Deputetja britanike Alicia Kearns, e ka zhvilluar një vizitë treditore në Kosovë.
Gjatë vizitës ajo e ka vizituar edhe familjen e heroit Afrim Bunjaku, i cili u vra gjatë agresionit të Serbisë në Banjskë të Zveçanit.
Kearns tha se Bunjaku ka shpëtuar jetë njerëzish më 24 shtator.
“Profesionalizimi dhe përkushtimi i tyre ndaj të gjitha komuniteteve ishte i dukshëm. U nderova edhe nga familja e Afrim Bunjakut, policit të vrarë nga terroristët më 24 shtator. Familja e Bunjakut më ftoi me mirësi në shtëpinë e saj, që të ofroja ngushëllimet e mia. Fjalët e mia kurrë nuk mund të largojnë dhembjen e tyre, por Afrimi shpëtoi jetë atë ditë dhe desha ta tregoja respektin tim”, tha Kearns.
Kryetarja e Komisionit për Politikë të Jashtme në Parlamentin e Britanisë theksoi se armët e gjetura gjatë aksionit në veri ishin ushtarake dhe nga Serbia.
“U jam mirënjohëse Policisë së Kosovës dhe ministrit të Brendshëm që më informuan në detaje për sulmin terrorist të 24 shtatorit, përfshirë planifikimin e tij. Armët që gjetën ishin serbe, të shkallës ushtarake dhe shumë moderne”, tha ajo.
Ishte vet deputetja britanike e cila muaj para se të ndodhte sulmi terrorist në Kosovë, kishte paralajmëruar se serbët po fshihnin armë në Kisha Ortodokse dhe Manastire dhe ato po barteshin përmes autoambulancave./klankosova/KultPlus.com