Rrugëtimi i xhubletës, takimi në Ditën Ndërkombëtare të Monumenteve të Kulturës

Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Monumenteve të Kulturës, në Torrën Veneciane të Durrësit u zhvillua një takim mbi rrugëtimin e xhubletës shqiptare drejt njohjes si vlerë e trashëgimisë botërore përmes përfshirjes së saj në listën e objekteve të mbrojtura nga UNESCO.

“Jo vetëm xhubleta dhe çfarë përmban universi i saj, por rruga e gjatë me shumë aktivitete dhe ngjarje derisa mbërritëm në këtë realitet që ajo u bë pjesë e listës së monumenteve të rëndësishme të trashëgimisë kulturore dhe që në të ardhmen shpresojmë të marrë statusin e plotë të marrjes në mbrojtje nga UNESCO sepse ky është vetëm një fillim”- Luljeta Dano, Drejtore e Qendrës Antropologjike Xhubleta.

Nismëtarja Luljeta Dano rrëfeu përvojën e jashtëzakonshme se si xhubleta u kthye në kauzën e jetës së saj, po dhe të individëve e mbi të gjitha institucioneve të shtetit për ta rijëtësuar këtë vlerë. Dije bërja e saj është drejt zhdukjes ndaj duhen mekanizma nxitës dhe mbështetës për ta kthyer traditën dhe gjithçka vjen përmes saj si një vlerë e shtuar për turizmin e qëndrueshëm.

“Kemi shpresë që ministri i ri i Kulturës të kapë kohën e humbur dhe të kemi informacion se ccfarë po bëhet që Shqipëria të mos e humbasë shansin. Është një kohë prove për t’u krijuar struktura që xhubleta të prodhohet me po atë teknologji artizanale që ka qenë prodhuar.”

I organizuar nga Qendra Muzeore Durrës, ky takim u konsiderua si një model udhërrëfyes për të inkurajuar aktivizmin drejt një aplikimi të suksesshëm edhe Durrësin dhe vlerat e tij.

“Pasuria jonë arkeologjike është unikale, po duke hulumtuar mund të gjejmë dhe vlera të tjera të trashëgimisë jo materiale që mund t’i kurorëzojmë me një pjesëmarrje në listën e UNESCOs e cila përkthehet më pas në vlerë ekonomike dhe turizëm kulturor. Duhet shfrytëzuar ky moment”- shprehet Antigoni Suli Gjergji, Qendra Muzeore Durrës.

Me vlerat e jashtëzakonshme historike dhe kulturore të tij, prej vitesh autoritetet e ministrisë së kulturës kanë bërë përpjekje të vazhdueshme për ta përfshirë Amfiteatrin Antik të Durrësit në listën e mbrojtjes nga ana e UNESCO-s, po pa rezultat deri më tani për shkak dhe të ndërhyrjeve pa kriter rreth e qark tij./TopChannel/ KultPlus.com

Xhubleta, mes së shkuarës dhe së ardhmes, domosdoshmëri, mbrojtja e veshjes së lashtë

Prej më shumë se një viti, arti i endjes së xhubletës, kësaj “pasaporte” të identitetit tonë kulturor, mbrohet nga UNESCO. Për historinë që kjo veshje e lashtë përfaqëson në vetvete por dhe sfidat që e presin për të ardhmen e saj, në Rektoraktin e UNISHK u zhvillua seminari i organizuar nga Instituti i Kërkimeve Rurale në bashkëpunim me Universitetin “Luigj Gurakuqi”, “Xhubleta, mes të shkuarës dhe të ardhmes”. Seminari shërbeu edhe për të prezantuar bashkëpunimin me një prej qendrave të rëndësishme të trashëgimisë kulturore botërore siç është Venecia.

“Është koha që dije bërja nga 10-15 gra të moshuara që e dinë disa copa-copa disa të gjithë procesin ta pasojmë tek 20-120-220 gra dhe vajza të zonës”, tha Zef Gjeta.

Studiuesja Luljeta Dano thekson rëndësinë e mbrojtjes së xhubletës. Xhubleta është një veshje që nxjerr në pah bukurinë e grave malësore. Ajo është e shenjtë për ata që e veshin atë.

Xhubleta, veshja tipike e zonave të veriut, cilësohet si një prej kostumeve më të rralla popullore, me disa lloje e karakteristika, prerjeje e qepjeje, sipas zonave dhe moshave të grave që e vishnin. / KultPlus.com

Prezantohet koleksioni i veçantë i xhubletave (FOTO)

DRTK Shkodër prezantoi në faqet e saj online, koleksionin privat të Ilirjan Velos.

Ai ruan me fanatizëm një koleksion të çmuar të Xhubletës së Dukagjinit, Malësisë së Madhe, Komanit, dhe Rugovës. Ky është një koleksion privat mbresëlënës i xhubletave që Velo i ka trashëguar si pasuri familjare për shkak të vlerës së tyre artistike, historike dhe ndjeshmërisë sociale të kohës.

Ngjyrat e pasura të elementeve të veshjes, dikur të bëra me dorë, plotësohen nga magjia e stolive, gjë që shpreh më së miri moshën, pozitën familjare dhe sociale të gruas në shoqëri.

Velo, që i vogël një koleksionist i apasionuar, ka ditur të përkujdeset për të mbajtur një trashëgimi të vlefshme që mund të trashëgohet në brezat e ardhshëm si një mënyrë për të përkujtuar ngjarje dhe njerëz të rëndësishëm në jetën e tij dhe historinë e familjes dhe shoqërisë. Ky koleksion xhubletash ka vlerën e vet të veçantë për të, si krenari për paraardhësit dhe krijimet e tyre./ atsh / KultPlus.com

Rikthehet festivali “Lohu i Bjeshkëve”, çikat e Malësisë do të parakalojnë veshur me xhubletën

Ashtu si na është trashëguar qysh motit, në 6 gusht 2023, shtojzovallet do të parakalojnë në amfiteatrin e Qafës së Predelecit.

Edhe këtë vit rikthehet festivali unik, “Logu i Bjeshkëve”, ku në një skenografi mahnitëse natyrore, çikat e Malësisë do të veshin mbretëreshën e kostumeve popullore, xhubletën, tashmë pasuri e mbarë njerëzimit, nën mbrojtjen e Unesco-s.

Lajmin e ka bërë të ditur Ministrja e Kulturës në Shqipëri, Elva Margariti duke treguar që ky festival organizohet me mbështetje të Ministrisë së Kulturës. / KultPlus.com

Simpozium shkencor kushtuar xhubletës

Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO), në nëntor të vitit të kaluar mori nën mbrojte Xhubletën. Kjo veshje, e vjetër 4 mijë vjet, dikur përdorej në jetën e përditshme, kurse sot është pjesë e aktiviteteve me karakter shoqëror, kulturor dhe etnologjik edhe në Malësi.

Xhubleta shqiptare përfaqëson veshjen më të hershme në këto treva, por njëherësh edhe tipologjinë e veshjes më të vjetër në botë. Si trevë e cila ka bërë ruajtjen dhe kultivimin e kësaj veshje, jemi veçanërisht krenarë që Xhubleta është bërë pjesë e Listës së Trashëgimisë Botërore si trashëgimi jo materiale.

Komuna e Tuzi, duke vlerësuar rëndësinë e kësaj ngjarje të madhe, vendosi që vitin 2023 ta shpallë për Vitin e Xhubletës, gjatë të cilit do të zhvillohen evenimente, ngjarje dhe aktivitete të ndryshme.
Njëra nder aktivitetet është edhe Simpoziumi shkencor me temen “Xhubleta dëshmi e lashtësisë sonë” i cili u mbajt sot në sallën e Kuvendit të Komunës së Tuzit.

