Ka vdekur projektuesi Georgi Konstantinovski, i cili kontribuoi për njërin prej objekteve më të rëndësishme të vendit, shkruan KultPlus.
Ai ishte projektuesi i Pallatit të Shtypit Rilindja, e cila shërbeu për shumë vite me radhë si adresë bashkimi për gazetarët, shkrimtarët dhe veprimtarët e rëndësishëm të Kosovës.
Geogri e kishte projektuar pallatin në vitin 1971, të cilit ia kishte lënë 18 kate dhe sipërfaqe prej 50 mijë metrash katrorë.
Pas renovimeve në këtë objekt, Georgi Konstantinovki kishte vizituar në vitin 2015 Pallatin e Shtypit dhe kishte mbajtur një ligjëratë në Fakultetin e Arkitekturës.
Projektimi i tij vazhdon edhe sot të ketë një rëndësi për kryeqytetin kosovar. / KultPlus.com
Gazeta ‘Rilindja’ ka lënë gjurmë të pashlyeshme në kulturën mbarëshqiptare, e sidomos në letërsi e gazetari.
Sot KultPlus ju sjell disa fotografi dhe një shkrim të shkurtër të njërit nga rradhitësistë e parë manual të ‘Rilindjes’, të publikuar nga Arkivi Rilindja.
Abdurrahman Abdullahu qysh në moshën 16 vjeçare u inkuadrua si praktikant për tu bërë më vonë shef i radhitjes me dorë.
Ai drejtoi kurset e para në kuadër të ‘Rilindjes’ për aftësimin e punëtorëve të rinj për radhitje. Babai i tij, Rexhep Remzi Efendija – Yulema Reisi i parë i Kosovës, ishte mësimdhënës në Medresenë e madhe të Shkupit -Medreseja e Isa Begut, prandaj Abdurrahman Abdullahu një pjesë të jetës së tij e kishte kaluar edhe në Shkup.
Ai ishte pensionuar me pension invalidor në vitin 1985, pas aktivititetit të tij intensiv në shtypshkronjë. Ka ndërruar jetë më 17.09.2003 nga kanceri në laring. / KultPlus.com
Më 12 qershor të vitit 1999, në Kosovë zbarkuan trupat e para të këmbësorisë së NATO-s dhe njëkohësisht nisi largimi i forcave serbe.
Ndërkaq, një ditë pas zbarkimit të NATO-s në Kosovë, gazeta ‘Rilindja’ publikon shkrimin për këtë ngjarje të madhe për mbarë popullin e Kosovës. / KultPlus.com
Komuna e Preshevës e ka shpallur kioskun e shtëpisë botuese “Rilindja” simbol të gazetarisë dhe informimit të së kaluarës së Luginës së Preshevës.
Kiosku është vendosur në oborrin e Shtëpisë së Kulturës “Abdullah Krashnica” në Preshevë dhe do të jetë në dispozicion të vizitorëve.
Në një postim në Facebook nga faqja zyrtare “Komuna e Preshevës”, thuhet se kiosku në fjalë përkujton edhe distributorin e së përditshmes “Rilindja” Zeqirja Ejupin – Zeqën, i cili u përkujdes disa decenie që “Rilindja” të mos mungojë asnjëherë.
“Përveç qytetarëve të komunës sonë, nga ky kiosk, gazeta “Rilindja” blihej edhe nga kumanovarët, sidomos nga nxënësit dhe profesorët e shkollës së mesme, që frekuentonin Qendrën arsimore “Skënderbeu””, thuhet në njoftim.
Para 74 viteve më 12 shkurt 1945 në Prizren nisi të dalë gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja, në frymën e Konferencës së Bujanit – të Rezolutës për vetëvendosje e të drejtë bashkimi me Shqipërinë, me angazhimin e intelektualëve më të shquar të asaj kohe, me shkronja plumbi që u sollën me arka nga Tirana.
“Shkronja për Rilindjen dërgoi Tirana pasi në Shtypshkronjën
e Rilindjes në Prizren nuk kishte shkronja të mjaftueshme të
derdhura në plumb për shkrim në gjuhën shqipe”, shkruan në shtojcën monografi të gazetës së 22 Shkurtit 2008 “Rilindja 63 vjet –
Kosova në Rilindje drejt pavarësisë”.
