reshitaj, “O moj bukuroshe” nga Grezda, si dhe “O në atë fushë t’mejdanit” nga Arbëreshë, për të vijuar me “Sytë për ty i kam të njomë”, “O dritë, sa të dua”, dhe për t’u përmbyllur me “E kujtoj atë takim”, në interpretimin plot emocion të Gala El Hadidi.

Pwrfundimi i koncertit erdhi me një kolazh të përbashkët të këngëve më të dashura të Nexhmije Pagarushës, ku të gjithë artistët u ngjitën sërish në skenë për të interpretuar së bashku “Baresha”, “Mora testin”, “E kujtoj atë takim” dhe shumë këngë të tjera që përbëjnë thesarin e muzikës shqiptare.

Pas një paraqitje ku u pasua me një grumbull ovacionesh, këngëtari Adhurim Grezda u shpreh shumë i lumtur që ishte pjesë e kësaj mbrëmje hapëse, e aq më tepër në një koncert që i dedikohet ikonës, Nexhmije Pagarusha.

“Padyshim që ndjehem shumë i lumtur dhe shumë krenar që po ripërtrihen këngët divës së madhe të muzikës shqipe, Nexhmije Pagarusha. Po vazhdojmë me këtë edicion të pestë, vit jubilar i Rame Lahaj International Opera Festival dhe besoj se si kjo mbrëmje e suksesshme, të tilla do të jenë edhe mbrëmjet e tjera të këtij edicioni. Kryesisht jemi bazuar tek krijimtaria e Nexhmije Pagarushës, unë kisha edhe një këngë që e kam marrë nga repertori i Shkodrës, kisha dëshirë ta prezantoja si risi në këtë edicion”, theksoi Grezda për KultPlus.

Ndonëse është paraqitja e saj e parë në Kosovë, mezosopranoja nga Egjipti, Gala El Hadidi ndan me KultPlus përshtypjet e saj për Kosovën. Ajo e përshkruan këtë paraqitje të saj si një përvojë të mrekullueshme dhe që mezi pret të rikthehet sërish në Kosovë.

“Kam krijuar përshtypje të mrekullueshme për Kosovën, dua të rikthehem sërish, më ka pëlqyer shumë dhe nuk mund ta besoj që do të largohem pas dy ditësh. Është gjë e mrekullueshme të performoj këtu para publikut të Kosovës, publik që e shijon muzikën dhe kam mundur të vërej se këtu ka një trashëgimi kulturore muzikore dhe vërtet një publik i hapur dhe që i pranon të gjithë, pavarësisht pse sot unë këndova këngë në gjuhën shqipe, është vërtet një nder për mua të jem këtu. E kam njohur Rame Lahajn në Gjermani dhe të dy, ku kisha kënaqësinë të performoj me të para disa viteve, dhe pasi ai krijoi këtë festival më ftoi disa herë po nuk pata mundësi të vija deri më tani dhe sigurisht duke e njohur atë se sa i suksesshëm është, gjithmonë kisha dëshirë të vija”, u shpreh El Hadidi duke shtuar më tutje se Lahaj është një ambasador shumë i mirë i Kosovës dhe është një prej arsyeve pse Hadidi dhe shumë artistë të muzikës operistike kanë vendosur që të vijnë të performormojnë në Kosovë.

Pasi koncertit, për KultPlus foli edhe artistja Edona Reshitaj, e cila u dha sërish jetë disa prej këngëve ikonike të Nexhmije Pagarushës. Reshtaj e përshkruan si ndjenjë të jashtëzakonshme paraqitjen në këtë koncert dhe vlerëson lart kontributin e festivalit Rame Lahaj International Opera Festival.

