Nis restaurimi i shtëpisë së piktorit Ali Shijaku, monument kulture e destinacion turistik

Ka nisur restaurimi i shtëpisë së piktorit të njohur Ali Shijaku, e ndërtuar në vitin 1400 e cila ka një arkitekturë tipike të shtëpive tiranase.

Lajmin e ka bërë të ditur ministrja e Kulturës, Elva Margariti ku thekson se kjo shtëpi është një monument kulture dhe një destinacion turistik në kryeqytet për vizitorët.

“Ka nisur restaurimi i shtëpisë së piktorit Sali Shijakut, monument kulture e destinacion turistik. Specialistët e Drejtorisë Rajonale të Tiranës kanë nisur punën për restaurimin e odës së zjarrit, zëvendësimin e trarëve dhe rregullimin e dyshemesë, dritareve e çatisë”, shprehet Margariti.

Ky objekt është vlerësuar si një ndër  më të vjetrit në Ballkan e cila vazhdon të jetë ende funksionale. Banesa e piktorit Ali Shijaku ka shërbyer në një farë mënyre edhe si një ekspozitë e piktorit pasi kanë qenë të ekspozuara brenda ambienteve të saj rreth 100 punimet që konsiderohen njëkohësisht edhe si ndër punimet më të mira të tij.

Ky objekt është shpallur monument kulture. Në katin e parë ndodhet dhoma e pritjes që zhvilloheshin aktivitete të ndryshme afër oxhakut dhe vendi është i mbushur me piktura të veçanta. Në katin e dytë janë dhomat e gjumit, ku gjithashtu është e mbushur me piktura dhe portrete.

Piktori Ali Shijaku ka lindur në Tiranë më 12 mars të vitit 1933 në një familje të vjetër tregtare tiranase. Piktori ka qenë student i mjeshtrit të madh  prof. Boris Vladimiroviç Joganson, në Shën Petërburg kur ai studioi në ish-Bashkimin Sovjetik. /ata/ KultPlus.com