Sekretarja e Sekretariatit për vetëqeverisje, Marina Ujkaj në mes tjerash të pranishmëve u drejtua me këto fjalë – ,, Para së gjithash ndihem e nderuar që ju, të nderuar ligjërues pranuat ftesën tonë dhe në atë mënyrë ia dhatë rëndësinë e merituar Xhubletës, e me pjesëmarrjen tuaj ia ngritën nivelin këtij tubimi, si pjesë e manifestimeve të vitit 2023, të cilën Komuna e Tuzit e shpalli Viti i Xhubletës.”

Në fjalën e tij përshëndetëse kryetari i Komunës, Nik Gjeloshaj tha se: ,, Ne bijat dhe bijtë e xhubletës, që sot e përjetojmë atë si eksponat muzeor, ose pjesë e manifestimeve folklorike, jemi vetëdijesuar se edhe përkundër të gjitha tentativave shekullore të na shpallin fise të prapambetura, pa kulturë dhe pa të kaluar, të na shpallin deri edhe njerëz me bishta, sot mund të identifikohemi me veshjen tonë kombëtare, që ekzistonte që në ato kohë, kur kombet sot të zhvilluara identifikoheshin me vizatimet nëpër shpella si fillim i kulturës së tyre.”

Kurse, panelistët, akademik prof. dr. Anton Kolë Berishaj, sociolog, Afërdita Onuzi etnologe,
Jaho Brahaj etnolog, Drita Statovci etnologe, Prof. dr. Shaban Sinani antropolog – Akademia e Shkencave, Robert Camaj, Dr. Valon Shkodra hulumtues, Slobodan Jerkov dr. i shkencave etnologjike, prof.as.dr Elindë Dibra, Luljeta Dano shkrimtare, hulumtuese dhe koleksionistë, Zorica Mrvaleviq etnologe, Rudina Bardhi etnologe, si dhe Nikollë Berishaj, dhanë këndvështrimin e vet me të cilin shqyrtuan fenomenologjinë e mbijetesës së Xhubletës që në fakt paraqet mbijetesën dhe lashtësinë tonë si Komb./ KultPlus.com

Të rinjtë mësojnë për xhubletën, veshja 4 mijë vjeçare është pasuri e UNESCO

Të rinjve në Shkodër po iu mësohet si punohet xhubleta. Veshja tradicionale e grave të veriut, e vjetër 4 mijë vjet ka qenë në fokus të aktivitetit të organizuar nga Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Shkodër, me nxënës të shkollës teknologjike ” Hamdi Bushati” dhe asaj artistike ” Prenk Jakova”.

“Jam duke qendisur punën zinxhir, kemi qenë te shtëpia e Oso Kukës dhe morëm ide për xhubletën”.

“Jam duke punuar xhubletën, teknikë në pikturë”, ka thënë një tjetër.

Synimi është njohja e të rinjve me trashëgiminë kulturore dhe mbrojtja e saj.

Ndënëset po përformojnë në mënyra të ndryshme me elemente të zanatit të aplikuar të jetë një pikënisje për sensibilkimin e tyre dhe bashkëmoshatarëve të tyre,”, ka thënë përfaqësuesi i DRKK Shkodër, Petrit Nilali.

Xhubleta është tashmë pasuri e gjithë njerëzimit. Veshja tradicionale unike në llojin e saj u mor në mbrojtje nga Unesco nëntorin e vitit të kaluar. /abcnews.al/ KultPlus.com

Nga sot, Xhubleta në Pullat Postare të Kosovës

Sot, Filatelia e Postës së Kosovës, lëshoi në qarkullim postar emisionin e jashtëzakonshëm të pullave postare të titulluar “Nga Trashëgimia – Xhubleta”, e cila u përfshi në Listën e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale në nevojë për mbrojtje urgjente nga UNESCO në vitin 2022.

Xhubleta, veshja tradicionale me origjinë të lashtë, tipike për gratë e Shqipërisë së Veriut, Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi, është një fund popullor i valëzuar, në formë zileje që përbëhet nga një numër i madh copash e rripash të ngushtë shajaku, të vënë horizontalisht dhe të ndërthurur me breza gajtanësh. Ajo mbahet e varur në supe me dy rripa të gjerë.

Në shek. XVIII xhubleta bëhej me shumë ngjyra, por ngjyrat që kanë arritur në ditët e sotme janë: e zeza për gratë dhe bardhë e zi për vajzat. Pjesë të tjera të kostumit me xhubletë janë: kraholinet, xhoka, kërdhokulla, paraniku, kallmat e shputat, etj. Xhubleta është një fund në trajtë kambane, që vjen e valëzuar përfundi, sidomos në pjesën e prapme.

Xhubleta e Malësisë së Madhe është trashëgimi e qartë e kulturës sonë Iliriane, nëpërmjet së cilës ne paraqesim historinë e humbur të kombit tonë që malësorët tanë e përcollën deri në vitet 1950 -1960, pra është e vetmja që jep identitetin e kombit shqiptar nëpërmjet motiveve, ku emblema më e dukshme për të gjitha është shqiponja.

Filatelia e Postës së Kosovës, kësaj radhe nga thesari i etnologjisë na sjell imazhin e bukur të Xhubletës në pulla postare, përmes të cilave do të promovojë kudo nëpër botë vlerat e trashëgimisë kulturore dhe materiale të pafundme që ka atdheu ynë./ KultPlus.com

Për një xhubletë, deri në nëntë muaj punë

File Kola ishte 8 vjeçe kur nisi të mësonte nga e ëma dhe tezja se si bëhej xhubleta, ndërsa si 10-vjeçare u ul të punonte në tezgjah.

Xhubleta është një veshje e punuar me dorë, që vishej nga gratë dhe vajzat malësore në Shqipërinë e Veriut, por edhe në një pjesë të Malit të Zi dhe Kosovës.

Është kryesisht e zezë, e punuar në masë të madhe me pëlhurë leshi dhe me motive të qëndisura shumëngjyrëshe. Karakteristikë e saj është pjesa e poshtme në formë të kambanës.

Filja, sot 70 vjeçe, kujton ende në detaje gjithçka nga procesi i bërjes së një xhublete.

“E zgjidhnim leshin e deles ku ishte më i miri, e shprishnim, e lënurnim dhe e tirrnim. Mjetet që duheshin për ta përgatitur xhubletën, ishin: koshi i spikut, veku dhe vajanica. Tirku bëhej në vek [tezgjah] dhe kur përfundonte, e çonim në vajanicë, që ka qenë një vegël prej druri… Ishin si dy çekiçë prej druri që komandoheshin nga forca e ujit, godisnin tirkun dhe krejt copa ngjeshej”, kujton Filja për Radion Evropa e Lirë.

Javën e kaluar, Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO) e mori nën mbrojtje xhubletën.

Kjo veshje, e vjetër 4 mijë vjet, dikur përdorej në jetën e përditshme.

Megjithatë, përdorimi dhe prodhimi i saj ka qenë në rënie gjatë dekadave të fundit, si për arsye socio-politike, ashtu edhe për arsye ekonomike.

Filja kujton se në kohën e rinisë së saj nuk kishte bojëra për të ngjyrosur leshin e deles, por se ato bëheshin duke zier lëvozhga verri, gjethe frashri, si dhe një gur me ngjyrë blu që thotë se quhej karaboj.

