Figurinat 4300-vjeçare të Anatolisë

Pesëmbëdhjetë figurina hyjsh e hyjneshash janë gjetur gjatë kërkimeve arkeologjike që po vazhdojnë në Kültepe Kaniş, në provincën e Kayserit në Anatolinë Qendrore.

Gërmimet kishin filluar 72 vjet më parë në vendin e quajtur Kültepe, falë dheut prej hiri, që është rreth 25 kilometra larg qendrës së qytetit të Kayserit.

Gjatë këtyre hulumtimeve, këtë vit janë gjetur figurina hyjsh e hyjneshash që datojnë 4300 vjet e që adhuroheshin prej banorëve të moçëm të Anatolisë.

Figurinat do të shpërfaqen në një ekspozitë të përkohshme në Muzeun e Kayserit.

Profesori në Universitetin e Ankarasë dhe drejtues i gërmimeve në Kültepe, Fikri Kulakoğlu, ka thënë për agjencinë shtetërore të lajmeve “Anadolu” se një nga dy pllakat e marra nga Kültepe në fund të shekullit të 19-të ishte shitur në një dyqan antikuarësh në Stamboll e më pas ishte dërguar në Muzeun Britanik, kurse tjetra në Muzeun e Louvreit.

Duke folur për shkencëtarët që ishin kureshtarë për qytetin e përmendur në ato pllaka, Kulakoğlu ka thënë: “Ishte një shkencëtar çek i quajtur Bedrich Hrozny. Ky shkencëtar është njeriu i parë në botë që zgjidhi gjuhën hetite. Ai erdhi në Kültepe në Kayseri për të gjetur se ku ndodhej qyteti i Kanishit i përmendur në pllaka. Ai e shkatërroi një të tretën e pallatit që ne e quajmë ‘Pallati Warshama’. Ai gërmoi një vrimë posi një krater sipas teknikave të atëhershme të gërmimeve”.

“Ai qe i zhgënjyer që nuk ia doli të gjente pllakën. Ai tërhoqi vëmendjen e karrocierit të tij që e pyeti, ‘Çfarë ndodhi me ju imzot?’. Ai u përgjigj se nuk po mund ta gjente tabletën. E karrocieri iu përgjigj: ‘Ti ke gërmuar në vendin e gabuar, pllakat nuk janë aty, por në fushën e Mehmet Agës’. Ai shkoi atje dhe filloi gërmimet në vendin që ne e quajmë Karum, por nuk është se gjeti shumë pllaka”, ka shtuar Kulakoğlu. / KultPlus.com