‘Për ty Atdhe, ma të bukurën kangë, me fuqinë e kësaj zemre do të këndoj’ (VIDEO)

“Për ty Atdhe” është një ndër këngët më të bukura që e ka sjell tenori i njohur shqiptar, Ramë Lahaj.

Prishtina, Prizreni, Tirana, Kruja e vendet tjera të dy shteteve shqiptare janë nikoqire të kësaj kënge, teksa përgjatë videoklipit shfaqen motive të kulturës shqiptare, si veshja, plisi dhe shumë elemente të tjera të cilat e kurorëzojnë këtë këngë.

Kënga muzikën e së cilës e kreu Pjetër Gaci, orkestrimin Shpëtim Saraçi dhe me video produksion nga Entermedia, në të gjitha pamjet shfaq dashurinë e një çifti të ri që vizitojnë vende shqiptare dhe praktikojnë tradita tona, teksa përmbyllja e këngës bëhet me propozimin e Lahajt ndaj vajzës pranë monumentit të Skënderbeut.

KultPlus ju sjell në mendje sot, në 16 vjetorin e pavarësisë së Kosovës.

Për ty Atdhe

Për ty Atdhe,
ma të bukurën kangë,
me fuqinë e kësaj zemre do të kendoj,
për këto male,
për këto fusha të gjana,
për këtë vend ku sot i lumtur jetoj.

Për këto male,
për këto fusha të gjana,
për këtë vend ku,sot i lumtur jetoj.

x2
I bukur je,
ngrihesh madhështor,
si një kështjellë e pamposhtur ti qëndron,
në mes dallgësh
shkëmb graniti vigan,
s’u përkule nga çdo stuhi e tufan./ KultPlus.com

Lahaj: Tendencë e panevojshme në Kosovë, më shumë xhami sesa çerdhe

Tenori i njohur kosovar, Ramë Lahaj ishte mysafir i kryeministrit të Shqipërisë në episodin e radhës të podcastit të Edi Ramës.

Biseda mes tyre preku pak edhe çështjen e religjionit. “Beson në Zot?”, e pyeti Rama tenorin, i cili pasi u përgjigj për besimin e tij, preku një çështje tjetër, numrin e madh të xhamive në Kosovë.

“Në fakt unë vij prej një familjeje ku babin e kam pasë haxhi, siç i themi ne në Kosovë. Kam dalë prej shtëpisë dhe kam ardhë në shtëpi duke u lutë me ritualet e tij, por në aspektet e besimit ka qenë shumë i hapur. Do me thënë, unë edhe pse jam rritë në një provincë ku bajramet dhe festat e myslimanëve janë festu në një formë shumë fanatike. Unë nuk jam zgju asnjëherë nga gjumi nga baba sepse duhet me shku në xhami në orën 4 të mëngjesit për Bajram. Do me thënë ka pasë një qasje fantastike sa i përket fesë, ku mua më ka lënë të lirë me u rritë dhe me vendosë. Besoj në Zot, besoj në karmë, besoj në univers, besoj verbërisht në energji. Kështu që kam një mix të, po e zbusë pak, të xhamisë dhe të kishës”, tha Lahaj.

Ai foli për një “tendencë të panevojshme në Kosovë”, ku ai tha se sheh më shumë xhami sesa kopshte fëmijësh.

“Desha me e ripotencu edhe një herë sepse në Kosovë ka një lloj trendi ku shoh më shumë xhami sesa, po them, ‘kindergarten’, kopshte, shkolla fëmijësh. Ka një lloj tendence e cila është e panevojshme. Këtu u lidha pastaj për ta treguar se sa i rëndësishëm ka qenë rrugëtimi im në raport me besimin, thjesht për faktin që kam qenë i lirë”, tha tenori Ramë Lahaj. /KultPlus.com

‘O ku ka si ti o moj Kosova ime, moj shqiponja përmbi gur’ (VIDEO)

“Rrjedhë në këngë e ligjërime” mbetet një ndër veprat kryesore të krijimtarisë artistike shqiptare, shkruan KultPlus.

E kënduar në origjinal nga Vaçe Zela, kjo këngë është një himn për Shqipërinë.

E sjellur në shumë versione, interpretimi i tenorit, Ramë Lahaj mbetet i veçantë.

KultPlus ua sjell videoklipin dhe tekstin e kësaj kënge:

Eh i fortë po shndrit ai diell
dhe burimi këngë, lugjeve i përcjell

Eh i fortë po ngroh ky diell
edhe trimat nëpër mend mi sjell,
mi përkëdhel.

Nga ky zë i tokës sime
flasin shekujt me gjëmime,
edhe besa e shqiptarit shkon
brez më brez.

2x
O ku ka si ti, o Shqipëria ime,
Moj fisnikja përmbi gur.
Rrjedh në këngë e ligjërime,
ballëlartë je me flamur!

Eh i fortë po bien ai tel
e lahuta tingujt mi çon larg,
m’i përcjell.

Eh i forte po bjen ai terr
çlirimtarët nëpër mend mi sjell,
du ti perkdhel.

Nga ky diell i kohës sime
shndrisin shekujt ne agime,
edhe shpata e Kastriotit zjarr
flakeron.

2x
O ku ka si ti, o moj Kosova ime,
Moj shqiponja përmbi gur.
Rrjedh në këngë e ligjërime,
ballëlartë je me flamur!

2x
O ku ka si ti, o moj Kosova ime,
Moj fisnikja përmbi gur.
Rrjedh në këngë e ligjërime,
ballëlartë je me flamur! / KultPlus.com

Koncerti “Nexhmije Pagarusha” sonte në RLIOF, këngët e artistes vijnë të përpunuara në mënyrë tejet origjinale

Rame Lahaj International Opera Festival sonte sjell mbrëmjen e pestë muzikore të titulluar ‘Nexhmije Pagarusha’, përcjell KultPlus.

Këngët e Nexhmije Pagarushës do të vijnë në përpunim tejet të veçantë dhe origjinal, për të zgjuar tek secili prej jush përjetime e momente unike siç vetëm muzika e saj dinte t’i zgjonte.

Artistët që do të interpretojnë në këtë mbrëmje janë: Kaltrina Miftari, Adhurim Grezda, Ardiana Bytyqi, Gerald Murrja, Besarta Murtezani, drejtuar e shoqëruar nga Keli Band.

Koncerti ‘Nexhmije Pagarusha’ mbahet sonte, e Hënë, 31 Korrik, nga ora 20:00 në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare (objekti në afërsi të Institutit Albanologjik). / KultPlus.com

Masterklasa me Maestro Araizën solli mbrëmjen koncertale me talentët e rinj të RLIOF

Zëri i talentëve të rinj, të përzgjedhur nga vetë legjenda e muzikës operistike, Maestro Francisco Araiza, jehoi në mbrëmjen e katërt të Festivalit Rame Lahaj International Opera Festival, është bërë e ditur nga RLIOF.

“Në koncertin e së shtunës mbrëma, publiku shijoi rrugëtimin muzikor që rezultoi nga Masterklasa me Maestro Araizën, i cili ka qëndruar në kryeqytet që nga fillimi i edicionit të 3-të të festivalit operistik, për të ndarë eksperiencën e tij me zërat e së ardhmes.

RLIOF e ka një prej qëllimeve kryesore promovimin e gjeneratës së re dhe ndërlidhjen e tyre me botën. Mbrëmja ‘New Generation’ u dha rastin solistëve nga vende të ndryshme të botës, si Kosova, Shqipëria, Bullgaria, Ukraina etj, që t’i bashkohen misionit tonë.