Tetë xhubleta në pajë

“Unë jam martuar me xhubletë dhe kam pasur tetë xhubleta në pajë. Më e mira ishte ajo që vesha kur u bëra nuse dhe e përdorja kur kishim festa. Xhubleta pas së mirës ishte ajo që e vishja kur të afërmit na ftonin në dreka dhe darka, ndërsa të tjerat i kisha për t’i mbajtur përditë”, thotë Filja.

Me keqardhje, ajo tregon se sot i ruan vetëm dy prej tyre.

“Ishin kohë të vështira, varfëri… Të besohet që gjashtë xhubleta i kam prishur dhe me to kam bërë qilima, apo shtrojë, apo mbulojë? Më vjen të qaj kur e kujtoj. Më janë dhimbsur shumë kur i kam prishur se i kisha bërë me këto duar, por nuk kam pasur rrugë tjetër”, thotë Filja.

Ajo nuk jeton më në fshatin e saj të lindjes, Vermosh, ku edhe mësoi zanatin, por në Shkodër – qytet në pjesën veriore të Shqipërisë.

Për ta ruajtur këtë traditë, por edhe për të siguruar të ardhura për veten dhe bashkëshortin, Filja, në shtëpinë e saj, vazhdon të qepë xhubleta dhe tirq – veshje që dikur përdornin burrat malësorë.

Ajo thotë se numrin më të madh të porosive e ka nga emigrantët në Shtetet e Bashkuara.

“Ata i duan xhubletat dhe tirqit ashtu siç kanë qenë dikur, origjinale. Është një punë që merr shumë kohë. Një xhubletë e shes 3 mijë dollarë, por kjo shifër është qesharake, krahasuar me punën që bëj. Më duhet t’i blej stolitë, t’i mbledh nëpër zona të ndryshme, dikush shet një varëse, dikush hajmalinë, dikush postavën, apo brezin e hekurit që kanë mbajtur gratë dikur…”, rrëfen Filja.

Ajo thotë se më së shumti punon imitime të xhubletës, pasi kështu mund t’ia dalë për të siguruar më lehtë të ardhura. Për ta qepur atë në formën origjinale, thotë se i duhet mbështetje edhe nga institucionet.

Xhubleta për raste të ndryshme

Rita Kalaj Shkurtaj, kryetare e Shoqatës Kulturore “Xhubleta e Alpeve Shqiptare”, ka intervistuar rreth 150 gra të moshuara në zonën e Malësisë së Madhe dhe në Mal të Zi për teknikën e punës së bërjes së xhubletës.

Dhe, gjithçka që ka të bëjë me të, e ka dokumentuar në një botim.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ajo tregon se për të punuar një xhubletë dasme apo festash, janë dashur gjashtë deri në nëntë muaj kohë.

Xhubletat e përditshme, thotë ajo, kanë kërkuar më pak kohë, sepse nuk kanë pasur punime të veçanta dhe qëndisje.

“Xhubleta e ‘vdekjes’ [që ruhej dhe vishej kur varrosej një grua] gjithashtu ka kërkuar kohë, sepse ka pasur shumë punime në pjesën e përparme të saj”, thotë Kalaj Shkurtaj, studiuese dhe sipërmarrëse në ruajtjen dhe kultivimin e xhubletës. Një prej grave që ka intervistuar ajo, ka qenë edhe Age Vuktilaj, sot 94 vjeçe.

Ajo ka treguar në detaje dijen e saj dhe është ndër të rrallat që mban gjallë teknikat më të hershme të bërjes së xhubletës.

Kalaj Shkurtaj thotë se ajo dhe shumë gra të tjera të zonës së Kelmendit të Malësisë së Madhe, që dinë të bëjnë xhubleta, kanë emigruar në SHBA.

Shumë artizane e kanë rikthyer këtë traditë, por një pjesë e tyre nuk punojnë me material origjinal – ose riciklojnë xhubleta të vjetra, ose bëjnë imitime të tyre.

Rikthehet tradita e daljes së nuses me xhubletë

Në zonën e Kelmendit, pjesa veriore e Shqipërisë, shumë familje i ruajnë xhubletat e hershme.

Dilë Vaçaj, 69 vjeçe, nga fshati Vermosh, ruan ende xhubletën e nënës së saj, si dhe pjesët që e shoqërojnë: bohçja e kuqe, pështjellaku i zi, kraholi, gryksa, kapica me ruba, çorapet e qëndisura e të tjera.

“Është e vështirë ta mbash dhe ta veshësh. Xhubleta duhet palosur me kujdes që konet e saj të rrinë në pozicionin e duhur. Jo kushdo di ta ruajë dhe ta veshë. Jam shumë e gëzuar që po rritet interesi për këtë veshje të mrekullueshme. Sivjet, një vajzë në Kelmend erdhi dhe kërkoi xhubletë që të dilte nuse me këtë veshje”, thotë Dilja.

“Ta shohësh një nuse nga afër me xhubletë, ishte shumë bukur”, shprehet ajo.
Një prej stolive që ruan, është edhe varësja e mashave.

“Xhubleta ka pasur shumë qëndisje dhe shumë stoli. Peshonte rreth 14-15 kilogramë si veshje. Një prej stolive ishte edhe varësja e mashave, që gruaja malësore e mbante varur në qafë. Në fund të varëses është një si gërshërë e vogël. Me të, gruaja merrte një gacë nga oxhaku dhe ndizte çibukët e burrave në odë”, rrëfen Dilja.

Ajo thotë se një tjetër pjesë e stolive ka qenë edhe hajmalia, ku nuses i hidheshin napolona ari gjatë kërcimit.

Roli i institucioneve

Luljeta Dano është një prej anëtarëve të ekipit që dorëzoi dosjen e xhubletës dhe të bërjes së saj në UNESCO.

Pranimi në këtë organizatë, thotë ajo, nënkupton “obligim për realizimin e disa detyrave nga institucionet qendrore dhe lokale”.

“Duhet të ndërtojnë politika se si të rijetëzohet xhubleta në jetën kulturore, në politikat e turizmit. Më pas vjen përfitimi prej këtij vendimi. Do të prodhohen më shumë xhubleta me teknikën origjinale, do ta shohim këtë kryekostum të etnografisë shqiptare më të pranishëm në festa familjare, në tregun e turizmit etj.”, thotë Dano, koleksioniste dhe drejtore e Qendrës Antropologjike “Xhubleta”.

Më 29 nëntor, kur ka bërë publik lajmin për pranimin e xhubletës në UNESCO, ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Elva Margariti, ka thënë se xhubleta nuk do të mbetet një relikt i së shkuarës, por se do ta ketë mbështetjen e institucioneve.

Në ueb-faqen e UNESCO-s shkruan se xhubleta përfaqëson një trashëgimi të kulturës nga ilirët te shqiptarët. Kështu, xhubleta është veshja më e hershme në Shqipëri dhe Ballkan. / KultPlus.com

Një xhubletë e ekspozuar në Muzeun Kombëtar të Kosovës. Kjo veshje shqiptare, e vjetër 4 mijë vjet, tashmë është nën mbrojtjen e UNESCO-s.

Ambasadorja amerikane: Xhubleta një nga veshjet më të bukura në botë

Ambasadorja e SHBA-ve në Tiranë, Yuri Kim, ka reaguar pas lajmit se xhubleta është shqiptare është regjistruar në UNESCO.

Nëpërmjet një postimi në Twitter, Yuri Kim uron ministren e kulturës në Shqipëri, Elva Margariti, ndërsa thotë se xhubleta shqiptare është një fustanet më të bukur në botë.

“Xhubleta është një nga fustanet më të bukur në botë. Është e mrekullueshme të shohësh trashëgiminë kulturore të njohur, të mbrojtur dhe të promovuar. Urime Elva Margariti”, shkruan Yuri Kim në Twitter.