“Është ndjenjë e jashtëzakonshme, kam një nder të madh dhe një kënaqësi të madhe që marr pjesë në këtë festival fantastik dhe tjetra është se ky festival ka bërë kthesën e muzikës sepse gjithmonë është paragjykuar që Kosova nuk ka publik për muzikën e mirëfilltë dhe muzikën klasike, me këtë festival ne e kemi kuptuar që ka hala shpresë për vendin tonë”, tha Reshitaj teksa shtoi se me festivale të tilla po shënohet edhe një rikthim masiv i publikut edhe në koncertet artistike dhe klasike.

Pas përfundimit të mbrëmjes së parë, për KultPlus foli edhe koordinatori artistik i festivalit, Besmik Vokopola, i cili përveçse foli për natën hapëse, shpalosi edhe qëllimin e këtij edicioni të Rame Lahaj International Opera Festival.

“Ne sapo përfunduam mbrëmjen e parë të dedikuar të madhes Nexhmije Pagarusha dhe këtë vit festojmë pesë – vjetorin e Festivalit Ndërkombëtar të Operës Rame Lahaj nën moton ‘Ëndërra pa kufi, opera pa mure’ sepse gjithçka nisi si një ëndërr dhe ja ku jemi sot, që sjellim në Prishtinë dhe në disa prej qyteteve të Kosovës art të mirëfilltë, jo vetëm muzikë klasike por edhe gërshetimin me ato që janë tingujt e kulturës sonë”, tha Vokopola, teksa më tutje shpalosi edhe mbrëmjet që do të pasojnë festivalin deri në natën përmbyllëse.

Ndërkaq, përgjatë këtyre mbrëmjeve të festivalit RLIOF, publiku do të ketë mundësinë të shijojë performanca të artistëve të mirënjohur vendorë e të huaj deri më datë 2 gusht, ku edhe do të kurorëzohet me mbrëmjen ‘Rame Lahaj & Friends’./KultPlus.com

“Udhëtim në kohë” hapi mbrëmë RLIOF, një mbrëmje e mahnitshme që jehoi kokë e këmbë shqip

Era Berisha

Një mbrëmje mbresëlënëse e mbushur plot me melodi shqipe rezultoi nga koncerti i Adhurim Grezdës dhe bendit “Don’t listen to your neighbors”, të cilët mbrëmë promovuan albumin e tyre të emërtuar “Udhëtim në kohë”, pikërisht në natën e parë të hapjes së edicionit të dytë të festivalit “Ramë Lahaj International Opera Festival”. Një udhëtim në kohë nëpër këngë të vjetra shqiptare që vinë të aranzhuar në një stil perfekt, e përjetuan të gjithë të pranishmit që u pushtuan ëmbëlsisht me prekjen madhështore të secilit tingull, shkruan KultPlus.  

Edicioni i dytë i këtij festivali nisi mbrëmë me një stil mjaft unik të elementeve të xhazit të përcjellura përmes aranzhimeve të sofistikuara. Ky koncert dukshëm pati pranë një numër të madh të artdashësve të cilët me padurim prisnin daljen në skenë të artistëve që do të performonin në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare. Me një ndriçim të ngrohtë në dy qoshet e skenës si dhe ato në distancë përbri skenës, reflektorët e kaltër të vendosura përreth sallës si dhe dritat në prapaskenë që ndërronin sa herë që publiku bëhej pjesë e koncertit, ishin ato që vinin në pah akoma më shumë interpretimin e veçantë të instrumentistëve në skenë. Me një logo të dizajnit në prapavijë dhe dritën natyrale që bie pingul në mes të hapësirës, të pranishmit mbushën sallën qosh më qosh, teksa disa nga ta edhe qëndruan në këmbë nga fillimi e deri në fund.

Hapjen e kësaj mbrëmjeje të festivalit ‘RLIOF’ e nisi koordinatorja artistike e festivalit, Ulpiana Aliaj e cila u shpreh se ndjehet mjaft e nderuar që salla ishte e mbushur plot.

