Çmimin “Mujë Krasniqi” e fitoi ansambli “Dëshmorët e kombit” nga Obiliqi

Në Klinë përfundoi Festivali treditor Folklorik Mbarëkombëtar “I këndojmë Lirisë”.

Çmimi kryesor “Mujë Krasniqi” i edicionit të 19 të këtij festivali i ka takuar Ansamblit të këngëve dhe valleve “Dëshmorët e kombit” nga Obiliqi.

Këtij ansambli, çmimin ia dorëzoi kryetari komunës së Klinës, Zenun Elezaj, dhe Halil Krasniqi, babai i komandant Mujë Krasniqit.

Vendin e dytë e mori AKV ”Drenica nga Skenderaj, të tretin “Shotë Galica” e Drenisa, ndërsa çmimi i publikut i takoi ansamblit të këngëve dhe valleve të Lushnjës.

Udhëheqësi artistik këtij ansambli, Sadat Kelmendi, i gëzuar dhe i emocionuar për çmimin e fituar tha, se janë të nderuar që janë fitues të festivalit të sivjetmë të festivalit folklorik “I këndojmë lirisë”, dhe për ta është vlerësimi më i çmuar që kanë marrë deri tash.

“Në këtë manifestim folklorik mbarëkombëtar ne marrim pjesë me vite me radhë. Sivjet jemi përgatitur si kurdoherë më parë . Ky shpërblim na obligon që të punojmë edhe më shumë, nga se jemi vlerësuar nga një juri profesionale”, ka thënë Kelmendi, duke shtuar se festivali “I këndojmë lirisë”, është ndër më cilësoret e festivaleve të tilla të ruajtjes së vlerave të mirëfillta të folklorit burimor.

Kryetari i Klinës, Zenun Elezaj, i ka falënderuar pjesëmarrësit në festival duke u dëshiruar pjesëmarrje të serishme edhe në festivalet e ardhshme.

“Ne si komunë e kemi mbështetur Festivalin Folklorik Mbarëkombëtar “I këndojmë Lirisë” duke bërë të mundshme që festivali ta përmbush qëllimin, sepse festivali për Klinën është shumë domethënës, për karakterin dhe cilësinë duke u bërë tashmë tradicional dhe identifikues”, është shprehur kryetari Elezaj.

Edhe drejtuesit e tjerë të festivalit janë shprehur të kënaqur me rrjedhën e festivalit, pjesëmarrjen, mbarëvajtjen dhe pjesëmarrjen e grupeve, rapsodëve.

Drejtori i festivalit, Alban Gashi, theksoi se janë të impresionuar me pjesëmarrjen, që sipas tij ishte e paparashikueshme, e bashkë me këtë edhe me numrin e grupeve që performuan në këtë festival.

“Për tri net me radhë në skenën e festivalit u ngjiten këngëtarë, valltarë e instrumentistë nga të gjitha trojet etnike, ku shpalosen vlerat e mirëfillta folklorike kombëtare”, u shpreh Gashi.

Po ashtu edhe zyrtarët komunal kanë dhënë vlerësimet e tyre, për organizimin dhe risitë që janë sjellë në këtë festival, ku për tri net ka qëndruar i hapur Panairi me prodhime vendore, i organizuar nga Drejtoria Komunale e Bujqësisë.

Ndryshe, sivjet festivali është mbajtur në një ambient të përshtatshëm , në sheshin “Mujë Krasniqi”, përkrah shtatores së komandantit të UÇK-së, Mujë Krasniqit- Kapuçit.