Koncerti ‘New Generation’ u përmbyll me ndarjen e certifikatave të Masterklases me Maestro Araizën, por udhëtimi i këtyre talentëve nuk mbaron në Prishtinë. Mbështetja e RLIOF për zërat e ‘Gjeneratës së re’ vazhdon edhe pas përfundimit të festivalit”, thuhet në njoftimin e RLIOF!/ KultPlus.com

Me vepra premierë nga artistë të skenave botërore e këngë shqipe, RLIOF mbrëmë solli plotë ngjyra e emocione

Arlinda Hajdaraj

Nata e tretë e ‘RLIOF’ solli pranë vetes tre artistë të huaj, që me veçantinë e tyre artistike i dhanë magji këtij koncerti, shkruan KultPlus.

Me një profesionalizëm të pashoq, treshja e huaj e përbërë nga Leonor Bonilla, Mert Sungu dhe Simon Mechlinski, bashkë me shqiptaren Ardita Bufaj,  bënë të mundur realizimin e një performance të jashtëzakonshme përpara publikut kosovarë.

Talenti, puna, përkushtimi, praktika e dhënia e shpirtit në skenë quan performancën e këtyre artistëve deri tek e ‘përsosura’ që rrallëherë gjendet mes nesh.

Kjo mbrëmje muzikore u nis me zërin e mrekullueshëm të Simon Mechlinski, interpretimi i të cilit dridhi sallën e dha emocionet më të forta në publik.

‘Ah per sempre…’, e Mechlinski-t, ngjalli një përjetim të thellë tek secili pjesëmarrës, duke u dhënë atyre, entuziazmin më të madh për të dëgjuar vëmendshëm edhe interpretimet e tjera pasuese.

Pas duartrokitjeve të forta e brohorimave të pandalshme të publikut, skenës i’u bashkua edhe sopranoja, Leonor Bonilla, një vajzë shumë pozitive që me buzëqeshjen e saj ngjitëse, bëri për vete gjithë pjesëmarrësit, ende pa e filluar mirë shfaqjen.

Përshtypjet e mira të publikut nuk i hodhi poshtë por i lartësoi edhe më shumë me performancën unike të këngës së saj ‘Una voce poco fa’.

Veçantia e shfaqjes nuk përfundoi këtu, pasi ajo erdhi lehtas edhe me bashkëpunimin mes dy muzikantëve, Bonillas dhe Mechlinski, me këngën ‘Pronta io son’. Me veçoritë e stilin unik të të dyve bashkë, u forcua edhe më shumë e i dha drita kësaj nate muzikore.

Pas përfundimit të interpretimit të këngës së përbashkët nga të dy artistët paraprak, skenës së Amfiteatrit të Bibliotekës Universitare, i’u bashkua edhe Mert Sungu. Tenori, Mert Sungu erdhi nga Turqia vetëm për të realizuar këtë interpretim, e që rezultoi të jetë mjaft magjepsës.

Kënga e parë e Sungut, nga të pestat në total, ishte ‘La donna e mobile’, i cili me të parën paraqitje, ndezi flakë publikun në sallë.

Duartrokitjet i stoponte vetëm interpretimi i këtyre artistëve, pasi diçka tjetër nuk i ndalonte dot.

Surpriza më e madhe e kësaj nate solli edhe përmbylljen e koncertit, kur përpara publikut doli edhe njëherë baritoni, Simon Mechlinski, duke kënduar një këngë shqipe.

Kënga ‘Dashnor tu bana’ preku në telat e zemrës audiencën kosovare, duke bërë ata të brohorasin pandalshëm e të duartrokasin furishëm.

Koncerti ishte unik që në fillesë e gjer në mbarim. Secili nga këta muzikantë performuan në skenë me nga pesë këngë.

Leonor Bonilla përpos këngës ‘Una voce poco fa’, këndoi edhe katër këngë të tjera, ‘O luce di quest’anima’, ‘Je veux vivre’ Romeo et Juliette’. Ndërkaq, këngët ‘Pronta io son’ dhe ‘Tornami a dir che m’ami’, i pati në bashkëpunim me Sungun dhe Mechlinskin.

Përpos bashkëpunimeve me njëri-tjetrin, tenori, Mert Sungu këndoi edhe këngët, ‘E serbato questo acciaro’, ‘Me llaman la primorosa’ dhe ‘Non t’amo pio’.

Ndërsa, Mechlinski përformoi me këngët, ‘Votre Toast’, ‘Alla,Alla’ dhe ‘Dashnor tu bana’.

Pas përmbylljes së koncertit, sopranoja me origjinë meksikane, Lonor Bonilla u shpreh e lumtur për pjesëmarrjen në një koncert të tillë dhe se kjo shfaqje për të ka qenë shumë e veçantë, pasi që me këtë shfaqje edhe shkeli për herë të parë në Kosovë.

“Ndihem pafund e lumtur qe jam këtu edhe pse është hera  e parë që ndodhem në Kosovë. Edhe pse për një kohë të shkurtër kam qenë këtu, mezi pres të kthehem përsëri”, u shpreh Bonilla për KultPlus.

Ndërkaq, artisti tjetër, Simon Mechlinski, u ndje pafundësisht i lumtur për koncertin, dhe krahas kësaj edhe për të është hera e parë që ndodhet këtu, në Kosovë.

“Është hera e parë në Kosovë por prapë se prapë më pëlqen shumë. Nesër më duhet të kthehem për në vendlindjen time por nuk do ta lë pa u kthyer prapë për vizitë në Kosovë”, u shpreh Mechlinski.

I pyetur se si ju duk vizita në Kosovë, ai tha që Kosova i pëlqeu shumë dhe përpos vendeve të bukura e njerëzve pozitivë që gjeti këtu, edhe ushqimi ishte fantastik.

Përpos artistëve të huaj që performuan natën e sotme për audiencën kosovare, për KultPlus nuk la pa folur edhe pianistja shqiptare, Ardita Bufaj, e cila e kompletoi skenën me talentin e saj.

Bufaj, fillimisht falënderoi tenorin Ramë Lahaj për ftesën e bërë e më pas doli edhe tek publiku, dhe mikpritjen e bërë nga ta.

“Ne kemi përfunduar koncertin e titulluar ‘Opera Night’ ku unë së bashku me tre artistët e tjerë ishim ftuar sot nga tenori i mirënjohur, Ramë Lahaj, të cilin e shfrytëzoj rastin ta falënderoj shumë. Ndërkohë, mendoj që me duartrokitjet e zjarrta të publikut, ia kemi dalë dhe kemi finalizuar një punë të fuqishme”, përfundoi Bufaj.

Kjo performancë e shkëlqyer me këta katër artistë të mrekullueshëm solli edhe fundin e natës së tretë të këtij koncerti të quajtur ‘Opera Night’.

Kujtojmë që “Ramë Lahaj International Opera Festival” ka nisur me datë 21 korrik dhe do të vazhdojë rrugëtimin deri më datën 31 korrik. / KultPlus.com

RLIOF po vjen me mbrëmjen e tretë muzikore të titulluar ‘Opera Night’

Rame Lahaj International Opera Festival po vjen me mbrëmjen e tretë muzikore të titulluar ‘Opera Night’.

Koncerti ‘Opera Night’ mbahet sonte, e enjte, 27 Korrik, nga ora 20:00 në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare (objekti në afërsi të Institutit Albanologjik).

‘Opera Night’ mbrëmja që i dedikohet tërësisht muzikës së mirëfilltë operistike, vjen në festivalin RLIOF për ta pasuruar programin e festivalit. Në këtë mbrëmje në skenë do të ngjiten solistë të skenave operistike, të cilët për publikun e gjerë sjellin një repertor premierë në pjesën më të madhe të tij.

