Në Durrës u zhvillua aktiviteti krijues i cili mblodhi fëmijë dhe të rritur në një proces ndërveprues, ku përmes artit dhe dorës së tyre, ata u njohën me simbolet tradicionale të xhubletës dhe disa nga elementet karakteristike të dyerve të vjetra të qytetit të Durrësit.
“Trashëgimia kulturore nuk është vetëm për t’u ruajtur, por për t’u ndjerë, eksploruar dhe rikrijuar”, shkruhet në faqen online të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës e Inovacionit, e cila e mbështeti këtë projekt.
Në fokus ishte xhubleta, një veshje simbolike me histori mijëravjeçare, e cila u interpretua nga fëmijët përmes qepjes me rruaza dhe motive dekorative. Në një tjetër kënd, pjesëmarrësit punuan mbi modele të dyerve të vjetra të qytetit, të cilat i zbukuruan me qëndisje dhe ngjyra, duke sjellë histori të reja mbi simbole të vjetra.
MEKI tha se, kjo punëtori ndërvepruese lehtësoi njohjen dhe kuptimin e trashëgimisë kulturore përmes pjesëmarrjes aktive dhe krijuese./atsh/KultPlus.com