Veshja shqiptare katër mijë vjeçare, xhubleta është pranuar në listën e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale nën mbrojtjen e UNESCO-s. Veshja simbol e trashëgimisë tonë është tashmë pasuri e gjithë njerëzimit. Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e cilësoi si dhuratë për 110-vjetorin e pavarësisë.

Xhubleta njihet si veshje tradicionale e grave të Malësisë. Dosja e dijebërjes artizanale të xhubletës u dorëzua në UNESCO vitin e kaluar, për shkak se veshja tradicionale unike po rrezikonte të humbiste. / KultPlus.com

Kjo është videoja e dosjes së xhubletës e realizuar për kandidaturën e saj në UNESCO (VIDEO)

Xhubleta shqiptare është regjistruar në UNESCO! Lajmin e ka dhënë, ministrja e Kulturës, Elva Margariti e cila e ka cilësuar si një lajm të jashtëzakonshëm për trashëgiminë tonë  kulturore.

“Pas një pune të gjatë, plot përkushtim të një grupi të madh bashkëpunëtorësh, dosja e dije bërjes artizanale të xhubletës u pranua në listën e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale nën mbrojtjen e UNESCO-s.” shkruan Margariti.

Ndërkaq, më poshtë mund ta gjeni videon e dosjes së xhubletës të realizuar për kandidaturën e saj në UNESCO:

“Xhubleta”, libri më i ri i promovuar nga Instituti i Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit

“Xhubleta” është libri më i ri i promovuar nga Instituti i Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit, me autore prof. dr. Afërdita Onuzin.

Libri është prezantuar në Sallën Albanologjike në Pallatin e Kongreseve, në kuadër të “Ditëve të Albanologjisë”.

Për xhubletën, sikurse thekson autorja, ka një mori kontributesh nga autorë shqiptarë dhe të huaj, autoritete në fushën e historisë së kulturës dhe antropologjisë. Por asnjëherë më parë nuk kemi patur një vëllim kushtuar xhubletës. Botimi në fjalë është një studim dhe paraqitje e detajuar në shqip dhe anglisht e historisë së prejardhjes, përhapjes, shkaqeve të ruajtjes dhe transmetimit, besimeve dhe domethënieve kulturore. Veç jetës historike të xhubletës, një vend specifik zë trajtimi i saj në ciklin e jetës së njeriut: kur vishet për herë të parë “xhubleta e mirë”, “xhubleta e keqe”, pra xhubleta për nusëri, e xhubleta për jetën tjetër etj.

Etnografja Onuzi tregon edhe se si ndryshon modeli i xhubletës nga Dukagjini, Nikaj Mërtur në Kelmend, prej gjysmës së dytë të shek. XIX deri në fillim të shek. XX. Pjesë e veshjes janë stolitë që përpunoheshin nga artizanët e Shkodrës dhe Prizrenit.

Krahas tekstit, vëllimi është pajisur me foto të xhubletës, nga të gjitha trevat ku shtrihet koleksioni që është përdorur për të konceptuar këtë vëllim. Kësisoj, fotot mbulojnë tipologjitë e xhubletave, pjesët përbërëse të tyre, paraqitjen e kujdesshme të simboleve kryesore, raportit të ngjyrave.

Në këtë mënyrë prof. dr. Afërdita Onuzi sjell një vepër solide dhe të bukur, fryt i një pune e reflektimesh që nis, së paku, prej fundviteve ’70 e deri më tani.

“Xhubleta” (botim i departamentit të Etnologjisë, Instituti i Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit – ASA) është pjesë e një serie botimesh që do të pasqyrojnë kulturën materiale, në kuadër të zbatimit të projektit “Atlasi etnografik”./atsh/ KultPlus.com

Xhubleta e thakut t’prem’

‘Në krahun e majtë të xhubletës, thekët janë të prerë. Thekët ia priste burri dhe kjo ishte shenja që ai e divorconte gruan, e cila për gjithë jetën e saj qe e detyruar ta mbante “Xhubletën me Thakun e prem’.

Nga Luljeta Dano

Këtë foto që duhet të jetë bërë në ekspozitën time të xhubletave, më 16 prill 2008, në Galerinë e Arteve, sapo e gjeta në Facebook dhe u gëzova, sepse gjithë këto vite kam pasur një peng. Në krahun e thekëve të prerë, xhubleta qe tërhequr me forcë dhe qe shqyer (shqepur). Më vonë, unë e qepa dhe hoqa mjaft fije floku të gruas që e kishte pasur veshur. Ishin flokë në ngjyrë të çelur, bojë gruri të artë. Po çuditesha me këtë grua që nuk i kishte ngjyer flokët të zeza, si gjithë gratë bionde që vishnin xhubletë. Kur procesi “i masakrës” time konservuese mbaroi, u kujtova se padashur kisha prishur një dëshmi të rrallë antropologjike. Ishte e pandreqshme ajo që kisha bërë, dhe nuk kisha të paktën asnjë fotografi të sajën.

Prof. Afërdita Onuzi, kur i tregova historinë time me xhubletën e thakut t’prem’ në një xhubletë të ngushtë të Dukagjinit, më tha se fenomeni ishte i shpeshtë. Natyrisht që në zemërim e sipër burri ia priste thekët, por ndodhte shpesh që të pajtoheshin dhe historia mbyllej brendapërbrenda pa e marrë vesh bota. Dhe, xhubletës i bëheshin një palë thekë të reja.

Zgjohesh në mëngjes, hap Facebookun dhe pas shumë vitesh e rigjen xhubletën e thakut të prem’, siç ishte, me shenjën e mëngës së majtë të shqyer…

Xhubletën e thakut t’prem’ e sjell si reference profesori Agim Bido, në librin e tij: Arti popullor në veshje e tekstile. Mbi këtë referencë, unë tregoj historinë time./ KultPlus.com

Shfaqet ekspozita për xhubletën, veshja më e vjetër shqiptare

Xhubleta nuk është thjesht një veshje, ajo është rit, kulturë shekullore, traditë.

Të vishje një xhubletë nuk ishte thjeshtë një rutinë e përditshme dhe për këtë ‘TI Center’ realizoi instalacionin “Riti i veshjes së xhubletës” e cila u ekspozua dje, në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar, në kuadër të Ditës Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore.

Xhubleta është një fund në trajtë këmbane, që vjen i valëzuar sidomos në pjesën e mbrapa. Përbëhet nga një numër i madh copash e rripash të ngushtë shajaku, qepur horizontalisht dhe të ndërthurur me breza gajtanësh. Mbahet e varur në supe me dy rripa të gjerë.

Në shek. XVIII, xhubleta përbëhej nga shumë ngjyra, por ato që na kanë mbërritur në ditët e sotme janë: të zeza për gratë dhe bardhë e zi për vajzat. Pjesë të tjera të kostumit me xhubletë janë: kraholinë, xhoka, kërdhokla, paraniku, kallmat e shputat, etj.

Xhubleta është me prejardhje të lashtë. Paraqet ngjashmëri me veshjen e disa figurinave neolitike të gjetura në Bosnje, por edhe në vise të tjera të Mesdheut, që i përkasin mijëvjeçarit te dytë para erës sonë dhe lidhen me qytetërimet e vjetra mesdhetare.

Xhubleta e Malësisë është trashëgimi e qartë e prejardhjes ilire të kulturës tone, që malësorët e përcollën deri në vitet 1950-1960, pra përbën një nga elementët identifikues të veshjes popullore shqiptare, nëpërmjet motiveve, ku emblema për të gjitha është shqiponja.

