“Ke harru, babë, me e mësu djalin, që nuk është më shumë se qikë”

Poezi nga Amina Kaja

A t’kam treguar, babë?
Nata e rrugëve më rrëqethë.
Hijet zgjasin gishtat,
më grisin fustanin që kam veshë.

Dritat e natës kokën kthejnë,
kur duar të huaja, të padëshiruara,
vend ku s’duhet gjejnë.
Dritat e natës kokën kthejnë,
kur thirrjet e egra dridhin dhenë.
Ditën dritat nuk kuvendojnë.
Nuk panë gjë-
kështu së paku tregojnë.

A nuk e ke ditur, babë?
Djemtë që ti nuk i rritë
në hije natën rrinë.
Ujq të uritur hënës i këndojnë,
Ditën diellit fajin nuk ia pranojnë.

Shqyejnë fustana se qenë fustana,
fije floku mes gishtash ngatërruara.
Reflektim i fytyrës shihet në sy të vdekur qelqor,
e ty, babë, të shohin,
në pasqyrë të skuqur me njollë.

Kanë harru me të mësu, babë,
që qika nuk është më pak se djalë.
Ke harru, babë, me e mësu djalin,
që nuk është më shumë se qikë.

E babë,
kur natën rrugëve hapat e tu të qojnë,
kur të duket sikur fije floku të kanë mbetur në gojë,
kur e sheh se llambat e rrugës përsëri drejtësi nuk kuvendojnë,
ktheje dritën kah hijet që vështrojnë./ KultPlus.com