Theksohet se, “numri i parë i gazetës Rilindja, që kishte katër
faqe, u radhit me dorë për rreth 72 orë dhe për këtë u deshën katër arka
shkronja shqipe të derdhura në plumb, që u sollën nga Tirana”.
“T’i përvishemi punës…”, ishte kryeartikulli në ballinë i numrit
të parë të gazetës Rilindja, që mbanë datën 12 Fruer (Shkurt) 1945 e që kishte
çmimin edhe 1 Lek, e që sipas shkrimeve Kosovën e përcaktonte si një vend të
veçantë.
“Jehona e vendit” ishte rubrika, ku janë të botuara 6 lajme e informata nga Kosova, e të 4 lajmet e tjera janë të jashtë vendit nga fronte të ndryshme të Luftës së Dytë Botërore, që ende vazhdonte (Froni i Lindjes, i Perëndimit, i Jugosllavisë dhe ai i Italisë).
Numri i parë i gazetës Rilindja u shtyp në një tirazh prej
mëse 3.000 ekzemplarësh dhe u shpërnda në gjithë Kosovën. Në fillimet e saj, në
rrethanat e një shkalle të lartë të analfabetizmit të asaj kohe në Kosovë,
gazeta Rilindja u përdor edhe për mësimin e shkronjave shqipe, shkrimit e
leximit.
Shkrimtari Esad Mekuli, drejtor përgjegjës në shënimin e
njëvjetorit të daljes së gazetës Rilindja më 1946, ndër të tjera, shkruante:
“… ‘Rilindja’ duhet të dalë çdo javë rregullisht…duhet të bahet
pasqyrë e veprimtarisë s’onë…”
Më 11 Qershor 1950, Rilindja (që rëndom dilte një here në
javë) njoftonte se, “tash e mbas del dy herë në javë, t’ejtën dhe të shtunën”.
Më pastaj, gazeta Rilindja shpeshtoi daljet dhe që nga fundi i
nëntorit të vitit 1958 filloi të botohet përditë.
E përditshmja Rilindja me fizionomi të re, me ngjyrën e kaltër, që
iu shtua faqeve bardhezi, filloi të dalë të dielën e 17 Prillit të vitit 1966.
Gazeta historike Rilindja në 19 Nanduer (Nëntor) 1946 jepte
lajmin e madh për abetaren e parë në gjuhën shqipe të botuar në Kosovë: “Sot
duel nga shtypi abetarja e parë në gjuhën shqipe e cila me punën vetëmohuese të
punëtorëve grafikë u shtyp, për një kohë relativisht të shkurtë…Abetarja përmban
58 faqe dhe asht shtypë në 5.000 ekzemplarë”.
Rilindja lindi në një kohë kur duhej luftuar analfabetizmi. Më 23 janar 1946 kjo gazetë botonte artikullin redaksional “Analfabetizmi asht anmiku i popullit”.
Ndërsa, ndonjë ditë më vonë shkruante se “afër 20.000 burra e
gra marrin pjesë në kurset për luftimin e analfabetizmit”. Rilindja e
datës 14 fruer (shkurt) 1947, në një titull të madh, shkrunte se në Kosovë
“Funksionojnë 2.485 kurse kundër analfabetizmit, ku janë përfshi 52.413
ndjekësa”.
Rilindja (e datës 1 janar) ka hyrë në vitin 1949 me një artikull
që angazhohej për të drejtën e shqiptarëve në “përdorimin e gjuhës së tyne
amnore” dhe shënon faktin se gjatë viteve 1945 -1949 në Kosovë “kanë mësue
shkrim-këndim mëse 100.000 analfabetë”.
Ndërkohë, krahas luftës kundër analfabetizmit, është zhvilluar
edhe aksioni për zgjerimin e rrjetit të bibliotekave. Sipas Rilindjes, në
fillimin e vitit 1949 në bibliotekat e Kosovës kishte 8.230 libra e broshura në
gjuhën shqipe. Kurset kundër analfabetizmit nëpër qytetet e fshatrat e Kosovës
kanë qenë tema e qindra shkrimeve në shumë numra e faqe të gazetës Rilindja.