Ekspozita e instalacionit “Riti i veshjes së xhubletës” është një projekt i TI CENTER dhe është mbështetur nga Ministria e Kulturës dhe Muzeu Historik Kombëtar.

Të pranishëm në aktivitet ishin ministrja e Kulturës Elva Margariti, ambasadori i BE-së në Shqipëri Luigi Soreca, drejtori i Muzeut Historik Kombëtar Dorian Koçi dhe personalitete dhe dashamirës të artit, kulturës dhe gazetarisë. / atsh / KultPlus.com

Xhubleta – Entropia

Nga: Milot Gusia, Kritik i Artit

Artisti bashkëkohor Shkodran, Fatmir Juka përmes një tërësie punimesh zbërthen në formë artistike dhe filozofike por edhe kozmologjike njërën nga veshjet më të vjetra tradicionale – Xhubletën.

Është e vërtetë se nga e gjithë trashëgimia kulturore vendore, ajo etnografike është më e drejtpërdrejtë dhe e ruajtur nga modifikimi i kohës. Duke tentuar ti zbërthejë në formë analitike elementet përbërëse simbolike të xhubletës, artisti tenton të sjellë në jetë filozofinë e të mësuarit nga Leonardo Da Vinçi, pra ai nuk mëson për të vizatuar, por vizaton për të mësuar. Duke shfrytëzuar pikturimin analitik, artisti tenton të mësojë më shumë për misterin e kësaj veshje të lashtë.

Juka si një specialist i kulturës në bashkinë e qytetit të Shkodrës, si dhe si specialist dhe më pas drejtues i muzeut historik dhe nga viti 2018 edhe drejtor i Galerisë së Arteve në Shkodër ka qenë gjithmonë i pasionuar ndaj traditës së veshjeve tradicionale e veçanërisht ndaj Xhubletës, të cilës artisti Juka ja dedikoi një cikël me mbi 50 tablo që nga viti 2010.

Xhubleta, një veshje karakteristike e Malësisë së Madhe dhe Dukagjinit, karakteristike e grave të Kelmendit, që u bart edhe në Rugovë, Mal të Zi dhe Shkodër, është njëri nga kostumet më të rëndësishme të Ballkanit. Rëndësia e saj përkon me vjetërsinë e saj të madhe, që ishte në fokus të artistëve dhe studiuesve tjerë të shumtë.

Xhubleta është punuar nga shajaku (zhguni) në katër liq, dhe e dekoruar me fije spiku të zi. Ajo ka formë kambane të valëzuar, me një prerje shumë të ndërlikuar. Ajo kërkonte mjeshtri të madhe për ta qepur që të marrë formën karakteristike.

Ka një gjatësi deri në gju, dhe ka pjesët tjera përbërëse si: një këmishë të shkurtër (si bluzë) pastaj një mitan me mëngë të gjata dhe mbi të xhokën (kraholin) e shkurtër prej shajaku të zi, me thake të gjatë që bien mbi supe. Përpara vendosej një përparëse e madhe (paraniku) në formë trapeze, më thake ngjyrë vjollce anash kurse nga mbrapa vendosej një tjetër e ngjashme (prapaniku) më e shkurtër. Duhet theksuar se si paraniku dhe prapaniku janë gjithnjë të qëndisura me motive tepër interesante.

Misteri më i madh i xhubletës mbeten simbolet e shumta që janë të jashtëzakonshme dhe që nuk gjinden në pothuaj asnjë veshje tjetër tradicionale. Xhubleta u punua dhe u përdor deri në vitet e 60-ta të shekullit njëzet, kur dhe u ndalua nga regjimi komunist si një veshje e prapambetur, dhe kështu në emër të modernizmit përdorimi i saj u ndalua. Përdorimi dhe punimi i xhubletës u ndërpre nga viti 1970, dhe që atëherë nuk prodhohet më.

“Anija” – Fatmir Juka

Artisti bën një paralele në mes të Xhubletës dhe Entropisë, apo numrit të formave si një sistem mund të ri aranzhohet dhe të arrijë rezultate të njëjta, që nënkupton si kaosi i organizimit të parregullt i elementeve (shenjave, totemeve, miteve dhe ritualeve) në xhubletë korrespondon me vetë rregullin e universit.

Artistin në hulumtimet e tij vizuale poashtu e preokupojnë si këto shenja të realizuara me fije shumëngjyrëshe funksionojnë qartë brenda një prapavije të errët të xhubletës. Kjo sipas tij ka një ngjashmëri me vet rrugën e qumështit brenda Universit të zi apo

me vet dritën që krijon jetë brenda kamerës së errët të fotografisë. Këtë analogji të dritës në prapavijë të zezë, artisti e trajton si një simbol të jetës që ringritët. Këtë analogji artisti e sjell edhe në nivelin e universit. Nëse pyesim veten përse është universi i errët? Qielli është përplot me yje të panumërta, të cilat janë pothuaj të gjitha të ndritshme po aq sa dhe dielli. Prandaj, pa marrë parasysh se në çfarë drejtimi do të shikonim në qiell natën, ne do të shihnim një yll apo një galaksi. Prandaj, i gjithë qielli natën do të duhej të dukej i ndritshëm si dielli. Por, a do të thotë se errësira e qiellit nënkupton se ekziston një distancë e caktuar kur galaksitë dhe yjet përfundojnë? Një kufi në mes të diçkajes dhe hiçit? Apo fundit të universit? Por kjo nuk është e saktë. Të gjitha hulumtimet shkencore tregojnë se gjithësia nuk ka kufi, por vetë universi po, jo si një kufi hapësinor por si një kufi temporal. Për sa dimë, universi ka një fillim prej rreth 13,7 miliardë vitesh, kur ishte tepër i vogël dhe i dendur, dhe kur nocioni i kohës dhe hapësirës nuk mund të aplikohej. Pasi që vetëm një pjesë e caktuar e kohës ka kaluar nga i ashtuquajturi fillim, kjo do të thotë se disa nga yjet e nevojshme për të mbushur dritësinë në çdo drejtim janë aq larg saqë drita nga ato akoma nuk ka pasur kohë që të arrijë tek ne. Pasi që dritës i duhet kohë për të udhëtuar përgjatë universit, kur ne shikojmë një dritë, në të vërtetë ne po shohim atë pjesë të universit ashtu si ishte në kohën kur drita ishte emetuar.

Por, arsyeja e vërtetë është se yjet janë duke u larguar derisa Gjithësia është duke u zgjeruar, prandaj në pjesët e jashtme të Gjithësisë shpejtësia e largimit të yjeve bëhet akoma më e madhe, derisa nuk i shohim më, së paku jo me anë të syrit tonë. Po të jetonim në një univers fiks, të pandryshueshëm, i gjithë qielli do të ishte i ndritshëm sa dhe dielli. Por universi na paraqitet i errët, sepse kishte një fillim prandaj nuk ka yje në çdo drejtim, dhe më e rëndësishmja, sepse drita nga yjet super të largët bëhet i kuq dhe largohet nga spektri vizual përmes përhapjes apo zgjerimit të Universit. Nga kjo analogji e dritës mbi sfondin e errët, artisti vjen në konkluzion se errësira nuk është faza përmbyllëse por përhapëse e jetës, dhe e zeza nuk është vula e misterit, por pragu i të vërtetës. Për artistin e zeza nuk është fundi por fillimi i diçkaje, ashtu si tek xhubleta, ku e zeza është vetëm baza mbi të cilën ndërthuren elementet kreative të artistit popullor.