Këtë herë do të prekim belcantizmin në të gjitha ngjyrimet e tij, përmes zërave të jashtëzakonshëm të sopranos Leonor Bonilla, tenorit Mert Sungu dhe baritonit Simon Mechlinski, shoqëruar në piano nga Ardita Bufaj.

RLIOF mban emrin e tenorit të mirënjohur kosovar, Rame Lahaj, i cili falë eksperiencës dhe namit të tij në komunitetin botëror të operas sjellë para publikut shqiptar emra të mirënjohur të muzikës operistike. Më shumë detaje për festivalin mund t’i gjeni në website-in e RLIOF. / KultPlus.com

Kontratenori i njohur iranian, Cameron Shahbazi sonte me repertor premierë në RLIOF

Rame Lahaj International Opera Festival vazhdon sonte me koncertin e dytë me radhë për këtë edicion, përcjell KultPlus.

I titulluar ‘Ensemble Evening’, ky koncert për protagonist do të ketë kontratenorin e njohur iranian, Cameron Shahbazi.

Koncerti ‘Ensemble Evening’ mbahet sonte, e Martë, 25 Korrik, nga ora 20:00 në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare (objekti në afërsi të Institutit Albanologjik).

‘Ensemble Evening’ në edicionin e 3-të të RLIOF do të sjellë jo vetëm një artist, por mbi të gjitha një histori, një mesazh, një reflektim. Të tilla emocione dhe shumë më tepër se kaq, do t’i dëgjoni të shprehur në timbrin melodik dhe unik të kontratenorit Cameron Shahbazi, gërshetuar me personalitetin e tij të spikatur, i cili i shoqëruar në piano nga Sophia Munoz, sjellë në skenën e RLIOF për gjithë publikun tonë të dashur, një repertor premierë.

Kryefjalë e kësaj mbrëmjeje muzikore është figura e gruas, nënës, motrës, të dashurës, mikes e kujtdo të shenjtë për ne. Përtej çdo sakrificë, vetëmohimi e mundimi, simboli femëror shprehet i gdhendet nga personaliteti i Cameron Shahbazit.

Mbrëmja e dytë muzikore e RLIOF është konceptuar rreth temës së edicionit të sivjetmë ‘Opera për Liri’ (Opera for Freedom), nëpërmjet së cilës festivali i vetëm operistik në vend synon ta shtjellojë idenë e përfshirjes së artit operistik si ndërmjetësues për ta promovuar e mbrojtur lirinë, të drejtat e njeriut dhe ato sociale.

RLIOF mban emrin e tenorit të mirënjohur kosovar, Rame Lahaj, i cili falë eksperiencës dhe namit të tij në komunitetin botëror të operas sjellë para publikut shqiptar emra të mirënjohur të muzikës operistike. Më shumë detaje për festivalin mund t’i gjeni në website-in e RLIOF. / KultPlus.com

RLIOF gati për Gala Mbrëmjen ‘Rame Lahaj & Friends’, biletat po shiten shpejt

Gala Mbrëmja ‘Rame Lahaj & Friends’ ndalet edhe një herë në zemër të Prishtinës, me yjet e operas, përcjell KultPlus.

Programi qëndror i edicionit të 3-të festivalit ndërkombëtar ‘Rame Lahaj’ risjellë para publikut tenorin kosovar të skenave botërore, nën shoqërinë e miqve të tij si: sopranon e njohur Yulia Suleimanova, tenorin Alessandro Safina e baritonin Massimo Cavalleti.

Nën dirigjimin e Pier Giorgio Morandi, shoqëruar nga Filharmonia e Kosovës, në Sheshin Skënderbeu në Prishtinë, ju pret një natë magjike.

Gala Mbrëmja “Rame Lahaj & Friends” nis rrugëtimin e pesë netëve muzikore të Festivalit Ndërkombëtar të Operas.

Biletat për Gala Night Rame Lahaj & Friends po shiten shumë shpejt! Edhe 4 ditë na ndajnë nga koncerti. Siguroje biletën tënde këtu: https://www.rave-travel.com/tickets-en.nspx?eventid=2616 dhe pikat fizike të shitjes. / KultPlus.com

“Rrnofsh sa malet” ekspozita që vjen në kuadër të Festivalit RLIOF

RLIOF është duke shpalosë programin e edicionit të sivjetmë, dhe në kuadër të këtij edicioni do të prezantohet edhe një ekspozitë që ka për qëllim ruajtjen e natyrës, shkruan KultPlus.

Kjo ekspozitë do të prezantohet në Galerinë e Fakultetit të Arteve dhe njoftimin e plotë mbi këtë ekspozitë mund ta lexoni më poshtë.

Rrnofsh sa malet!

Ç’të mbjellësh do të korrësh. “Kultura jonë e përçmon botën.” shkruan Michel Serres duke ju drejtuar qytetërimit perëndimor në veprën e tij të mirënjohur “Kontrata Natyrore”. Në të vërtetë, për shekuj me rradhë, natyra është përdorur si një burim i pashtershëm përfitimi ose si pronë për tu zaptuar dhe për tu këmbyer pastaj sërisht për përfitime. Pasojat nga kjo, shterimi i burimeve të ujit, tokat e ndotura, specie të florës dhe faunës që po zhduken, formësojnë jetën tonë. Bimët dhe kafshët kanë mbetur pothuajse pa frymë në hapësirat urbane të Kosovës. Shumica e peizazheve të bukura të natyrës së egër, janë të ndotura nga mbetjet plastike dhe mbeturinat. Po në këto territore, ka një sërë bimësh endemike si, Solenantë Krasniqi (solenanthus krasniqii) ose çaji i malit (sideritis scardica), të cilat janë në rrezik zhdukje për shkak të veprimtarisë njerëzore dhe zjarreve, përpara se për to, të mblidhen mjaftueshëm të dhëna për database-t botërore.

Çfarë mund të propozojnë praktikat artistike për të ndryshuar këtë prespektivë të zymtë? Imagjinata e nxitur nga pikturat e peizazhit si gjini, mund të na frymëzojë të lidhemi me gjallesat përtej njerëzores nga të cilat rrethohemi dhe të mos nënçmojmë rëndësinë e tyre. Që në lashtësi, pikturat e peizazhit kanë ndikuar fort në mënyrën se si njerëzit vëzhgojnë, lidhen, përvetësojnë dhe imagjinojnë tokën. Qasjet e ndryshme të peizazhit Kosovar, të paraqitura në “Rrnofsh sa malet”, na zbulojnë përjetime herë të grysura e herë shumëngjyrëshe, të provokuara nga këto pamje. Shumë male të Kosovës vazhdojnë të magjepsin artistë të brezave të ndryshëm. Por mbi të gjitha, këto vizione artistike nxjerrin në pah atë çfarë duhet të kultivohet në të ardhmen, një kulturë që vlerëson bashkëjetesën e botës me të gjitha të mirat e saj. Prandaj, ekspozita jonë e Festivalit RLIOF, me tematikën “Opera për Liri” – duke mbështetur betejën e mbrojtjes së mjedisit krahas zgjidhjes së shumë konflikteve njerëzore – vjen me uratën, Rrnofsh sa malet!/ KultPlus.com

Ramë Lahaj publikon datat e “Ramë Lahaj International Opera Festival”

Tenori i njohur Ramë Lahaj që po realizon tash e dy vjet Ramë Lahaj International Opera Festival ka publikuar datat e edicionit të tretë të këtij festivali, shkruan KultPlus

Tashmë është konfirmuar se edicioni i sivjetmë do të zgjasë për dhjetë ditë dhe se edicioni i këtij viti do të mbahet përgjatë muajit korrik.