Fushata – aksioni i Rilindjes për zhdukjen e analfabetizmit filloi qysh në
vitin 1945 dhe zgjati gati 7 vjet.
Më 1946 dhe 1947 Rilindja iu bashkua aksionit për emancipimin e
femrës shqiptare, ndërsa në vitet 1972 – 1975 aksionit për shkollimin e femrës
shqiptare.
Rilindja në 6 Gusht 1947 shkruante: “…Lufta kundër çarshafit
duhet të vazhdojë deri sa të zbulohet edhe femna e fundit. Tridhjetë mijë femna
shqiptare të zbulueme, në interes të popullit shqiptar kërkojnë që lufta kundra
çarshafit të vazhdojë deri në fund…”
Aksion tjetër i rëndësishëm në faqet e gazetës Rilindja ishte ai i
huasë popullore për ndërtimin e shkollave në Kosovë gjatë viteve 1970-1972…
“Universiteti i Prishtinës do të japë dritë, shkencë e kulturë”,
ishte kryetitulli në gjithë ballinën e gazetës Rilindja në 16 Shkurt 1970.
Kështu gazeta historike raportonte gjerësisht për themelimin e Universitetit të
Prishtinës – kryeqytetit të Kosovës.
Festa e madhe dhe e shumëpritur e themelimit të
Universitetit të Prishtinës u mbajt më 15 Shkurt 1970 me mbledhje solemne të
Kuvendit të Universitetit, vetëm tre ditë pas festës së 25 vjetorit të
Rilindjes, e cila në fillimet e saj kishte botuar abetaren e parë shqipe të
Kosovës.
“Në Rilindja, që është edhe abetare e parë, i kanë rrënjët edhe
Universiteti, edhe Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, edhe shumë
zhvillime e aspiratat tona”, shkruan në Monografi.
Universiteti i Prishtinës është themeluar me ligjin e miratuar nga
Kuvendi i Kosovës në 18 Nëntor 1969 edhe si kërkesë e demonstratave studentore
e gjithëpopullore kosovare një vit më herët – në 1968. Në prag të demonstratave
shqiptare, Rilindja ditën e diel të 6 Tetorit të vitit 1968 në ballinë kishte
shkrimin me titull “Përdorimi i lirë i flamujve kombëtarë”, që po riniste në
Kosovë për shqiptarët…
Rilindja e datës 6 Korrik 1962 shkruante se, Kosova “fitoi
këto ditë banorin e njimilionit…”
“Simbas regjistrimit të fundit të 31 marsit të vitit të
kaluem, në këtë teritor ka pasë 963.551 banorë…” shkruante gazeta duke
shtuar se “asht interesante” se në Kosovë “ka afër 40 mijë
mashkuj ma shumë se femna”.
Rilindja në 25 vjetorin e saj, në 12 Shkurt 1970, filloi të
dalë me gjuhën e njësuar letrare shqipe. Me këtë rast, në artikullin “Të
mësojmë me vullnet gjuhën letrare” bënte thirrje që gjuhës letrare t’i
kushtohet kujdes më i madh nga të gjithë.
Për këtë kishte angazhime e shkrime edhe vite më herët. Në Rilindja të 4 Dhjetor 1952, Idriz Ajeti (që në vitet 1979-1981 dhe 1996-1999 ishte edhe kryetar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës) shprehej “(…) Popujt e qytetnuem çmohen edhe përkah begatia, pasunija, përkah bamunia se sa kujdes i kushtojnë gjuhës së tyne amnore. Ata kanë themelata të posaçme që ruajnë dhe shtjellojnë gjithnjishëm mundësitë e saj shprehjore…”
Rilindja më 20 Nëntor 1971 informonte se një ditë më parë në
afërsi të Stadiumit të Prishtinës me një solemnitet rasti filloi ndërtimi i
Pallatit të Shtypit. Rilindja pasi kishte investuar në truallin e Pallatit
filloi edhe ndërtimin e tij, duke qenë udhëheqëse e punimeve dhe investitore.