“Space Shift”-Fatmir Juka
“Barra e druve” – Fatmir Juka
“Zogu i Jetës”-Fatmir Juka

Info Rreth Xhubletës

Xhubleta përbëhej prej rripash të ngushtë e copash shajaku, me një prerje shumë të ndërlikuar. Ajo kërkonte mjeshtri të madhe për ta qepur që të marrë formën karakteristike. Në pjesën e sipërme, për të mbuluar gjoksin, gruaja vinte grykën ose vishte një kemishë të shkurtër (si bluzë) pastaj një mitan me mëngë të gjata dhe mbi të xhokën (kraholin) e shkurtër prej shajaku të zi, me thake të gjatë që bien mbi supe. Një përparëse e madhe (paraniku) në formë trapeze, më thake ngjyrë vjollce anash kurse nga mbrapa vendosej një tjetër e ngjashme (prapaniku) më e shkurtër. Duhet theksuar se si paraniku dhe prapaniku janë gjithnjë të qëndisura me motive tepër interesante që të kujtojnë simbolikën e nenës tokë. Ne brez mbërthehej një rrip prej lëkure rreth 8 cm i gjerë, në të cilin varej pafta e varesë tre unazore prej bronzi, për të varur stolitë e brezit. Ne këmbë gruaja mbathte çorape leshi të gjata të zeza dhe këpuce (opinge) prej lëkure, ndërsa koka mbulohej me një shami ngjyrë të errët me thake që lëshohej mbi supe. (Muzeu Historik Shkodër) / KultPlus.com

Kcimi i Tropojës dhe Xhubleta, më pranë UNESCO-s, Margariti firmos formularin e kandidimit

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti firmosi sot formularin e kandidimit të dukurisë së Kcimit të Tropojës për “Representative List of Intangible Cultural Heritage of Humanity” (lista përfaqësuese e dukurive të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale te njerezit) dhe dijebërjes së Xhubletës për në listën e dukurive në rrezik (Urgent Safeguarding List).

Siç njoftoi vetë Margariti, bëhet fjalë për një moment të rëndësishëm për ruajtjen dhe transmetimin brez pas brezi, por edhe promovimin e trashëgimisë sonë kulturore përtej kufijve lokalë.

Ajo falënderoi komunitetet lokale që e propozuan dhe këmbëngulën, por edhe partnerit The_AADF që, siç u shpreh ajo, “ na mbështetën për ta çuar përpara këtë nismë, që për ne është një mision”.

Xhubleta gëzon statusin kryevepër nga Ministria e Kulturës dhe dosja ka mbaruar në një kohë rekord për UNESCO si një trashëgimi në rrezik.

Xhubleta, veshje tipike e zonavë të veriut, cilësohet si një prej kostumeve më të rralla popullore, me disa lloje e karakteristika, prerjeje e qepjeje, sipas zonave dhe moshave të grave që e vishnin./ASHT/ KultPlus.com

Ministria e Kulturës në Shqipëri përgatitë dosjen për futjen e xhubletës në UNESCO

Ministria e Kulturës ka bërë gati dosjen për futjen e xhubletës në listën e siteve të trashëgimisë kulturore botërore, të ruajtura nga UNESCO.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, gjatë një takimi me temë “Gratë në Trashëgiminë Kulturore, materiale e jo materiale, që nga ninullat te dijebërja e xhubletës”, tha se “nëse do të pritej xhubleta do të humbte”.

“E kemi vënë në një dosje në rrezik se është fenomen në rrezik. Në momentin që jemi të vetëdijshëm për këtë stad në të cilin ndodhet, do të humbisnim shumë më tepër nëse këtë hap nuk do ta ndërmerrnin tani, nga rrezik do të kthehej në fenomen të humbur”, tha ministrja.

Specialistja Luljeta Dano theksoi se “xhubleta gëzon statusin kryevepër nga Ministria e Kulturës dhe ngjarja e vitit është dosja që po përgatitet dhe po mbaron në një kohë rekord për UNESCO si një trashëgimi në rrezik”.

Xhubleta, veshje tipike e zonavë të veriut, cilësohet si një prej kostumeve më të rralla popullore, me disa lloje e karakteristika, prerjeje e qepjeje, sipas zonave dhe moshave të grave që e vishnin./atsh/ KultPlus.com

Dosja e xhubletës drejt UNESCO-s, si dukuri në rrezik, Margariti: Vitin tjetër kthehej në një fenomen të humbur (VIDEO)

“Gratë në trashëgiminë kulturore” është tema e diskutimit që bëri bashkë në Muzeun Historik Kombëtar studiueset Luljeta Dano, Elsa Ballauri, kostumografen Edlira Sulaj dhe ministren e Kulturës Elva Margariti.

Gjatë këtij takimi u diskutua për përfundimin e dosjes së xhubletës nga grupi i punës ku bën pjesë dhe koleksionistja Dano dhe dorëzimi i saj, si “Kryevepër e trashëgimisë shpirtërore të njerëzimit në UNESCO në rrezik”.  

“Ngjarja e vitit është dosja që po përgëtitet për në UNESCO, si një trashëgimi në rrezik. Kemi punuar në kushte shumë të vështira. Uroj që brenda pak ditësh dosja do të përfundoj”, thotë koleksionistja edhe studiuesja Luljeta Dano.  

“Është një gjë e magjishme, që ne se kemi nxjerr siç duhet. Por, nuk kemi bërë debate apo ta kemi përçuar tek të vegjlit, unë shikoj se çfarë ka bërë Luljeta, por ka nevojë për më shumë”, thotë Elsa Ballauri.

Ndërkohë, që deri më tani pjesë e dosjes për xhubletën 4000-vjeçare do të jenë dëshmitë, letrat e aprovimit edhe miratimit nga prodhuesit e saj, apo ata që e trashëgojnë. Nuk mungon edhe projekti për rivitalizimin e saj. Megjithatë, kostumografia Edlira Sualaj bën apel grupit të punës që të punohet më shumë.

“Të flasë për xhubletën kam frikë, pasi është e vështirë të hysh në të. Ne mund të nxitojmë për të bërë dosjen e UNESCO0-s, por më mirë të mos nxitojmë edhe të bëjmë gjënë e duhur”, thotë Sulaj.

Ndërsa, ministrja Margariti pohon se kjo është e vetmja mënyrë, që kjo dukuri të shpëtohet pa qenë vonë

“A kemi bërë mjaftueshëm me këtë dosje? Ndoshta jo, por e kemi vendos tek dosjet në rrezik, se është një fenomen në rrezik. Në momentin që jemi të vetëdijshëm në këtë stad që është, mendoj se do të humbitnim më shumë nëse këtë hap s’do ta merrnim tani, nga fenomen rrezik do të kthehej në një fenomen të humbur”, thotë ministrja e Kulturës Elva Margariti.
Grupi i punës do të dorëzojë dosjen për në UNESCO në Ministri të Kulturës brenda datës 22 mars të këtij viti. Ndërsa, përgjigjja do të jetë në muajin shtator./shqiptarja/ KultPlus.com

Xhubleta, veshja më e vjetër që e ka të qëndisur historinë e popullit shqiptar

“Historitë e popujve të tjerë gjenden përgjithësisht të gdhendur në gur, ndërsa historia jonë është e qëndisur në xhubletë”, shprehet studiuesja e etnografisë Linda Spahiu, duke theksuar se xhubleta shqiptare vjen nga 4000 vjet histori.

Historia e popullit shqiptar është tejet e lashtë, në të gjejmë doke e zakone që nuk i përkasin asnjë vendi tjetër në botë. Populli ynë njihet për tradita disa prej të cilat akoma i mbijetojnë kohës.