Data 21 shënon hapjen e këtij edicioni, kurse do të zgjasë deri më 31 korrik.

Ende nuk është publikuar lista e mysafirëve pjesëmarrës, por duke iu referuar edicioneve të shkuara, edhe këtë vit pritet të kemi artistë të njohur të skenave të mëdha operistike./ KultPlus.com

‘Për ty Atdhe, ma të bukurën kangë, me fuqinë e kësaj zemre do të këndoj’ (VIDEO)

“Për ty Atdhe” është një ndër këngët më të bukura që e ka sjell tenori i njohur shqiptar, Ramë Lahaj.

Prishtina, Prizreni, Tirana, Kruja e vendet tjera të dy shteteve shqiptare janë nikoqire të kësaj kënge, teksa përgjatë videoklipit shfaqen motive të kulturës shqiptare, si veshja, plisi dhe shumë elemente të tjera të cilat e kurorëzojnë këtë këngë.

Kënga muzikën e së cilës e kreu Pjetër Gaci, orkestrimin Shpëtim Saraçi dhe me video produksion nga Entermedia, në të gjitha pamjet shfaq dashurinë e një çifti të ri që vizitojnë vende shqiptare dhe praktikojnë tradita tona, teksa përmbyllja e këngës bëhet me propozimin e Lahajt ndaj vajzës pranë monumentit të Skënderbeut.

KultPlus ju sjell në mendje sot, në 15 vjetorin e pavarësisë së Kosovës.

Për ty Atdhe

Për ty Atdhe,
ma të bukurën kangë,
me fuqinë e kësaj zemre do të kendoj,
për këto male,
për këto fusha të gjana,
për këtë vend ku sot i lumtur jetoj.

Për këto male,
për këto fusha të gjana,
për këtë vend ku,sot i lumtur jetoj.

x2
I bukur je,
ngrihesh madhështor,
si një kështjellë e pamposhtur ti qëndron,
në mes dallgësh
shkëmb graniti vigan,
s’u përkule nga çdo stuhi e tufan./ KultPlus.com

Revoltohet Rame Lahaj, reagon për Big Brother: Tmerrohem me nivelin në të cilin kemi rënë dhe çka po i ofrojmë shoqërisë

Rame Lahaj, ka reaguar së fundmi për showin televiziv, “Big Brother”, duke e cilësuar si gërrdi, mjerim, ofendim e analfabetizmin shtëpitë më të “famshme” në Kosovë e Shqipëri, shkruan KultPlus.

Postimi i plotë:

“Gërrdi, mjerim, ofenduese, analfabetizem e po ashtu ndikim shumë i keq në aspektin edukativ, të dyja programet e Big Brother si në Kosovë ashtu edhe ai në Shqipëri. Edhe pse për fat të keq përfaqëson një pjesë të madhe të realitetit tonë shoqëror.

Ndonëse kam pa shumë pak për të bërë ndonjë koment të mirëfillt dhe pa dashur t’i hyj në hak askujt por, ishte mjaftueshme sa për t’u revoltuar e irrituar besa edhe tmerruar me nivelin në të cilin kemi rënë dhe çka po i ofrojmë shoqërisë si programe argëtuese në këtë përiudhë krize që ka përfshirë çdo fushë të jetës, sidomos atë të edukimit e moralit kombëtar.

Ngacmimet seksuale, nënçmimi, përqeshja e përbuzja ndaj gjinisë femrore por edhe ndaj njëri tjetrit janë të pafalshme sidomos nëse i tolerojmë nëpër emisione e programe mediale dhe nuk reagojmë e protestojmë kundër kësaj shëmtie në rritje drastike. Pastaj nëse e tolerojmë s’kemi pse befasohemi kur të njejta sjellje ndodhin ndaj nënave tona, motrave, mbesave dhe shoqeve.

Kam parë shumë MAGARË të estradës kur ngacmimin seksual e demonstrojnë në formë humori dhe argëtimi mbi kurrizin dhe përbuzjen e grave.

Si artist e më shumë si Rame i rritur mbi vuajtjet e gëzimet e kësaj shoqërie do të dëshiroja që lëshime të këtilla së paku të filtrohen e censurohen nëse për asgjë tjetër për hatër të etikës profesionale nëse jo për shkak të asaj që quajmë kulturë, virtut e moral kombetar.

Përiudha në të cilen po jetojmë është mjaftueshëm e rrezikshme, ekseprimentale e sidomos internetit ka shumë ndikim tek secili prej nesh andaj kishte me qenë investim kombëtar për shoqëri sa më të shëndoshë nëse do të kishte më shumë kujdes rreth përmbajtjes mediale. Po ashtu na duhet ndërgjegjësim duke filluar nga shkollat fillore.

Kemi nevojë më shumë se kurrë për programe që për bazë kanë edukimin e jo degjenerimin.

Po e shkruaj këtë status jo me shpresën se do të ketë fuqi për të ndryshuar diçka por, për ta lehtësuar veten me idenë se kam dhënë kontributin tim qytetar duke reaguar si individ ndaj këtij fenomeni degjenerues. Madje e di se ka shumë njerëz të cilët mendojnë si unë dhe bashkë kemi ngritur zërin kundër këtij trendi e fenomeni të shëmtuar të kësaj kohe.

P.S. respektoji gratë mos i nënçmoni!”, thuhet në shkrimin e tij. /KultPlus.com

Tenori Rame Lahaj e nis vitin me dy koncerte në Anakara dhe Stamboll

Tenori Rame Lahaj është mjaft aktiv në jetën e tij profesionale, duke shëtitur kështu nëpër teatro gjithandej nëpër botë.

Këtë vit, Tenori shqiptar do ta nis me dy koncerte, në Ankara dhe Stamboll.

9 dhe 11 janari, teanorin Lahaj do ta gjejë në skenën bashkë me artistët e mrekullueshëm Murat Karahan dhe Alvazer.

Në njoftimin e tij në rrjetet sociale, Lahaj ndër të tjera shprehet që për të është kënaqësi e madhe që do të ndajë skenën me këtë artistë.

“Të dashtun miq e adhurues të operas,

Këtë vit po e filloj me koncertin e 3 Tenoreve në Turqi, me ftesen e Limak Orkestra dhe mikut tim Murat Karahan. Kënaqesi e madhe t’a ndajë skenën me dy artistë të mrekullueshëm si Karahan dhe Alvarez.

Për të gjithë ju që ndodheni në Turqi, koncerti i parë i 3 Tenoreve do të jetë në Ankara më 9 Janar, dhe në Stamboll më 11 Janar 2023.

Mirupafshim së shpejt për të festuar, për një fillim sa më të mbarë të vitit 2023 për të gjithë ne”, shkruan Lahaj. / KultPlus.com

Gëzim Myshketa dhe Ramë Lahaj shfaqen në ‘OperaVision’ me operën ‘Rigoletto’

Gëzim Myshketa dhe Ramë Lahaj do të bëhen bashkë në skenën për të performuar operën ‘Rigoletto’, ku Myshketa vjen me rolin e Rigolettos ndërsa Lahaj me rolin e Dukës, përcjell KultPlus.

Lajmin e ka bërë të ditur baritoni shqiptar Gëzim Myshketa përmes një postimi në Facebook.