Gazeta Rilindja në vitin 1972 (në shtator e tetor) shkruante
për zgjerime bashkëpunimi të Kosovës me Shqipërinë dhe për këtë nënshkrimin në
kryeqytetin shqiptar të protokolit mes Universitetit të Tiranës dhe
Universitetit të Prishtinës, bisedat në kryeqytetin kosovar mes
drejtuesve të “Kosova Filmit” dhe delegacionit të Kinostudios “Shpiqëria
e Re”, ardhjen e shkrimtarëve nga Shqipëria në Gjakovë e Prishtinë dhe bisedat
për shkëmbim të botimeve mes shtëpive botuese, Shfaqjen në Teatrin Kombëtar të
Prishtinës të “Gjenaralit të Ushtrisë së Vdekur”, që e solli i ardhur nga
Tirana Piro Mani si autor i dramatizimit e regjisor, derisa në premierë asistoi
edhe autori i romanit Ismail Kadare, siç shkruante kritiku teatror
Vehap Shita edhe në librin “Kur ndizen dritat”, botuar nga Rilindja, ku ka
punuar shumë vite…
Kosova po shkonte drejt Kushtetutës së vitit
1974, e cila i ka siguruar mëvetësi organizative si njësi
konstituive me të drejtë vetoje në federatën e atëhershme, nga
shpërbërja e së cilës dolën shtatë shtete të reja të rajonit –
Kosova, Sllovenia, Kroacia, Bosnja e Hercegovina, Serbia, Mali i Zi dhe
Maqedona…
Rilindja nuk u ndal edhe kur u ndalua me ndërhyrje
ushtarako-policore në shtypshkronjë nga regjimi okupues serb në 7 Gusht 1990,
edhe kur u dëbua kundërlishëm e padrejtësisht nga shtëpia e saj – Pallati i
Rilindjes në 21 Shkurt 2002 nga administrata e UNMIK-ut…Nga 18 Janari 1991
doli edhe me emrin “Bujku” gazetë e rezistencës, e lëvizjes e luftës për liri,
pavarësi e demokraci, me përcaktim e orientim të fuqishëm properëndimor
euroatlantik, kryeredaktor i parë-themelues i së cilës isha.
Gazeta Rilindja, kryeredaktor i së cilës isha në kohën e dëbimit
nga UNMIK e deri në numrin e fundit, pas datës 21 Shkurt 2002 deri kur doli
përditë, doli me numra të jashtëzakonshëm të kohëpaskohshëm e protestues duke e
bërë gazetën tradicionale edhe histori të Kosovës që nga koha e rreth një viti
pas Konferencës së Bujanit, e nisur në 31 Dhjetor 1943 dhe e përfunduar në
2 Janar 1944, deri në shpalljen e pavarësisë së Kosovës në 17 Shkurtin
historik 2008 e njohjet ndërkombëtare…
Gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja
për 17 Shkurtin historik 2008 doli numër i jashtëzakonshëm festiv me
kryetitullin me shkonja ngjyrë
ari: Kosova shpalli pavarësinë bota e njeh shtetin më të ri.
Po në ballinë, nën
imazhet e nënshkrimit të Deklaratës së Pavarësisë së
Kosovës, të Flamurit e Stemës së
shtetit të ri evropian dhe fishekzjarreve të festimeve
në Prishtinë, Rilindja shkruante poashtu me shkronja ngjyrë
ari: 17 Shkurti 2008 dita më e madhe shqiptare pas
28 Nëntorit 1912 të pavarësisë së Shqipërisë.
Lart te logoja po në faqen e parë
shkruante: Rilindja ju uron shpalljen dhe njohjen e Kosovës
shtet i pavarur.
Gazeta Rilindja, kronikë e zhvillimeve historike të Kosovës, pasi
doli me botime speciale edhe për ngjarjen historike të shpalljes së pavarësisë
dhe njohjet ndërkombëtare që pasuan, ka përmbyllë daljet e mëse 40 numrave të
jashtëzakonshëm të kohëpaskohëshëm në 30 Dhjetor 2008, me numrin festiv të
Vitit të Ri 2009, në ballinë me kryetitullin e ëndërres dhe të ardhëmes:
Kosova shtet në OKB. Dhe me paralajmërimin: Duke besuar në sundimin e ligjit në
shtetin e Kosovës presim që nga numri i ardhshëm Rilindja të dalë përditë.
