“Zot, më mëso artin e durimit”

Antoine de Saint-Exupery, autori i librit “Princi i vogël”, e shkroi këtë lutje në një nga periudhat më të vështira të jetës së tij. Nëse ndiheni në vështirësi, rreshtat e mëposhtëm m siguri do t’ju vijnë në ndihmë.

“Zot, nuk po të lutem për mrekulli, sot kam nevojë vetëm për forcë për të përballuar ditët. Më mëso artin e “hapave të vegjël”. Më jep dijen dhe burimet për të zbuluar dhe jetuar eksperiencat e përditshme.

Më ndihmo ta përdor më mirë kohën. Më jep mençurinë për të gjykuar çfarë është e rëndësishme dhe çfarë jo.
Lutem për fuqinë e disiplinës.

Më shpëto nga besimi naiv se çdo gjë në jetë duhet të shkojë vaj. Më ndihmo të pranoj se vështirësitë, dështimet na rritin dhe maturojnë.

Më dërgo njeriun e duhur në kohën e duhur, i cili do të ketë mjaftueshëm kurajë për të dashur të vërtetën.

E di që shumë probleme zgjidhen vetë, ndaj më mëso artin e durimit!
Ti e di se sa shumë kemi nevojë për miqësi. Më bëj të ndihem i denjë për këtë dhuratë të jetës.

Zot, më jep mjaftueshëm imagjinatë sa të kem mundësi ta ndaj me të tjerët, në vendin e duhur, në kohën e duhur, me fjalë ose me heshtje.

Zot, mos më jep gjërat që dua, por ato për të cilat kam nevojë”. Filozofi.al / KultPlus.com

Përktheu: Elona Qose

Vetëm përmes zemrës, dikush mund të shohë drejt!

Një libër për fëmijë nga mosha 7 deri në 77-vjeçare, ose më saktë, sot mund t’i shtohen edhe njëzet vjet të tjerë, meqë është rritur jetëgjatësia.

Është një libër për fëmijë, për fëmijën që jeton ende brenda nesh, derisa ndërrojmë jetë.

Princi i vogël – “The Little Prince”, është novelë që për herë të parë u publikua në vitin 1943 dhe është vepra më e famshme e aristokratit francez, shkrimtarit dhe poetit Antoine de Saint-Exupéry.

Kjo vepër është përkthyer në 250 gjuhë, duke u shitur në 140 milion kopje në gjithë botën.

10 Shprehjet e përzgjedhura nga libri “Princi i vogël”

1.Është koha që ke humbur për trëndafilin tënd, ajo që e bën atë të rëndësishëm.

2. Dashuria nuk qëndron tek vështrimi ngultas te njëri – tjetri, por tek shikimi i përbashkët në drejtimin e njëjtë.

3. Dhe tani, ja ku po ju tregoj sekretin tim, një sekret vërtetë të thjeshtë:

Vetëm përmes zemrës, dikush mund të shohë drejt. Ajo që është thelbësore, është e padukshme për syrin.

4. … Sepse dashuria e vërtetë është e pashterrshme; sa më shumë që jep, aq më shumë ke. Dhe nëse shkoni për të mbushur tek burimi i vërtetë, sa më shumë ujë që mbushni, aq më e bollshme është rrjedha e tij.

5. Natyrisht, unë do të të lëndoj ty dhe gjithashtu ti do të më lëndosh mua. Natyrisht, ne do ta lëndojmë njëri – tjetrin, sepse ky është kushti i vetëm i ekzistencës.

6. Është shumë më e vështirë ta gjykosh veten, se të tjerët. Nëse ia del me sukses në gjykimin e drejtë të vetes, atëherë ti vërtetë je njeri i mençur.

7. Ajo që ka rëndësi më së shumti janë kënaqësitë e thjeshta, aq të shumta saqë ne do të mund t’i shijonim të gjitha…

8. Lumturia nuk qëndron tek objektet të cilat ne i grumbullojmë rreth vetes. Për ta gjetur atë, e gjitha që duhet të bëjmë – është t’i hapim sytë.

9. Për t’u bërë pranverë, nënkupton ta pranosh rrezikun e dimrit. Për të qenë i pranishëm, do të thotë ta pranosh rrezikun e mungesës.

10. Gjuha është burim keqkuptimesh. Por, dita ditës, do mund të ulesh pak më afër … ”/KultPlus.com