Në vijim gjeni postimin e plotë të Myshketës
Super Lajm, ‘Rigoletto’, kryeroli të cilin e interpretova vitin e shkuar do të shfaqet në OperaVision – televizioni operistik i Evropës me dt 1 Janar 2023 ora 15**

Në rolin e Dukës një tjetër Artist Shqiptar Rame Lahaj./ KultPlus.com

Ramë Lahaj pjesë e kauzës humane në Pakistan, mbledhen fonde për të ndihmuar familjet e prekura nga vërshimet ujore

Tenori i njohur kosovar, Ramë Lahaj së fundmi ka qenë në Pakistan ku edhe ka shkuar për një kauzë humane, për të mbledhur fonde për të ndihmuar familjet e prekura nga vërshimet ujore, përcjell KultPlus.

Ai e cilëson këtë nismë të Ambasadës Italiane, si shumë të çmuar, me ç’rast ka uruar që këto të jenë fatkeqësitë e fundit natyrore në Pakistan.

Më poshtë gjeni statusin e plotë të tij:

Në Pakistanin e vuajtur të cilin e ndjej thellë, për rrugëtimin e tij! Me kënaqësi erdha për një kauzë kaq humane për të mbledhë fonde për të ndihmuar familjet e prekura nga vërshimet ujore. Një nismë shumë e çmuar e Ambasadës Italiane, z. Andreas Ferrares në bashkëpunim me Serena Hotels në Islamabad. Urojmë të jenë të fundit këto fatkeqësi natyrore për Pakistanin. Ju bekoftë Zoti të gjithëve! / KultPlus.com

Ramë Lahaj: Nanush ti jeton e do jetosh përherë me ne e mes nesh (VIDEO)

Tenori Ramë Lahaj, i cili përgjatë edicionit të parë të Festivalit RLIOF kishte humbur nënën, i ka dedikuar një mesazh nënës së tij. KultPlus ju sjell të plotë dedikimin e Lahajt.

“Nanush ti jeton e do jetosh përherë me ne e mes nesh,sepse je zëri e motivi i çdo dite të mirë e të keqe! Je me ne në çdo frymëmarrje, kënga e zëri yt janë ushqimi e frymëzimi jonë i përditëshëm.”

Bashkëngjitur gjeni këngën e kënduar në kujtim të saj. / KultPlus.com

Margariti me tenorin Ramë Lahaj: Bashkëpunim me fokus talentet e reja

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti zhvilloi një takim me yllin e operistikës botërore, tenorin Ramë Lahaj.

Në një postim në rrjetet sociale, ministrja shprehet se gjatë takimit të ngrohtë, u ndanë ide bashkëpunimi, të cilat do të kenë në fokus talentet e reja.

“Shpresojmë që shumë shpejt ta shohim Ramën, në skenën tonë”, u shpreh Margariti.

Ramë Lahaj ka lindur në Istog të Kosovës, më 1983, në një familje  me 8 fëmijë dhe që s’kishte asnjë lidhje me muzikën. U diplomua fillimisht për IT duke e nisur karrierën muzikore në moshë madhore.  Është diplomuar në 2008 në Akademinë e Arteve në Tiranë, për t’u bërë më pas pjesë e skenave të ndryshme europiane. Në 2015-ën karriera e Ramë Lamaj pati sukses të jashtëzakonshëm me rolet kryesore në Operën e Sidnejt, Australi.

Tenori Lahaj ka ngritur një fondacion me qëllim promovimin dhe kultivimin e muzikës së mirëfilltë në vend, gjetjen e talenteve të reja, zhvillimin e tyre dhe po ashtu hulumtimin dhe perfeksionimin mbi muzikën në përgjithësi dhe këndimin operistik në veçanti.

Ramë Lahaj ka shfrytëzuar njohjen e tij në arenën ndërkombëtare, për të çuar në Prishtinë, mjeshtra të muzikës nga e mbarë bota, në masterclasset, duke krijuar ura lidhëse mes artistëve të rinj dhe atyre në karrierë. / atsh / KultPlus.com

“Ramë Lahaj & Friends” mblodhi mbrëmë yjet e mëdhenj botërorë për të përthekuar magjishëm edicionin e dytë të RLIOF

Uranik Emini

Opera ka pësuar ndryshime të vazhdueshme nëpër vite, që nga krijimi i saj në shekullin e 16-të, duke arritur që të bëhet një stil gjithëpërfshirës i artit të cilin e njohim sot. Teksti, i njohur sikurse “libretto”, muzika, këndimi dhe vënia në skenë janë disa prej pjesëve thelbësorë të një opere. Të gjitha këto u vënë bashkë në mënyrë magjike për të shpalosur madhështinë e edicionit të dytë të “Rame Lahaj Opera Music Festiva”, shkruan KultPlus.

Në opera përshkruhen të gjitha ndjenjat njerëzore. Tre temat kryesore të saj janë shpesh dashuria, tragjedia dhe vdekja. Njerëzit ndeshen me rrethana të jashtëzakonshme dhe tërhiqen nga emocionet e tyre të shtuara, shpesh të ndarë midis impulseve dhe detyrimeve të tyre. Të gjitha ekstremet janë të mundshme, duke përfshirë dashurinë me shikim të parë, vetëmohimin, magjepsjen, trimërinë, vetëvrasjen dhe vrasjen. Disa personazhe ndëshkohen për veprimet e tyre, ndërsa të tjerë gjejnë falje ose pendohen dhe herë pas here arrihet një përfundim i lumtur!

Mbrëmë në sheshin “Skënderbeu”, fundi, përveç gëzimit, i mërziti të pranishmit që po shijonin këtë festival të Rame Lahajt, i cili kishte mbledhur miqtë e tij me famë botërore, për t’i sjellë në Kosovë dhe për t’u dëshmuar se Kosova ka një histori të jashtëzakonshme.

© Arben Llapashtica

I pari për të hapur këtë mbrëmje padyshim që ishte Lahaj, i cili mes tjerash u uroi mirëseardhje të pranishmëve, të cilin ishin në numër të madh.

“Ju falënderoj shumë të gjithëve që keni ndarë kohë për të ardhur këtu dhe për të shijuar këtë ambient. Dua të them se kjo do të ishte e pamundshme pa miqtë e mij, të cilën e bënë të mundur këtë festival. Kemi soprano që kanë udhëtuar 15-16 orë për të ardhur në Kosovë dhe për të performuar këtu. Ndërkaq, planet kanë ndryshuar dhe ka pësuar ndryshim edhe pjesa e performancave”, thotë Lahaj, duke shpjeguar se sopranoja Pretty Yende ka ardhur si rezultat i infektimit me COVID-19 të yllit, Angela Gheorghiu.

Lidhjet e hershme të karrierës mund të jenë përcaktuese për jetën.

“Ramë Lahaj & Friends” mblodhi yjet e mëdha botërore duke filluar nga sopranot e famshëm: Pretty Yende, Anna Bondarenko, Maestro Jean Bernard Thomas, ndërsa Franco Vassallo si bariton, të gjithë të udhëhequr nga dirigjenti dhe miku i kahmotshëm i Ramës, Valerio Galli.

Dirigjenti Maestro Valerio Galli shfrytëzoi fuqinë e tij të jashtëzakonshme sugjestive të muzikës për të hapur në mënyrë të suksesshme natën Gala dhe për të krijuar në anën tjetër atmosferë të veçantë me veprën “Nabucco”, në koordinim total me Filharmoninë e Kosovës, për të cilët Rama ishte shumë falënderues.

