Neuropsikiatri Afrim Blyta u drejtohet me një letër liderëve: A keni fytyrë, ndërgjegje, njerëzi

Doktori Afrim Blyta, i doktoruar në fushën e neuropsikiatrisë, ua ka shkruar një letër politikanëve të Kosovës, ku ka shprehur mllefin e tij për situatën në të cilën gjendet Kosova.

Blyta thotë se gjendja në të cilën ndodhet Kosova nuk është përgjegjësi e qytetarëve pasi ata mund të jenë të papërgjegjshëm.

Letër e hapur “liderëve” politikë të Kosovës,

”Jam dëshmitar, si edhe të gjithë qytetarët e Kosovës, nëpër çfarë situate po kalon vendi dhe njerëzit e saj. Vuajtje, dhembje, pikëllim i pa fund, i mijëra e mijëra bashkëkombësve. Parehati, shqetësim, ankth, frikë, zemërim i shumicës absolute të mbetur. Jemi në mes të sfidës e cila lëkundë themelin e ekzistencës fizike, si dhe kërcënon të ardhmen e vendit.

Jam dëshmitar, si edhe të gjithë qytetarët e Kosovës, edhe për fjalët dhe veprimet e “liderëve” të saj.

Dhe po provoj, si njeri, mjek, profesionist i shëndetit mendor, mësimdhënës, me afër katër decenie përvojë, të kuptoj sjelljet e juaja si “lider”. Nuk ka vend në të cilën mund të ju kategorizoj, kjo del jashtë kapaciteteve të mija intelektuale.

Ndoshta po pyetni pse “lider”, sepse lider është, njëjtë si prindi, person i cili kujdeset dhe është në kontrollë të personit tjetër, grupit, vendit ose situatës. Fatkeqësisht, për të gjithë ne, ju lider nuk jeni. Ju jo vetëm që nuk kujdeseni, por edhe nuk jeni në kontrollë të asgjë tjetër përveç interesave personale dhe grupeve të vogla rreth jush dhe në kontrollë të shërbëtorëve të cilët nuk janë asgjë tjetër por makina votimi të kapura peng nga interesat vetjake.

Nuk është përgjegjësi e qytetarëve të Kosovës situata në Kosovë. Qytetarët mund të jenë edhe të papërgjegjshëm, si mund edhe fëmija të jetë i papërgjegjshëm. Por përgjegjësia për situata jashtë kontrollit i bie prindërve dhe liderëve. Liderët, janë ata që me veprime të duhura, të drejta, të pakushtëzuara nga interesi personal ose i partisë i bëjnë qytetarët e papërgjegjshëm të përgjegjshëm. Liderët, si edhe prindërit, pas lutjes së pasuksesshme të korrigjohet sjellja e papërgjegjshme, kanë jo vetëm obligim, por edhe detyrim të veprojnë dhe atë në interes të fëmijës dhe të qytetarit, jo të vetin, për këtë janë prindër ose lider.

A jeni në rregull? Çfarë halle keni? A jeni dehur nga pushteti dhe përfitimet materiale? A keni fytyrë, ndërgjegje, njerëzi? A nuk mund të bashkëpërjetoni dhembjen, vuajtjen, humbjen e bashkëqytetarëve. A jeni të vetëdijshëm dhe të ndërgjegjshëm në çfarë situate gjendet vendi? A nuk mund të parashikoni çfarë mund të ndodhë? A ju kanë lënë sytë dhe veshët, apo si duket ju ka lënë edhe mendja? Apo ju pengon trungu para hundës që mos ta shihni bjeshkën?

Po fshiheni duke u arsyetuar pas kushtetutës, ligjeve, rregulloreve, rendit të ditës, të cilat i konsideroni si vlera. E keni humbur rrugën në oborr!

Cila është vlera më e madhe e njeriut, nëse nuk është jeta dhe shëndeti i tij!

Tradhtuat të ndjerët, të sëmurit, punëtorët shëndetësor, tradhtuat të gjithë të tjerët, me përjashtim të vetes.

Po mendoni se populli harron shpejtë, gabim e keni, kjo nuk do të ndodhë, jeta e njeriut është në pyetje, këtë qytetari nuk do ta harron. Dita e gjykimit do të vjen shumë shpejtë dhe si pasojë do t’ju hedh në shportë të historisë, aty ku e keni vendin, në pleh të saj.

Turpi ju mbuloftë.

Me mosrespektin më të madh,

Dr. Afrim Blyta” / KultPlus.com

Blyta: Njeriu që s’ka turp, ka defekte të personalitetit

Neuropsikiatri Afrim Blyta ka folur për problemet shëndetësore nga të cilat mund të vuajë elita politike në vend. Sipas tij, ai që nuk ka turp patjetër që ka defekte të personalitetit.

“Unë mendoj që një person nëse nuk ka turp, nëse nuk skuqet, nuk ka ndërgjegje. Nëse nuk ka ndërgjegje nuk ekziston një strukturë shumë e rëndësishme e personalitetit që quhet superego. Superego është ai polici, gjykatësi që e kemi brenda vetës i cili nuk të lejon me vepru ose me e bo diçka që nuk bëhet, i cili të nxit me bo diçka që duhet me e bo. Por në momentin kur një gjë të tillë nuk e ke, nuk e ke ndjenjën e fajit, nuk e ke ndjenjën e turpit ki jetë defektuoz atëherë flasim për diçka që quhet psikopatologji. Njeriu i cili nuk ka turp edhe nuk skuqet ka defekte në personalitetin e tij dhe nëse ka defekte në personalitetin e tij atëherë ai është objekt i studimit të psikopatologjisë ‘, shpjegoi Blyta.

Sipas dr. Afrim Blyta thotë se shtrirja e pacientëve me probleme mendore është tek të gjitha moshat.

“Prej fëmijërisë së hershme e deri në një moshë të shtyrë kemi probleme të natyrës mendore. Te disa janë të lidhura me probleme organike zakonisht është mosha e adoleshencës, periudha e rinisë së hershme”, thotë ai.

“Në esencë nuk mundemi me thënë në mënyrë specifike që ndonjë grupmoshë e caktuar është më tepër e prekur sesa mosha tjetër. Në përgjithësi kemi një shtrirje paka a shumë uniforme në të gjitha grupmoshat”, tha Blyta.

Dr. Blyta foli edhe për meditimin.

“Meditimi është një teknikë e cila e mobilizon të gjitha kapacitetet e organizmit që do t’i kalohet një situatë. Është në esencë metodë me të cilën luftohet ajo që quhet stresi kronik. Stresi është një reagim i organizmit ndaj një situatë të pakëndshme. Reagim fiziologjik”, shpjegon Blyta.

“Ai na ndihmon me e tejkalu atë situatë por nëse ky stres zgjatë një kohë të gjatë atëherë kemi me pasë probleme të cilat na në mjekësi i quajmë probleme të natyrës psiko-somatike.Problemi psikologjik në fund ka simptoma dhe shenja të sëmundjes trupore”, thotë ai.

“Sëmundja e diabetit e hipertensionit, sëmundja e kolitit, e tiroidesë, psoriaza. Një mori e madhe e sëmundjeve me të cilat ne ballafaqohemi për çdo ditë është rezultat në esencë të ndikimit të faktorit psikologjik. Pra nëse ju arrini me e kontrollu stresin me metodat dhe teknikat e meditimit ju keni lehtësu situatën në parandalimin ose në lehtësimin e simptomave dhe shenjave’, tha ai.