Xhubleta është një veshje tipike e grave në Shqipërinë Veriore, në Malësinë e Madhe, Rugovë, Dukagjin dhe trevat shqiptare në Malin e Zi.
Xhubleta është një fund në trajtë këmbane, që vjën e valëzuar përfundi, sidomos në pjesën e mbrapme. Përbëhet nga një numër i madh copash e rripash të ngushtë shajaku, të vënë horizontalisht dhe të ndërthurur me breza gajtanësh.

Mbahet e varur në supe me dy rripa të gjërë. Në shek. XVIII, xhubleta bëhej me shumë ngjyra, por ngjyrat që kanë arritur në ditët e sotme janë: të zeza për gratë dhe bardhë e zi për vajzat. Pjesë të tjera të kostumit me xhubletë janë: kraholine, xhoka, kërdhokla, paraniku, kallmat e shputat, etj.

Xhubleta është me prejardhje të lashtë. Paraqet ngjashmeri me veshjen e disa figurinave neolitike te gjetura në Bosnje, por edhe ne vise te tjera te mesdheut, qe i perkasin mijëvjecarit te dyte p.e.s dhe lidhen me qytetërimet e vjetëra mesdhetar. Xhubleta e Malësisë së Madhe është trashëgimi e qartë e kultures sonë ilirjane ku vetëm nëpërmjet saj ne paraqesim historinë e humbur të kombit tonë që malsorët tanë e përcollen deri në vitet 1950 -1960, pra e vetmja qe jep identitetin e kombit shqiptar, nëpërmjet motiveve, ku emblema më e dukshme për te gjitha është shqiponja.

Në misterin e xhubletës janë një seri simbolesh ku paraqesin lidhjet me fenë katolike, besimin te zoti, dashurinë dhe bukurinë e femres malësore.
Vlen të ceket se xhubleta peshon diku rreth 15 kilogram dhe duke qenë se daton prej 4000 vjetësh, ajo paraqet qytetërimin ilir në kulturën popullore shqiptare. / KultPlus.com

Xhubleta: Veshja më e vjetër shqiptare, mbi 4 mijë vjet

Veshje tipike e grave në Shqipërinë Veriore, mbi lumin Drin, Nikaj-Mërturi e Rugova, Malësi e Madhe dhe shqiptarë të Malit të Zi, në zonën e Nën Shkodrës deri në Breg të Matit ku malësorët e Malësisë së Madhe kanë zbritur.

Xhubleta është një fund në trajtë këmbane, që vjen i valëzuar përfundi, sidomos në pjesën e mbrapme. Përbëhej nga një numër i madh copash e rripash të ngushtë shajaku, qepur horizontalisht dhe të ndërthurur me breza gajtanësh. Mbahet e varur në supe me dy rripa të gjërë.

Në shek. XVIII, xhubleta përbëhej nga shumë ngjyra, por ato që na kanë mbërritur në ditët e sotme janë: të zeza për gratë dhe bardhë e zi për vajzat. Pjesë të tjera të kostumit me xhubletë janë: kraholinë, xhoka, kërdhokla, paraniku, kallmat e shputat, etj.

Xhubleta është me prejardhje të lashtë. Paraqet ngjashmëri me veshjen e disa figurinave neolitike të gjetura në Bosnje, por edhe në vise të tjera të Mesdheut, që i përkasin mijëvjecarit te dytë para erës sonë dhe lidhen me qytetërimet e vjetra mesdhetare.

Xhubleta e Malësisë është trashëgimi e qartë e prejardhjes ilire të kulturës tone, që malsorët e përcollen deri në vitet 1950-1960, pra përbën një nga elementët identifikues të veshjes popullore shqiptare, nëpërmjet motiveve, ku emblema për të gjitha është shqiponja. Xhubleta përmban një seri simbolesh ku paraqesin lidhjet me fenë katolike, besimin te zoti ,dashurinë dhe thekson bukurinë e femrës malësore.

Jo vetëm lahutën, Serbia kërkon të “marrë” dhe xhubletën shqiptare

Jo vetëm lahuta dhe të kënduarit me lahutë, por duket se edhe xhupleta shqiptare po kërkohet të përvetësohet nga Serbia.

Këtë fakt e zbuloi në Ora News studiuesi, Jaho Brahaj, dhe pse tha se nuk e ka të sigurt informacionin.

Brahaj: Nuk kam siguri në informacionin, por serbët po përgatisin dosjen për të futur xhubletën në objekt trashëgimie. Kanë disa fshatra shqiptarë që janë në thellësi të Serbisë.Ato duan ta fusin, por kanë hall ta fusin bashkë me Malin e Zi sepse Mali i Zi ka popullësi shqiptare që e përdor.

Studiuesi, Jaho Brahaj, i ftuar në Ora News tregon ndryshimin mes lahutës shqiptare dhe gusles.

Jaho Brahaj: Pak a shumë lahuta dhe gusle janë i njëjti instrument, shoqërojnë po të njëjtën vijë melodike. Vetëm se ajo këndohet në gjuhën sllave, ndërsa në Shqipëri këndohet shqip.Dallojnë vetëm nga ana etnologjike dhe e përmbajtjes së tyre.

Instrumenti i lahutës që kanë shqiptarët ka tek koka në gdhendje të ndryshme objekte mitologjike ose objekte kulti që nuk i ka ajo sllave.Ka dhe të tjera që i ka lahuta shqiptare dhe ajo sllave, si koka e dhisë, gjarpri. Kam parë me shumicë lahuta. Kemi në Shqipëri lahuta që as mendohet që ti kemi. Janë të pakta në numër. Kemi orën.

Jaho Brahaj: Na erdhi idhshëm dhe e papritur. Këtu ka qenë bërë punë e mirë deri në 2012. Dosja është përgatitur, me pak gjëra të vogla që kanë ngelur. Ka ardhur në Tiranë Ministri i Kulturës Enver Hoxhaj i asaj kohe dhe është takuar me Ministrin tonë të Kulturës. Hoxhaj i ka thënë që do na prisni dhe ne, meqenëse dhe në Kosovë ka. Ministri ka rënë dakord.Në 2012 deri më sot nuk është bërë asgjë. Kjo punë është heshtur, nuk i është propozuar më UNESCO-s. Ka në Ministri një Komitet të Trashëgimisë Kulturore. Është nënvlerësuar.Dosja nuk ka kaluar në Ministrinë e Jashtme nga Ministria e Kulturës. E meta është në disa drejtime në këtë çështje që na kanë goditur.

Xhubleta mbi katër mijë vjeçare – në mbrojtje të UNESCOs

Veshja me Xhubletë. E merr këtë emër nga një lloj fundi në formë këmbane të valëzuar, i qepur me rripa prej shajaku të vendosur njëri pas tjetrit në linjë horizontale, bashkimi i të cilëve realizohet me gajtana të hollë prej leshi.

Xhubleta shoqërohet edhe me disa pjesë të tjera prej shajaku me ngjyrë të zezë, si të xhubletës të cilat quhen grykës, mangë, dhe krahol. Pjesë tjetër është edhe brezi i gjerë i zbukuruar me rruaza dhe gajtana i cili në të folmen vendore quhet kërrdhokëll.

Në kokë mbahej një shami e bardhë, e lëshuar mbi shpatulla. Këmbët mbroheshin me këllçi shajaku ose me çorape të gjata si dhe me opinga lëkure.

Logu i “Kahershëm” për të zgjedhur më të bukurën e maleve bëhej në Ditën e Shën Kollit, dhjetor, në oborrin e kishës me gjithë nuset e reja në vitin e parë të martesës.

