Autori gjerman rikthen tek shqiptarët Aleksandër Moisiun, libri i tij për aktorin vjen edhe në shqip

Libri “Aleksandër Moisiu. Trieshtë – Berlin – Nju Jork . Një legjendë aktrimi” nga autori gjerman Rüdiger Schaper është promovuar sot në Prishtinë. Përmes këtij promovimi të pranishmit patën mundësi që ta njihnin më shumë aktorin por edhe të dëgjonin më shumë nga autori mbi faktet, kritikat dhe dokumentet e tjera të cilat ai i ka mbledhur dhe ndërthurur në librin e tij, shkruan KultPlus.

Alberina Haxhijaj

Libri i autorit Schaper “Aleksandër Moisiu. Trieshtë – Berlin – Nju Jork. Një legjendë aktrimi” është përkthyer në shqip nga Feride Berisha. Një bashkëpunim në mes Shtëpisë Botuese PA dhe Qendrës Multimedia, i përkrahur nga rrjeti Traduki.

Përkthyesja e librit njëherësh edhe drejtoresha e Shtëpisë Botuese “PA”, Feride Berisha e ka konsideruar një aksident të bukur këtë përkthim të rëndësishëm për kulturën.
“Libri që ka ardhur sot në gjuhën shqipe është një rastësi me dashje. Librin ma ka dhuruar një mik i imi për kërshëndella. Kur e mora librin, jam befasuar se kush ka qenë Aleksandër Moisiu. Deri tani e kemi mësuar me patriotizëm Aleksandër Moisiun, aktor i madh shqiptar, mirëpo pikërisht Aleksandër Moisiu ka qenë një aktor i njohur botëror”, tregoi ajo për të pranishmit.

Para të pranishmëve autori i librit Rüdiger Schaper u shpreh i lumtur që vepra e tij ka ardhur edhe në gjuhën shqipe. Ai po ashtu lexoi edhe një pjesë nga shkrimi i tij e që sjellë situatën “e sikletshme” në mes të aktorit Josef Kainz dhe Aleksandër Moisiut, në komedinë Tartufi ku Moisiu luante shërbëtorin Lorenzo. Aleksandri aty kishte harruar fjalët dhe kishte shtangur në mes të skenës gjersa Kainz interpretonte ‘Lorenzo, o shërbëtori im, a është gati veshja ime…??’.

“Ky libër më përcjell që 20-të vite, sigurisht me ndërprerje. Emrin Aleksandër Moisiu e kam hasur rastësisht dhe e gjeta që në gjermanisht nuk ka një biografi të realizuar mirë. Kjo ka qenë edhe ajo që më ka preokupuar dhe nuk më ka lënë rehat, si mundet një njëri kaq i famshëm të mos ketë asgjë të shkruar për të. Pra ky ka qenë motivi im dhe libri ka pasur sukses shumë në Berlin”, është shprehur autori i librit Rüdiger Schaper. Ai tutje ka treguar se konsideron këtë përkthim si një rikthim të librit por edhe të aktorit Aleksandër Moisiu, pasi që për të kontributi i këtij aktori për teatrin është shumë i rëndësishëm edhe sot.

Pikërisht në skenën e vogël të Teatrit Kombëtar të Kosovës ku u bë promovimi i librit, jehoi edhe zëri i Aleksandër Moisiut. Kjo u bë përmes audio-incizimit i cili u lëshua në këtë hapësirë. Kështu të pranishmit në promovim patën mundësinë që të dëgjonin interpretimin e Aleksandër Moisiut, në vitin 1912, në rolin e Hamletit.

Ndërsa tutje u diskutua nga të pranishmit më shumë mbi librat që tashmë ekzistojnë dhe mbi pyetjet të cilat akoma nuk kanë gjetur përgjigje e që kanë të bëjnë me jetën dhe veprimtarinë e aktorit Aleksandër Moisiut. Po ashtu u diskutua edhe ajo që tashmë dihet mbi aktorin e madh e që në të shumtën e rasteve janë mbledhur nga shkrimet që kritikat e asaj kohë kanë bërë për aktorin. Duke vënë në theks se edhe këto shkrime lënë shumë pyetje prapa tyre, pasi që edhe kritika ka qenë e ndarë në dy pjesë. Njëra prej tyre e përkrahte aktorin kurse tjetra jo dhe aq, duke e cilësuar atë si një interpretues jo të mirë dhe duke vënë në pah edhe theksin e tij.

Autori i librit, Rüdiger Schaper u lind në vitin 1959 në Worms (Rheinland-Pfalz). Ai është gazetar dhe kritik teatri, jeton dhe punon në Berlin dhe që nga viti 1999 punon për gazetën „Tagesspiegel“, ku drejton rubrikën e fejtonit. Promovimi i librit do të bëhet edhe në Pejë më 7 prill, në Bibliotekën “Azem Shkreli”, duke filluar nga ora 13:00/KultPlus.com