“Jemi vërtetë të nderuar që sot po e nisim edicionin e dytë të ‘Ramë Lahaj International Opera Festival’. Sa mirë të shohësh këtë sallë kaq të mbushur me të rinj, me artistë, me diplomatë dhe të gjithë ata që përfaqësojnë të gjitha kategoritë dhe që mbi të gjitha, vlerësojnë artin, e për këtë ju jemi shumë mirënjohës. Edicionin e dytë e nisim sot me një mbrëmje specifike dedikuar dhe kushtuar muzikës shqipe, një gjerdan shumë i vlefshëm për kulturën, artin dhe traditën tonë”, thotë Aliaj.

Për të pranishmit të cilët janë adhurues të muzikës unike të bendit “Don’t listen to your neighbors”, në hyrje të hapësirës ishin të vendosura rishtazi edhe një numër i madh i CD-ve, brenda të cilave gjendej edhe albumi më i ri i tyre. Ndërkaq, para se koncerti të gjente nisjen e tij, skena ishte ajo që ishte e mbushur plot në secilin cep. Instrumentet diversive pas pak do të gjallëroheshin nga një formacion i zgjeruar, pak më ndryshe sesa treshja tashmë e njohur e këtij bendi. Njëri pas tjetrit, dalja e tyre në skenë u shoqërua me një duartrokitje të paparë nga ana e publikut.

Gjithsej trembëdhjetë këngë pushtuan atmosferën që nga fillimi e gjerë në mbarim. Fiks në orën 20:15 u lëshua tingulli i parë dhe zëri i mrekullueshëm i baritonit Adhurim Grezda nuk u ndal për asnjë çast. Me një veshje elegante, secila notë muzikore i shkrihej natyrshëm zërit të tij të butë dhe njëkohësisht të fuqishëm, që në ndërlidhje me audion aq të pastër të instrumenteve, ky koncert dëshmoi për një çiltërsi të jashtëzakonshme autentike.

Kënga arbëreshe “Ishte një ditë e muajit t’majit”, “Valle arbëreshe”, kënga qytetare përmetare “A kanë uj’ ato burime”, poezia “Kroi i fshatit tonë”, kënga popullore e Shqipërisë së mesme “Jam bandill, trim i fortë”, kënga popullore korçare “25 gërsheta”, kënga popullore elbasanase “Malenake”, “Hala s’të ra ndërmend”, kënga qytetare shkodrane “Tash sa ditë e mot”, këngë qytetare beratase “Asaman, trëndafili i çelës”, kënga popullore durrsake “E vika Deti”, “Valle e Shqipërisë së mesme” si dhe “Mallëngjimi”, jehuan edhe përtej mureve të çdo shpirti të pranishëm. Kjo më së miri dallohej edhe atëherë kur secili person arriti që të krijojë ritme herë pas here në publik të cilat krijonin një gërshetim të mrekullueshëm mes artistëve dhe artdashësve.

Ndërkohë, anëtarët e tjerë që janë pjesë e këtij albumi si: Dalvin Mamusha në violinë, Endrit Xërxa në kitarë, Visar Kuçi në bas kitarë dhe mandolinë, Ervis Çaushi në fizarmonikë, Fatjon Miftari në piano, Ardian Bakalli në daulle si dhe Tanju Sulejman në perkusion, kanë sjellë copëza magjie përbrenda secilës këngë. Çdo herë ndryshe në stilin e tyre, ata arritën që këtë mbrëmje ta ndezin flakë e publikun ta bëjnë për vete lehtazi. Njëlloj si emërtimi i albumit, “Udhëtim në kohë”, ky koncert ishte me të vërtetë i tillë. Këngët e vjetra shqiptare dhe popullore janë ringjallur për të lënë gjurmë të dukshme moderne.

Edhe pse teksti këndohej pothuajse nga gjithsecili i pranishëm, ishte vija melodike ajo që kishte ndërruar formë dhe kjo veçse është mirëpritur nga audienca që me duartrokitje të shumta ka mirëpritur secilën këngë. Me buzëqeshje në fytyrat e secilit dhe lëvizjet e tyre në vend, ritmi i tyre trupor ishte i të njëjtit nivel me atë në skenë. Këngë pas kënge, duartrokitje pas duartrokitje e instrument pas instrumenti, kjo mbrëmje dëshmoi për një nevojë të pashtershme që ka skena kulturore në Kosovë.