© Arben Llapashtica

“Përtej universit”

Mehmet Murat Ildan ka thënë se nëse doni të përjetoni diçka përtej universit, duhet të shkoni në opera. E këtë për publikun e solli tenori tanimë me famë botërore, Rame Lahaj, me veprën “La Boeheme”, duke shprehur emocione të papërshkrueshme dhe portretizimin total të karakterit të tij.

© Arben Llapashtica

Zë unik e paraqitje briliante

Radhën për të ngjitur skenën e kishte Pretty Yende, një mike e cila ishte e pranishme për Ramen në momentin kur ky kishte më së shumti nevojë. Paraqitja e saj ishte briliante dhe kaloi pritshmërinë e të gjithëve, me ç ‘rast u përcoll me shumë duartrokitje.

© Arben Llapashtica

Forma e artit total

Pas disa veprave solo, Franco Vassallo me Rame Lahaj, bashkuan aftësitë dhe ekspertizën e tyre për të krijuar formën e artit total, ashtu siç edhe përshkruhet shpesh herë opera.

“Nexhmija e madhe”

Që kur ka filluar karrierën e saj muzikore, Erza Muqolli ka pasur përkrahje të vazhdueshme nga tenori Lahaj. Këtë gjë e ka dëshmuar edhe në koncertin e parë, atëherë kur Muqolli ishte prezente. Gjatë prezantimeve të shkurtëra të cilat Lahaj i bënte për njerëzit që po performonin, ai tha për Erzën se është “Nexhmija e madhe”. Të dy performuan bashkë këngën “O moj bukuroshe”.

Opera është në thelb një lloj tregimi vokal dhe muzikor.

Sopranoja nga Ukraina, Anna Bondarenko rrënqethi publikun e pranishëm me performancën e saj. Opera, në thelbin e saj, është një mënyrë për të treguar një histori përmes muzikës dhe këndimit.

Fotografi nga profili i Përparim Ramës

Qershia mbi tortë

Bashkëpunimi i Korit të Zërave të Bardhë “Okarina” dhe Rame Lahajt, të cilët njëzëri performuan këngën “O moj e bukura Arbëri”, ishte pikërisht ajo që i dha kësaj mbrëmje bukurinë dhe shkëlqimin e duhur.

Fotografi nga profili i Përparim Ramës

Lulëzimi përfundimtar

Për të mbyllur në mënyrën më të mirë të mundshme, Rame Lahaj ftojë të gjithë miqtë në skenë dhe të gjithë bashkë e dërguan publikun nga realiteti i përditshëm në një botë e në një dimension tjetër, ku muzika dominon.

***

Në një prononcim për KultPlus, Maestro Jean Bernard Thomas, njoftoi se është hera e parë që po vjen në Kosovë dhe është i lumtur e i befasuar nga numri i talentëve që Kosova ka.

“Jam shumë i befasuar dhe i lumtur që Kosova ka kaq shumë talentë, unë kalova disa ditë me ta dhe u befasova. Shpresoj që një ditë të kthehem dhe të jap edhe më shumë kontributin tim”.

Janë bërë shumë vite që punojmë bashkë me Ramen, mund të them që ne punojmë çdo ditë përkundër faktit që nuk jemi afër me njëri tjetrin. E bëjmë këtë gjë, çdo ditë përmes rrjeteve sociale. Ju duhet të mësoni çdo ditë dhe të mos ndaleni asnjëherë.

Thomas u befasua nga mikpritja e njerëzve në Kosovë dhe njoftoi se do të flas për Kosovën vazhdimisht, kudo që të jetë.

“Njerëzit janë shumë të sjellshëm dhe të mirë këtu, është e jashtëzakonshme se sa të thjesht janë njerëzit këtu. Ejani në Kosovë. Ata janë njerëz të hapur dhe të sjellshëm. Janë njerëzit më të mirë që i kam parë ndonjëherë në jetën time sa i përket sjelljes. Njerëzit këtu duan të bëjnë diçka, duan të bëhen dikush dhe kjo gjë më lumturon mua. Tani unë do të flas për Kosovën ngado që të shkoj”/

Fotografi nga profili i Përparim Ramës

Anna dhe Ninna Krasniqi, anëtaret e korit “Okarina” u shfaqën teper të lumtura pas koncertit.

“Ishte një ndjenjë e mrekullueshme. Të performojmë bashkë me një emër sikurse Rame Lahaj është gëzim i madh dhe shpresojmë që të vazhdojmë sukseset tona”.

FOTO: KultPlus

Ndërkaq, edhe e pranishme në këtë mbrëmje ishte edhe sopranoja Marigona Qerkezi, tha për KultPlus se ishte me të vërtet një mbrëmje magjike.

“U kënaqëm sonte dhe me të vërtet ishte një natë magjike. I përgëzoj të gjithë organizatorët, me Ramën në krye, i uroj një jetëgjatësi festivalit me suksese të njëjta dhe më të mëdha se ky. Festivalet e tilla i duhen edhe më shumë Kosovë”, tha Qerkezi, duke shtuar edhe një herë pjesën se gjithçka ishte e mrekullueshme.

Opera ofron një përvojë të përbashkët, multikulturore dhe magjepsëse që bashkon artin me virtuozitetin, fuqinë, epikën dhe personalen, derisa ajo vazhdimisht po e ripërcakton veten si “ekspozita” më e madhe në botë e arteve interpretuese e potencialit njerëzor. /KultPlus.com

Fotografi nga profili i Përparim Ramës

Ramë Lahaj: Festivali RLIOF ia kam dediku nanës së ndjerë

Dje është mbajtur nata gala e festivali “Ramë Lahaj International Opera Festival”, shkruan KultPlus.

Përmes një postimi në “Facebook”, Lahaj ka bërë të ditur se këtë festival i ka dedikuar nënës së ndjerë.

Postimi i plotë:

“Festivali RLIOF asht festivali të cilin ja kam dediku nanës së ndjerë, ndaj pavarësisht vështirësive që hasim në procesin e ngritjes së tij, unë ju premtoj se do të vij çdo verë me ju përqafu nga skena, për dashninë e respektin që ma keni dhanë këto vite. I juaji, Rame”, thuhet në postimin e tij. /KultPlus.com

FOTO: Arben Llapashtica

Ramë Lahaj: Koncertit ‘Rame Lahaj and friends’ do t’i bashkangjitet sopranoja Pretty Yende

Tenori Ramë Lahaj ka njoftuar se në koncertin përmbyllës së festivalit ‘Rame Lahaj International Opera Festival’ do të jetë e ftuar edhe sopranoja e njohur, Pretty Yende, përcjell KultPlus.

Postimi i plotë:

Miq,

Po e ndaj një lajm shumë të gëzueshëm me juve: një mike imja e vjetër, një artiste e rrallë e shumë unike, sopranoja Pretty Yende, do t’i bashkangjitet RLIOF në natën Gala ‘Rame Lahaj and friends’, me 31 korrik, në ora 20:30 në Sheshin Skenderbeu në Prishtinë.

Yende është një soprano e jashtëzakonshme, e cila me shpejtësi arriti majat e karrierës së saj operistike duke u shndërruar kështu në një prej yjeve më të njohura në botën operistike.

Ajo do të jetë për herë të parë në Prishtinë. Na nderon tej mase përgjigjja e saj pozitive ndaj festivalit, anipse në momentin e fundit.

Në anën tjetër, me shumë keqardhje ju njoftojmë se sopranoja Angela Gheorghiu nuk është në gjendje të mirë shëndetësore dhe e ka të pamundun me udhëtu për në Kosovë, ku edhe po e planifikonte debutimin e saj në festivalin tonë.