Në këtë veshje bie në sy forma e xhubletës, krejt e veçantë nga çdo veshje tjetër, mënyra e zbukurimit të pjesëve të saja me motive dhe ngjyra të plota, por shumë të zgjedhura; si ngjyra e zezë, çiklamin, vjollcë ose blu.

Kjo veshje është mbajtur në të gjitha malësitë e Alpeve të Shqipërisë përfshirë edhe pjesën e alpeve në Malin e Zi. Xhubleta përfaqëson veshjen më të hershme në Shqipëri dhe në Ballkan. Ajo sjell mesazhet e qytetërimit ilir në kulturën popullore shqiptare.

“Ne duhet së pari të investohemi seriozisht, gati si një gjest mbijetese, në kulturën e respektit dhe ruajtjes së dokumenteve dhe të studimit serioz dhe jo në mënyrë naive e internetiste. Sepse pastaj kushdo ka diçka për të thënë dhe zbulimi i vërtetë përzihet me të tjerat.

Një nga mënyrat për të fshehur një të vërtetë është ta hedhësh atë në mes të sheshit bashkë me 1000 gënjeshtra të tjera. Ne kemi nevojë të bëhemi seriozë”.

Xhubleta, e cila peshon rreth 15 kilogramë, është një element i rëndësishëm i kulturës materiale që trashëghohet nga shekujt. Përdoret si veshje për vajza e gra shqiptare të besimit fetar katolik.

Studiuesit kanë arritur në përfundim se tipi i kostumit me xhubletë është përdorur heret në Ballkan e në brigjet e mesdheut, dhe se ka jetuar për shekuj në qytetërimin ilir. Arkeologë e etnografë të njohur janë të mendimit se xhubleta shqiptare ruan shumë tipare të ngjashme me një veshje të vjetër mesdhetare.

Në ikonografinë etruske, Z. Majani (Z. Mayani) veçon figurën e një valltareje të shkathët etruske të cilën e krahason, sa i takon veshjes, me xhubletën si veshje komnbëtare shqiptare të ruajtur sot në Malësinë e Madhe.

Xhubleta është tip i veçantë dhe shumë interesant për gra, i cili nuk ngjan me ndonjë veshje tjetër të kohës së re në vendet e Evropës Juglindore.

Ajo ka strukturë të pasur artistike. Forma e papërsëritshme, ngjyrat, ornamentet dhe stili i zbukuruar i japin asaj karakteristika dalluese nga veshjet tjera tradicionale për gra. Tek kostumi me xhubletë bën përshttypje harmonizimi i veçant i strukturës tipologjike.

Xhubleta ashtu si edhe veshjet tjera shqiptare për gra, paraqet larmi zbukuruese edhe
në varësi të moshës së bartësve, pra, të vajzave, të nuseve dhe të moshuarave.
“Historitë e popujve të tjerë gjenden përgjithësisht të gdhendur në gur, ndërsa historia jonë është e qëndisur në xhubletë”, shprehet studiuesja e etnografisë Linda Spahiu, duke theksuar se xhubleta shqiptare vjen nga 4000 vjet histori.

Linda Spahiu kërkon “Së pari, xhubleta të shpallet urgjentisht monument kulture i rëndësisë së veçantë dhe të merret në mbrojtje nga shteti shqiptar. Së dyti, në mënyrë urgjente duhet të merret në mbrojtje nga Unesco si pasuri e njerëzimit. Dhe unë këtu nuk po them pse një nga veshjet shqiptare nuk po mbrohet nga UNESCO, sepse bota ka shumë veshje. Por jo! Bota nuk ka veshje si xhubleta, nuk ka një të dytë si xhubleta!”

Fahri Xharra,04.01.18
Gjakovë

Xhubleta, 4000 vjet histori, nuk ka një të dytë në botë

“Historitë e popujve të tjerë gjenden përgjithësisht të gdhendur në gur, ndërsa historia jonë është e qëndisur në xhubletë”, shprehet studiuesja e etnografisë Linda Spahiu, duke theksuar se xhubleta shqiptare vjen nga 4000 vjet histori.

Në një intervistë zonja Linda tha se sot mungojnë lexuesit për këtë “libër”, fletët e të cilit janë të shpërndara, sepse pjesët e xhubletave trafikohen për arsye ekonomike, apo siç thotë ajo për arsye të banalitetit në të cilin ka rënë shoqëria moderne. Ajo shpreh shqetësimin e saj që kjo pasuri e rrallë kulturore për të gjithë njerëzimin është ende e pambrojtur.

Prandaj përmes blogut tonë Linda Spahiu kërkon që: “Së pari, xhubleta të shpallet urgjentisht monument kulture i rëndësisë së veçantë dhe të merret në mbrojtje nga shteti shqiptar. Së dyti, në mënyrë urgjente duhet të merret në mbrojtje nga Unesco si pasuri e njerëzimit. Dhe unë këtu nuk po them pse një nga veshjet shqiptare nuk po mbrohet nga UNESCO, sepse bota ka shumë veshje. Por jo! Bota nuk ka veshje si xhubleta, nuk ka një të dytë si xhubleta!”

Më tej zonja Linda shpjegon me detaje disa nga veçoritë që e bëjnë xhubletën dhe të gjithë kostumografinë shqiptare të veçantë në llojin e tyre, aq sa ajo e cilëson pasuri e të gjithë njerëzimit.

Kostumografia jonë të mahnit me vlerën e materialeve të përdorura si ari, argjendi, mëndafshi apo kadifja vishje që njihej në të gjithë europën si veshje vetëm e aristokratëve por që gjendet në të gjitha objektet tona etnografike. Por më e çuditshme se materialet janë teknikat e punimit që mundësojnë të kemi sot veshje 4000-vjeçare që gjenden jo në formë arkaike, por me një sofistikim të frikshëm në kuptimin estetik, kulturor dhe pasuror, duke sjellë antikitetin si një postmodernizëm të pasuruar me figura simbolike.

Një tjetër çudi e etnografisë shqiptare është origjinaliteti i tyre, elementi i transhendencës që vjen nga zona të thella malore, ku marrëdhëniet me qytetërimet e tjera përreth Mesdheut nuk ishin aq të shpeshta sa në bregdet dhe ku koha rridhte ngadalë e ndryshimet historike kërkonin qindra vjet.

Kjo e bën sa autentike, aq edhe të pabesueshme etnografinë shqiptare, aq sa Linda Spahiu rrëfen se si në një ekspozitë etnografike në një nga kryeqendrat e kulturës europiane, kuratorët e muzeut refuzuan për një moment bashkëshoqërimin e objekteve me të dhënat shkencore, sepse nuk besuan që këto artifakte vijnë nga zonat fshatare të Shqipërisë.

Shqetësimi më i madh i Linda Spahiut është fati i mëtejshëm i kësaj trashëgimie kombëtare, për të cilën ajo shprehet se është pasuri e brezave të ardhshëm.

“Ato janë një amanet që ne duhet ta ruajmë për ata që s’kanë ardhur ende dhe që kanë të drejtë t’i gjejnë këtu kur të vijnë”,- shprehet Linda Spahiu teksa bën thirrje për seriozitet në trajtimin e pasurisë kombëtare.

“Ne duhet së pari të investohemi seriozisht, gati si një gjest mbijetese, në kulturën e respektit dhe ruajtjes së dokumenteve dhe të studimit serioz dhe jo në mënyrë naive e internetiste. Sepse pastaj kushdo ka diçka për të thënë dhe zbulimi i vërtetë përzihet me të tjerat. Një nga mënyrat për të fshehur një të vërtetë është ta hedhësh atë në mes të sheshit bashkë me 1000 gënjeshtra të tjera. Ne kemi nevojë të bëhemi seriozë”.