Sunflower Handmade, dy vajzat e reja që kanë kthyer në treg punimin me kasnak

Sarandë Selimi

Sunflower Handmade, nuk ka shumë që është krijuar. Sunflower, ka bashkuar dy vajza nga Gjilani, të cilat po krijojnë punime unike të pa para më herët në vend. Andoneta Selimi dhe Kaltrina Selimi, janë vajzat që përveç që po sjellin diçka të re në treg, ato edhe po vazhdojnë traditën e gjysheve, për të qepur me kasnak e gjilpërë.

Punimet janë nga më të ndryshmet, ndërsa sipas vajzave gjithçka filloi përmes një dhurate që ato menduan t’i bëjnë një familjari.

“Ideja e punimeve të dorës nuk ka lind krejt rastësisht për shkak që të dyja gjithmonë kemi bisedu rreth fillimit të ndonjë biznesi, nëse mundemi me e qujt ashtu, i cili ka të bëjë me punë dore dhe diçka unike. Kështu, kur ne dyja kemi qenë duke fol për me ia bë një dhuratë një familjarit tonë dhe kemi vendosë që me i bë diçka unike edhe me shumë vlerë, që ka me met kujtim për tërë jetën, kemi fol për zgjedhjen e dhuratës dhe kemi vendos që ajo me qenë një “kasnak” i punuar me dorë, dhe gjithashtu kemi vendos që dhuratën me e bo vet ne e jo me e porosit, por me provu vet dhe nëse ajo na pëlqen, me vazhdu edhe me të tjera”, nisën rrëfimin për KultPlus, Andoneta dhe Kaltrina Selimi, duke vazhduar të tregojnë se kur e kanë bërë punimin e parë, iu ka pëlqyer shumë, jo veç atyre por edhe rrethit familjarë.

Kësisoj, vendosën dhe krijuan Sunflower Handmade. Sunflower, sepse të dyjave iu pëlqen luledielli, e po ashtu edhe punimi i parë i tyre ka qenë një luledielli.

Andoneta Selimi

“Kështu ne vendosëm që me vazhdu edhe me punime të tjera, së pari për ne, për familjarët, pastaj edhe me porosi të ndryshme. Pas një jave kemi vendos që punimet që i bëmë gjatë asaj jave me i publiku edhe në instagram, pasi që është rrjeti social më i përdorur këto kohë”, u shprehen vajzat.

Vajzat e Sunflower Handmade, treguan për procesin e punës që nuk është fare i lehtë. Sipas tyre, procesi i punimit të kasnakëve është i vështirë deri sa e mëson, por që, vajzat tregojnë se ndihmë të madhe kanë pasur nga gjyshet dhe nënat e tyre, pasi që, i kanë mësuar se si bëhet kjo punë.

“Por, kur fillon me ta mësosh nisë e bëhet shumë e lehtë, nëse e bëjmë me shumë dashuri dhe përkushtim. Materialet e nevojshme për këto punime i blejmë në dyqane të posaqme për këto gjëra, ndërsa ngjyrat dhe përshtatjen e bëjmë sipas dëshirës së klientëve ose sipas porosive”, thanë vajzat duke vazhduar të tregojnë se punimet e tyre, janë për momentin shumë të kërkuara në tregun kosovar.

Ato janë unike, dhe nuk janë diçka që mund ta blesh çdo ditë.

“Zakonisht, personat të cilët bëjnë porositë ndahen shumë të kënaqur me punën, mirëpo edhe më të kënaqur kur e dinë që është një zanat i vjetër i cili është kthyer prapë në treg, gjithashtu unike dhe me shumë vlerë”, than vajzat për KultPlus.

Krejt në fund, ato thanë se do të dëshironin të inkurajonin të gjithë të rit e të rejat që të realizojnë ëndrrat e tyre, sipas tyre duhet pasur vetëm vullnetin dhe aq mjafton për të nis diçka të re.

“Mendoj që, njeriu sa më i ri ka aq më shumë vullnet për me realizu një andërr të veten, prandaj edhe ne nuk e kemi pas problem pasi që ka qenë diçka që e kemi pasur gjithmonë në listën e dëshirave tona”, përfunduan Andoneta dhe Kaltrina Selimi, nga Sunflower Handmade./ KultPlus.com