Dy kadetë të Kosovës nderohen nga Akademia Ushtarake e Britanisë, Osmani: Ditë krenarie

Dy kadetë oficerë të Republikës së Kosovës, Kadet Ilirianë Bunjaku dhe Kadet Ardit Deliu u diplomuan sot nga Akademia Ushtarake Mbretërore Sandhurst në Britani, njëra prej akademive ushtarake më prestigjioze në botë.

Presidentja e Republikës së Kosovës, e ka cilësuar këtë ditë si “Ditë krenarie”.

Sipas Osmanit, sot, emri i Republikës sonë u lartësua edhe më shumë. Këta vajza dhe djem po i dëshmojnë të gjithë botës që puna, zelli e përkushtimi shpërblehen gjithmonë. Këta të rinj po na e zbardhin fytyrën e po e ngrisin shtetin tonë në piedestal.

Ky është postimi i plotë i Osmanit:

DITË KRENARIE SOT!

Sot, dy kadetë oficerë të Republikës së Kosovës, Kadet Ilirianë Bunjaku dhe Kadet Ardit Deliu diplomuan nga Akademia Ushtarake Mbretërore Sandhurst në Britani, njëra prej akademive ushtarake më prestigjioze në botë.

Sot, Nëntoger Ilirianë Bunjaku u nderua me nderin më të lartë, me çmimin “Shpata Internacionale”, që jepet për kadetin më të mirë ndërkombëtar.

Kjo është dëshmi e përformancës së saj superiore në të gjitha fushat, përfshirë rezultatet akademike, shkathtësitë ushtarake, shkathtësitë në lidership, përgatitje fizike, etj.

Sot, emri i Republikës sonë u lartësua edhe më shumë. Këta vajza dhe djem po i dëshmojnë të gjithë botës që puna, zelli e përkushtimi shpërblehen gjithmonë. Këta të rinj po na e zbardhin fytyrën e po e ngrisin shtetin tonë në piedestal.

Vajzat e djemtë e Forcës tashmë janë të dëshmuar në çdo cep ku shkel këmba e tyre. Ata janë premtimi ynë më i madh për një të ardhme të sigurt. Ata janë një nga shembujt më të mirë, të cilët duhen ndjekur për të kuptuar që në jetë mundi e puna vlerësohen e shpërblehen gjithmonë.

Urime Kadet Bunjaku dhe Kadet Deliu – në rrugëtimin tuaj ushtarak, qofshi gjithmonë faqebardhë! / KultPlus.com

Momenti kur kadetja e FSK-së nderohet me çmimin prestigjioz nga Akademia Ushtarake e Britanisë

Kadetja e Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK), Ilirianë Bunjaku u shpërblye me çmimin Shpata Ndërkombëtare e cila i jepet kadetit me performancën më të lartë nga Akademia Ushtarake e Mbretërisë së Bashkuar.

Ish-Ministrja e Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla ka shpërndarë një fotografi nga momenti kur Bunjaku nderohet me çmimin.

“KRENARI, EMOCION, INSPIRIM të shohim kadeten e FSK-së Ilirianë Bunjaku tek i prezantohet shpërblimi i nderit për demonstrim të qëndrueshmërisë fizike, guxim, dhe aftësi të vërteta lidershipi”, ka shkruar Haradinaj-Stublla në Facebook. / KultPlus.com