Pas 10 vitesh, gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja në
ndërrim motesh – në mbrëmjen e 31 Dhjetorit 2018 të pritjes së
2019-tës, ridoli simbolikisht (botim digjital) për protestë dhe me
kërkesën e përsëritur për t’u rikthyer e përditshme – për privatizim, sipas
shembullit të gazetave në rajon e në botë që kishin status të njëjtë ndërmarrje
shoqërore e që janë privatizuar e vazhdojnë të dalin…
Një nga titujt e kësaj ridalje simbolike të gazetës Rilindja
është: “23 Tetor 2018: Lajm i mirë nga Qeveria e Kosovës – Vendimi për
kryerjen e pagesës për shpronësimin e Ndërtesës së ish-Ndërmarrjes Shoqërore
Rilindja.
“Punëtorët e gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja presin që në
2019-tën Qeveria të bëjë pagesën për shpronësim dhe të realizojnë 20
përqindëshin, se tepër shumë gjatë presin të drejtën – 17 vjet nga dëbimi i
dhunëshëm, i padrejtë e i kundërligjshëm nga adminisrata e UNMIK-ut në 21
Shkurt 2002 nga Pallati Rilindja, ku pastaj pas shpalljes së Pavarësisë së
Kosovës ka 10 vjet që janë vendosur disa ministri të Qeverisë së Shtetit të
Kosovës”, theksohet në shkrimin e gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja që
ridoli simbolikisht pas 10 vitesh, botim digjital.
Kërkesa për privatizim-ridalje të gazetës tradicionale të Kosovës
Rilindja i është bërë edhe Agjencisë Kosovare të Privatizimit, e cila është
themeluar si një organ i pavarur publik, në bazë Ligjit të miratuar nga Kuvendi
i Republikës së Kosovës, si pasardhëse e Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit e
themeluar nga Misioni i OKB i pas luftës në Kosovë.
Në arsyetimin e kërkesës për privatizim
theksohet edhe se
emri dhe tradita e gazetës Rilindja është një
vlerë shumë e madhe, e krijuar gjatë mëse shtatë
dekadave, është pasuri me vlerë më të madhe
se e çdo pallati, dhe kjo
duhet të vlerësohet edhe në procesin e privatizimit.
“Dhe, ai që do ta blejë gazetën Rilindja dhe natyrisht
do e nxjerrë këtë të përditshme
historike dhe tradicionale të Kosovës do jetë
pronar i një pasurie të madhe mediale kombëtare,
do të jetë trashëgimtar i ligjshëm i firmës-emrit,
traditës. Rilindja ishte, është dhe mbetet edhe si një
shenjë identiteti”, theksohet në kërkesën drejtuar Agjencisë
Kosovare të Privatizimit.
(Autori – kryeradaktor i gazetës Rilindja deri në numrin e fundit dhe në kohën e dëbimit nga Pallati i Rilindjes. Kryetar i Këshillit Drejtues nga zgjedhjet me votim të fshehtë-referendum të 7 Shkurtit 2002, që i mbajtëm për të krijuar legjitimitet përfaqësimi në luftën për të drejtën derisa kishim presionet e ultimatumet e UNMIK-ut për të na dëbuar nga puna dhe Pallati, që ndodhi disa ditë më vonë në 21 Shkurt 2002 dhunëshëm). /KultPlus.com
Gazeta tradicionale Rilinda, para 28 viteve, natën mes 7 e 8 Gushtit 1990 u ndalua me forcë në shtypshkronjë nga Serbia që e kishte okupuar Kosovën, derisa edhe gjatë ditës forcat policore serbe të armatosura i bënin shtetrrethim redaksisë së gazetës, që edhe në ato rrethana kërcënimi e represioni nuk ndaloi punën dhe refuzoi masat e dhunshme që Beogradi ia shpalli në ditën e 5 Korrikut 1990 të suprimimit të institucioneve të Kosovës. Rilindja kundërshtoi fuqishëm edhe me redaksionalin në faqen e parë me titull “Okupim klasik”.
