BKK dhe ASHAK me marrëveshje, prioritet digjitalizimi i gazetës ‘Rilindja’

Biblioteka Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” dhe Agjencia Shtetërore të Arkivave të Kosovës kanë nënshkruar marrëveshje të bashkëpunimit.

“Prioritet i veçantë i kësaj marrëveshjeje është digjitalizimi i plotë i fondit të gazetës ‘Rilindja’, një ndër pasuritë më të çmuara të trashëgimisë dokumentare të Kosovës”, thuhet në komunikatën e BKK.

Në këtë njoftim të nxjerrë nga BKK thuhet se marrëveshja synon të nxisë bashkëpunimin ndërmjet dy institucioneve për shkëmbim të koleksioneve, informacion bibliografik dhe njohuri teknike-teknologjike, digjitalizim dhe veprime kulturore/shkencore.

“Ky hap i rëndësishëm do të kontribuojë në ruajtjen, promovimin dhe qasjen më të gjerë në trashëgiminë kulturore dhe dokumentare të vendit”, thuhet në njoftimin e BKK-së në Facebook.