Ky është mesazhi i Angelas për miqtë e festivalit RLIOF : ‘Dua t`i uroj të gjithë ata që kanë punuar për ta organizuar këtë koncert. Për arsye shëndetësore nuk do ta kem të mundur udhëtimin në Kosovë kësaj radhe, por shpresoj të jem në mesin tuaj dhe afër mikut dhe kolegut tim Rame Lahaj, edicionin e ardhshëm’. RLIOF Angelës i dëshirojmë shërim të shpejtë.

Ndërsa unë pres me padurim ta ndaj skenën me sopranon Pretty Yende dhe me artistët tjerë, miq të mi e të festivalit prej vitesh si: Valerio Galli, Franco Vassallo, Jean Bernard Thomas, Erza Muqolli, Anna Bondarenko, të gjithë të shoqëruar nga e mrekullueshmja Orkestra e Filharmonisë së Kosovës dhe Kori i Fëmijëve ‘Okarina.

Shihemi nesër miq

Rame Lahaj dhe ekipi i RLIOF./ KultPlus.com

Mbrëmja Gala  ‘Rame Lahaj & friends’, nesër mbahet konferencë për media

Rame Lahaj International Opera Festival ka njoftuar se nesër do të mbahet një konferencë për media në të  cilën do të diskutohet rreth natës Gala të festivalit.

Konferenca do të mbahet nesër, më 31 korrik, prej orës 12:30, në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare të Kosovës.

Të pranishëm në konferencë do të jenë, Rame Lahaj – Tenor, Përparim Rama – Kryetar i Prishtinës, Valerio Galli – Dirigjent, Pretty Yende – Soprano, Franco Vassallo – Bariton, Jean Bernard Thomas – Tenor, Erza Muqolli – Këngëtare, Anna Bondarenko – Soprano, Ulpiana Aliaj – Koordinatore artistike e festivalit./ KultPlus.com

Talentët e rinj performojnë në koncertin ‘New generation’ në ‘RLIOF’, Jean Bernard Thomas: Do të ndërtojmë një shkollë lirike në Kosovë

Flonja Haxhaj

Talentët e rinj, ata që janë në fillim të karrierës dhe ata që tashmë kanë vendosur hapat e parë në fushën e operës, mbrëmë patën mundësinë të performojnë në koncertin ‘New Generation’ si kurorëzim i punës një-javore në punëtorinë e mjeshtrit të zërit, Jean Bernard Thomas, i cili njëherësh punon edhe më zërin e Ramë Lahaj, përcjell KultPlus.

E për të folur për punën e tij me talentët e rinj shqiptarë, me të cilët punoi përgjatë këtyre ditëve, në qendër të skenës u ftua, Jean Bernard Thomas, i cili përveç që vlerëson lart talentët, flet edhe për mikpritjen e vendasve në këto ditë të qëndrimit të tij në Kosovë.

“Unë nuk e flas gjuhën tuaj por unë jam shumë i lumtur që jam këtu dhe i ftuar nga Ramë Lahaj, për të parë se si është Kosova sepse më herët kam dëgjuar për këtë vend, ndoshta kisha krijuar përshtypje të gabuara sepse njerëzit më flisnin, dhe tani unë e njoh Kosovën dhe mund të flas për Kosovën. Jam vërtet i surprizuar që në këtë vend kaq të vogël nuk ka asnjë ndryshim me Parisin apo me Milanon, por ndryshimi me njerëzit këtu mendoj që është në zemrën tuaj, jeni njerëzit më të sjellshëm në gjithë botën”, tha Bernard Thomas në fillim të fjalimit të tij.

Tutje ai shtoi se ka parë një potencial të madh gjatë shtatë ditëve në të cilat ka punuar më artistët e rinj në këtë festival.

“Unë mund ta ndjej këtë tek ata njerëz që duan ta bëjnë operën profesion të tyre, duke provuar të gjitha nivelet si nivelin e lartë, të mesëm dhe të ulët duke e dashur muzikën me gjithë zemrën e tyre dhe për këtë jam shumë i lumtur që Rama më tha të vij këtu në Kosovë disa herë, sepse këtu ka shumë talentë”, shtoi ai teksa vazhdoi se i ka shijuar shumë ditët e tij këtu.

Ndërkaq ai dha edhe lajmin se duke parë kapacitetin e artistëve këtu, shkollën lirike të cilën supozohej ta ndërtonte në Itali do ta zhvendosë dhe do ta ndërtojë në Kosovë, në atë mënyrë që t’u japë më shumë mundësi atyre që duan ta zhvillojnë edhe më tutje këtë profesion.

E ky lajm i tij u pasua me shumë duartrokitje në publik, e më pas ju dha mundësia artistëve të rinj të performojnë veprat e përzgjedhura.

Koncertin, i pari e filloi Harris Bajraktari me ‘Notte e giorno faticar’ të gjeniut të muzikës, Wolfgang Amadeus Mozart, duke u përcjellur më pas nga Urta Haziraj me operën ‘Lámero, saro costante’ të po të njëjtit kompozitor.

Koncerti vazhdoi edhe me artistët e rinj, Bledar Domi, Anna Tafani dhe Shaban Behramaj të cilët, njëri pas tjetrit interpretuan operat, ‘Il lacerato spirito’ të Giusepe Verdit, ‘Oh! Quante volte’ të Vincenzo Bellinit dhe ‘Caro Mio Ben’ të Tommaso Giordani.

‘New generation’ vijoi me sopranon, Kaltrina Miftari, e cila në minutat e fundi është bindur nga maesto Jean Bernard Thomas për të dalë në skenë. Ajo interpretoi operën ‘Donde lieta usci’ të Giacomo Puccinit, përcjellë nga sopranoja Gesu Zefi, e cila solli para publikut të ‘RLIOF’ operën ‘L’altra notte in fondo al mare’ të Arrigo Boitos. 

Më pas, tenori shqiptar, Gerald Murrja performoi ‘Dalla sua pace’ të Mozart. ‘Je veux vivre’ e kompozitorit francez Charles Gounod erdhi për publikun nga sopranoja italiane, Chiara Salerno. Ndërkaq, në vijim u interpretua opera ‘Caro nome’ e Verdit, operë kjo e sjellë nga sopranoja Rovena Xhelili, për të vazhduar më pas me ‘O isis und Osiris’ të cilën e interpretoi Xheildo Hyseni. E krejt në fund në skenë u ngjit sërish sopranoja Kaltrina Miftari e cila solli operën ‘Un bel di, vedremo’.

 E për ta përmbyllur në mënyrën më të mirë të mundshme, të gjithë artistët së bashku, sollën një interpretim rrëqethës të këngës ‘Rrjedh në këngë e ligjërime’, këngë kjo që ngriti në këmbë publikun, të cilët i shpërblyen me duartrokitje të gjata. 

Më pas, në skenë u ngjit i pari i këtij festivali, Ramë Lahaj, i cili përveç që falënderoi të gjithë ata që kanë punuar gjatë këtyre ditëve të festivalit, e sidomos maestron Bernard Thomas, zbuloi edhe befasinë e mbrëmjes, atë të ardhjes së një ndjekësi të madh të tij nga Shqipëria.

Elvis Kalemi, edhe pse për arsye të ndryshme nuk mundi të jetë pjesë në mesin e artistëve të përzgjedhur, atij ju dha mundësia të këndojë në skenë e më pas duke ju bashkëngjitur edhe vetë Jean Bernard Thomas.

“Elvisi nuk është selektu me këndu, por mua më ka bërë përshtypje një gjest i tij, edhe pse ai nuk është selektu në fund kur ai e merr vesh, i sjell profesorit një dhuratë, është thjesht një pije, për ta falënderuar atë për gjithë punën gjatë këtyre ditëve”, u shpreh Lahaj, duke i liruar më pas skenën vetë Elvisit, i cili më pas përçoi emocione të mëdha në publik.

