Apple Pay tashmë i disponueshëm edhe në Kosovë, një hap i madh drejt digjitalizimit të pagesave

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) ka njoftuar zyrtarisht se shërbimi global i pagesave Apple Pay është bërë i disponueshëm edhe në Kosovë, duke shënuar një arritje të rëndësishme në drejtim të modernizimit të sistemit financiar dhe rritjes së përfshirjes digjitale.

Përmes këtij shërbimi, qytetarët dhe bizneset në Kosovë do të mund të kryejnë pagesa të shpejta, të sigurta dhe pa kontakt duke përdorur pajisjet Apple, si iPhone dhe Apple Watch. Kartelat bankare mund të lidhen me Apple Pay përmes bankave dhe institucioneve financiare në vend, në përputhje me marrëveshjet individuale dhe integrimet teknike që secila prej tyre kërkon, përcjellë KultPlus.

Sipas BQK-së, kjo nismë vjen si vazhdim i përpjekjeve për digjitalizimin e tregut financiar në Kosovë dhe ndjek integrimin e mëhershëm të Google Pay. Apple Pay konsiderohet një element kyç për përmbushjen e standardeve moderne evropiane për pagesa digjitale dhe zgjerimin e qasjes në shërbime financiare ndërkombëtare.

BQK ka theksuar se ky hap është rezultat i një bashkëpunimi të ngushtë me sektorin bankar dhe partnerët ndërkombëtarë, me një mirënjohje të veçantë për mbështetjen e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në kuadër të Planit Strategjik 2024–2028, BQK shprehet se do të vazhdojë të mbështesë transformimin digjital të sistemit financiar dhe të sigurojë kushte sa më të favorshme për përhapjen e teknologjive të avancuara në shërbim të qytetarëve dhe bizneseve në Kosovë./KultPlus.com