Është vetëm edicioni i dytë i këtij festivali, por tashmë netët e radhës po priten me padurim që të vinë sa më shpejt në kryeqytet. Krejt kjo dëshirë e dalluar erdhi nga kjo mbrëmje që dëshmoi për kapacitetin e lartë të profesionistëve shqiptarë të cilët me muzikën e tyre krijuan një mbrëmje magjike.

Baritoni Adhurim Grezda për KultPlus foli rreth emocioneve të tij pas një koncerti të tillë.

“Ideja e albumit ka ardhur gjatë periudhës pandemike dhe atëherë kohën e gjallëruam shpirtërisht me muzikë dhe njëkohësisht arritëm të përzgjedhim trembëdhjetë këngë për këtë album. Kryesisht këngët që i zgjedh janë këngë që i përshtaten vokalit tim dhe janë këngë që të gjithë i njohin. Shumica nga këngët janë nga Berati, Shkodra, Durrësi, Korça, një është valle arbëreshe dhe normalisht kënga ‘Mallëngjimi’ nga Muharrem Qena”, thotë ai.

Sipas tij, emërtimi i albumit “Udhëtim në kohë” ka ardhur nga ideja se nëpërmjet muzikës së dikurshme të vjen muzika bashkëkohore.

“’Asaman, trëndafili i çelës’ është një këngë që e kam dëgjuar qysh fëmijë dhe kam nostalgji sa herë e dëgjoj andaj dhe këtyre këngëve i ka ardhur momenti që t’i punojmë në mënyrë profesionale”, thotë Grezda.

Po ashtu, kitaristi Endrit Xërxa tregoi pak për procesin e krijimit të një albumi si dhe përshtypjeve të tij për këtë mbrëmje.

“Normalisht ka qenë një emocion i madh për të qenë në skenë duke marrë parasysh që nuk jemi marrë vetëm me aranzhimin e këngëve por jemi marrë edhe me incizimin e tyre, dizajnimin e kopertinës, me ftesën për instrumentistë të tjerë ngase nuk kemi qenë vetëm ne si trio dhe pas krejt kësaj pune është shpërblyer mundi jonë. Në secilën këngë, ne kemi ndërhyrë me aranzhimet tona më moderne, por ka edhe këngë që ne ia kemi ndërruar komplet formën vetëm teksti ka mbetur siç ka qenë, p.sh poezinë “Kroi i fshatit tonë” e kemi shndërruar në këngë dhe llogaritet si me qenë një këngë e re”, thotë ai.

Gjithashtu, violinisti Dalvin Mamushaj e vlerësoi kohën pandemike si një kohë që ka rezultuar mirë për diçka, e në këtë rast, në krijimin e albumit të tyre.

“Ishte një kënaqësi me të vërtetë e veçantë që sonte ishim pjesë e festivalit të Ramë Lahajt dhe patëm rastin të prezantojmë punën tonë dy vjeçare. Ka qenë një periudhë e vështirë në fillim pasi që patëm edhe pandeminë por në këtë rast ka pasur edhe të mirat e veta ngaqë kemi pasur mundësinë të sjellim punën tonë. Në këtë rast kemi ardhur me një formacion më të zgjeruar dhe ka qenë një ndjenjë tjetër për neve e po ashtu edhe për publikun sepse kanë mundur të dëgjojnë shumëllojshmërinë e ngjyrave”, shpalos Mamushaj.

“Ramë Lahaj International Opera Festival” gjatë këtij edicioni do të prezantojë edhe 4 koncerte të tjera në vazhdim. Nata e dytë e këtij festivali vjen më datë 24 korrik nën emërtimin “Opera Night” në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare. 

Fotografitë: Arben Llapashtica / KultPlus.com