Beogradi, edhe pse në ditën e masave të dhunshme kishte marrë vendimin, kurrë nuk arriti ta bëjë gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja “organ të Kuvendit të Serbisë”, asnjë punëtor nuk e pranoi këtë, të gjithë e kundërshtuan dhe e hodhën poshtë.
Masat e dhunshme pasonin 2 Korrikun 1990, kur Kosova me Deklaratën Kushtetuese për pavarësinë, në seancën e Kuvendit para dyerve të mbyllura e në shtetrrethim ballë tankeve e snajperëve serbë, ku Rilindja ishte me delegatët mbështetëse e fuqishme në ngjarjen historike për të cilën raportoi gjerësisht me ekip gazetarësh e fotoreporterësh dhe në ballinë kishte edhe redaksionalin tim me titull “Fillim i së nesërmes”.
Rilindja, në atë kohë e vetmja e përditshme shqipe në Kosovë, nuk u ndal edhe kur u ndalua, vijoi me shkrimet nëpër faqet e revistave, e pastaj duke dalë edhe me emrin “Bujku” nga 18 Janari 1991 gazetë e përditshme rezistencës, e lëvizjes për liri, pavarësi e demokraci, me orientim e përcaktim të fuqishëm properëndimor euroatlantik, kryeredaktor i parë-themelues i së cilës isha.
Në kohë lufte, kur edhe “Bujku” u mbyll dhunshëm nga forcat ushtarako-policore e paramilitare serbe në fundvitin 1998, gazeta Rilindja doli me emrin e saj të vërtetë, e shtypur në një shtypshkronjë private në Prishtinë, me punë nëpër shtëpitë e punonjësve të saj deri në dëbimin e tyre edhe nga Kosova, dhe u rikthye me kolonën e parë të forcave shpëtimitare të NATO-s që hynë në Kosovë në 12 Qershor 1999 – në Ditën e Lirisë, botim special për ngjarjen historike.
E rikthyer në Kosovë, gazeta Rilindja doli përditë deri në 21 Shkurt 2002, kur u mbyll kundërligjshëm e padrejtësisht nga UNMIK me dëbim dhunshëm nga Pallati me emrin e saj në Prishtinë.
Dhe Rilindja përsëri nuk u ndal, me punë nëpër shtëpia si në kohë lufte, për të ruajtur emrin e traditën e për të vijuar të jetë histori e Kosovës, doli në raste të veçanta me numra të jashtëzakonshëm e protestues, të kohëpaskohshëm, edhe kur kishte festa.
Në pritje të zgjidhjes së ligjshme, duke pasur modelin e gazetave që kishin status të njëjtë në rajon e në botë – në procesin e privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore, në ballinë të numrit të fundit të 30 Dhjetorit 2008 është paralajmëruar: DUKE BESUAR NË SUNDIMIN E LIGJIT NË SHTETIN E KOSOVËS PRESIM QË NGA NUMRI I ARDHSHËM RILINDJA TË DALË PËRDITË.
Gazeta shqiptare Rilindja nisi të dalë në Prizren në 12 Shkurt 1945, me angazhimin e intelektualëve të shquar të asaj kohe, me shkronja plumbi që u sollën me arka nga Tirana, e vazhdoi në kryeqytetin Prishtinë.
Duke kaluar nëpër këto zhvillime, gazeta tradicionale Rilindja, që është edhe shenjë identiteti, arriti të jetë histori e Kosovës që nga koha e Konferencës së Bujanit të Rezolutës për të ardhme të vullnetit kombëtar e demokratik të popullit e deri në Pavarësinë e shpallur në 17 Shkurt 2008 e në njohjet ndërkombëtare. Behlul Jashari
Kryeredaktor i gazetës Rilindja nga fillimi i vitit 2002 kur në 21 Shkurt UNMIK e mbylli me dëbim nga Pallati i Rilindjes dhe në vijim i botimeve të jashtëzakonshme-protestuese të kohapaskohëshme deri në numrin e fundit – 30 Dhjetor 2008. Në vitin 1990 redaktor.