I pranishëm në mesin e publikut që kishin ardhë për ta shijuar këtë mbrëmje ishte edhe këshilltari në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Liburn Jupolli, i cili për KultPlus tha se ardhja e mjeshtrit të zërit, Jean Bernard Thomas, është një vlerë e shtuar jo vetëm për “Rame Lahaj International Opera Festival’ por për gjithë komunitetin e muzikës.

“Në vazhdën e gjithë zhvillimeve që po ndodhin në vend duke përfshirë edhe edicionin e dytë të mahnitshëm me program të ‘RLIOF’, në të njëjtën kohë edhe në zhvillimet që po ndodhin me zhvillimin e institucionit më të ri në vend, atë të Operës së Kosovës, Jean është një prurje shumë e mirë dhe një mik i ri shumë i mirë për të gjithë komunitetin tonë artistik dhe për të gjitha institucionet e muzikës”, tha Jupolli.

Ai më tutje komentoi edhe idenë e Bernard Thomas për ndërtimin e shkollës lirike në Kosovë duke vlerësuar se do t’i ndihmonte komunitetit të operës në Kosovë.

“E para njëherë si ide është shumë e mirë, çfarëdo iniciative që shkon drejt edukimit të gjeneratave të reja sidomos në opera është shumë e vlefshme, kështu që një kontribut i tillë do të ishte shumë i mirëpritur sidomos kur vjen prej profesionistëve të kalibrit të maestros. Kështu që është diçka që e mirëpresim, jo vetëm si ministri e Kulturës por po besoj që është e mirëpritur nga i gjithë komuniteti dhe do ishte një kompliment besoj interesant dhe i mirë ndaj shkollës e cila vetëm se ekziston në Universitetin e Prishtinës”, përfundoi Jupolli për KultPlus.

Pas përfundimit të koncertit foli edhe sopranoja Urta Haziraj, e cila shprehet tejet e kënaqur për pjesëmarrjen e saj në këtë mbrëmje dhe për përzgjedhjen e saj në mesin e të gjithë atyre që kishin marrë pjesë në punëtori.

“Ka qenë një natë shumë e bukur, një koncert me vepra tejet të vështira teknikisht, gjë me të cilën kemi punuar me maestron. Jam ndje jashtëzakonisht mirë, kjo është një mundësi shumë e mirë për secilin nga ne që kemi marrë pjesë. Me maestron kemi punuar për një javë dhe përgjatë këtyre ditëve kemi punuar teknikisht nga ora 10 deri në orën 18:30 varësisht nga numri i pjesëmarrësve. Normalisht ka qenë edhe pak e lodhshme duke e marrë parasysh që kemi punuar me një teknikë krejtësisht të re, por në fund u korr me një sukses te madh”, u shpreh Haziraj. 

Ndërkaq Shaban Behramaj, falënderon festivalin ‘RLIOF’ për mundësinë e dhënë për të punuar me një profesor operistik të këtij kalibri.

“Unë kam kaluar jashtëzakonisht mirë, kam mësuar gjëra të reja për të cilat jam shumë falënderues dhe kjo natë ishte kurorëzimi i punës tonë të përbashkët me profesorin dhe pa diskutim që është një kënaqësi shumë e madhe edhe pse koha prej një jave është shumë e shkurtë me i realizu ato që profesori ka kërkuar nga ne, por jemi munduar maksimalisht që punën që e kemi bërë gjatë kësaj jave për çdo ditë me e shpërfaq sonte para publikut”, u shpreh Behramaj për KultPlus, duke shtuar më tutje që ndjehet tejet i lumtur për përzgjedhjen e tij për të performuar në këtë mbrëmje.

Tutje për KultPlus foli edhe Anna Tafani, e cila kishte ardhur nga Australia, atje ku jeton dhe vepron, për të marrë pjesë në këtë punëtori, e ftesë kjo e cila fillimisht i ka ardhur nga vetë presidenti i këtij festivali, Ramë Lahaj.

“E vlerësoj tej mase shumë sepse ka qenë një eksperiencë shumë e bukur, kemi mësuar shumë, punëtoritë kanë qenë intensive në gjithë javën dhe maestro ka punuar nga ora 10 e mëngjesit, deri në 7 të mbrëmjes dhe gjithsecili ka pasur kohën e vetë që të mësonte, ne kemi mësuar shumë edhe duke dëgjuar të tjerët dhe performanca e sotme ishte rezultat i gjithë punës që kemi pasur. Jam shumë e lumtur dhe jam shumë krenare dhe për Ramën dhe për gjithë ekipin që kanë marrë këtë iniciativë sepse është shumë e rëndësishme për të gjithë artistët e rinj të kenë këtë mundësi që të punojnë me një mjeshtër zëri nga jashtë dhe të kenë mundësi të performojnë para publikut”, deklaroi Tafani, e cila më pas tha se është një kënaqësi shumë e madhe dhe ndjehet tejet falënderuese sepse ishte një koncert shumë i bukur dhe i ndjeshëm për të.

Kurse sopranoja, Kaltrina Miftari, tha se punëtoritë e tilla janë shumë të leverdishme për artistët në Kosovë dhe festivali ‘RLIOF’ po bën një punë shumë të mirë në këtë aspekt.

“Për mua ka qenë shumë frytdhënës bashkëpunimi me maestron Jean Bernard Thomas gjatë gjithë javës qe e lamë pas. Si artiste me pervojë të gjatëe në skenë, mendoj që asnjëherë nuk duhet të mendojmeë se mesimi përfundon ndonjëherë sidoms në muzikë. Një artist i vërtetë është gjithmonë në kërkim të njohurive dhe eksperiencave të reja”, u shpreh Miftari për KultPlus.

Ndërkaq, ‘Rame Lahaj International Opera Festival do të përmbyllet me mbrëmjen gala më 31 korrik në sheshin ‘Skëndërbeu’ në Prishtinë, e ku do të performojnë artistë të njohur vendorë e ndërkombëtarë./ KultPlus.com

Foto: Rame Lahaj Opera International Festival

Lahaj: Tash e një javë studentët fatlumë kanë qenë nën mësimin e mjeshtrit Jean Bernard Thomas, ai është ‘fajtor’ për natën e sotme

Sonte në festivalin ‘Rame Lahaj International Opera Festival’ do të mbahet koncerti i radhës, përcjell KultPlus.

Në këtë mbrëmje do të bëhet prezantimi i studentëve të cilët përgjatë këtyre ditëve të festivalit kanë pasur mundësinë të punojnë me mjeshtrin e vokalit Jean Bernard Thomas.

Ramë Lahaj ka ftuar artdashësit ta ndjekin këtë festival duke falënderuar Bernard Thomas për puënn e tij gjatë këtyre ditëve.

Postimi i plotë:

ash e një javë, studentët fatlumë të festivalit kanë qenë nën mësimin e mikut tonë Jean Bernard Thomas. Mjeshtri ynë i vokalit është ‘fajtor’ për natën e sotme, ku talentet e reja do të performojnë pasi kanë përcjellë klasat e Jean Bernard Thomas dhe janë përzgjedhur nga vetë ai, një profesionist i fushës dhe një artist me vokal të jashtëzakonshëm. E falenderojmë shumë për angazhimin e tij të palodhur e të vazhdueshëm që nata e sotme të ketë një repertor të mrekullueshëm.

Ju presim sonte!./ KultPlus.com