Belgjika ka njohur zyrtarisht praninë e atasheut të mbrojtjes së Republikës së Kosovës në Bruksel, një zhvillim i rëndësishëm diplomatik që forcon marrëdhëniet bilaterale dhe afron më shumë Kosovën me NATO-n dhe Bashkimin Evropian.
Lajmi u bë i ditur gjatë një konference të përbashkët për media nga ministri i Mbrojtjes së Belgjikës, Theo Francken, dhe ministri në detyrë i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci.
Lajm fantastik!
Përmes një konference të përbashkët për media, së bashku me ministrin e mbrojtjes të Belgjikës, Theo Francken, bëm të ditur që bashkëpunimi bilateral ndërmjet dy shteteve po merr një hap tjetër zhvillimi. Belgjika zyrtarisht mirëpret atasheun e mbrojtjes së Kosovës në Bruksel, ndërsa sigurisë së vendit që nga ky vit, ky shtet partner i yni, po i kontribuon me angazhimin e trupave ushtarake të tyre në kuadër të KFOR-it.
Mirënjohës pafund për mbështetjen që Belgjika i ka ofruar Kosovës që nga viti 2008, ndërsa jam tejet i entuziazmuar për marrëdhëniet tona që po fillojnë të thellohen në rrugëtimin e Kosovës drejt integrimit euroatlantik.
Në Ballkanin Perëndimor, Belgjika gjithmonë do të ketë Kosovën aleat të besueshëm të saj.
Një nga vjershat e rralla të Kadaresë ku përmendet Kosova. Përgjithësisht tema e Kosovës në atë kohë, konsiderohej tabu në letërsi.
E hidhur vjeshtë e këtij viti Kosovën gjeti nën terror. Korba të zez mbi të ia mbërritën, Hetues, gjykatës e prokurorë.
Me dhjetë vjet burg, me tetë, me shtatë, Me dymbëdhjetë dënojnë diku. Kështu mes jush shekullin ndani, Dhe mijëvjeçarin ndani ju.
Kështu e prekni historinë, Mbi supe e mbartni ju sërish. Prangat në shkollë që i mësonit Në duar ndjetë befasisht.
Dhe patë se koha e mesjetës S’qe larg dhe veç në libra s’qe, Dhe u kthye nata e Prishtinës Në natë Shën Bartolemeu.
U ngritët ju viganë, fisnikë Me korrektesë e madhështi. Ngaqë kërkuat Republikë, U shtypët si në monarki.
Por koha kurrë s’vjen përgjysmë, Natë e masakrës vetëm s’mbërrin, Se pas Dushanit car të frikshëm Rrufeshëm Skënderbeu arrin.
S’kish dëshmitarë, TV nuk pati Zinxhiri i tankut kur ju griu, Por retë e globit veg ju panë,
Ndërgjegje e botës te ju mbërriu. Kështu në vorbull të epokës U ngritët ju si monument, Ju që e prekët historinë, Dhe n’histori u kthyet vetë. / KultPlus.com
Ministri në detyrë i Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sporte, Hajrulla Ceku ka njoftuar se ka filluar projekti “Kujtesa e masakrave në Kosovë”, e që për këtë projekt janë përfshirë katër institucione të Kosovës.
Ky projekt do të përfshijë të mbijetuarit e masakrave të Kosovës, gjatë luftës së fundit në Kosovë dhe se këto dokumentime do të bëhen me audio-intervista.
Më poshtë po e sjellim njoftimin e plotë mbi këtë projekt-dokumentim.
Rrëfime që nuk guxojnë të humbin. Zëra që duhen dëgjuar, ruajtur dhe kujtuar përherë.
Ka nisur projekti tre vjeçar “Kujtesa e masakrave në Kosovë” që do të dokumentojë rrëfimet e të mbijetuarve dhe dëshmitarëve nga dhjetë prej masakrave më të rënda të luftës në Kosovë, 1998–1999. Mbi 1000 intervista audio që do të bëhen pjesë e një arkive publike që ruan kujtesën dhe të vërtetën.
Projekti realizohet nga Instituti për Krimet e Kryera gjatë Luftës, në bashkëpunim me Institutin e Antropologjisë të Universitetit të Prishtinës, Bibliotekën Kombëtare dhe Muzeun Kombëtar të Kosovës, me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës.
Dokumentimi dhe ekspozimi i krimeve të regjimit serb ndaj shqiptarëve është obligim për të cilin po angazhohemi çdo ditë./ KultPlus.com
Kosova ka hapur Këndin e Librit në Bibliotekën Kombëtare të Bullgarisë “Shën Kirili dhe Metodi”.
Ambasadori i Kosovës në Bullgari, Haxhi Bajraktari tha se përzgjedhja e shënimit të kësaj dite të rëndësishme përmes inaugurimit të këndit të librit pasqyron dëshminë dhe përkushtimin për t’i dhënë një dimension të ri marrëdhënieve aktuale dypalëshe dhe për t’i ngritur në një nivel më të lartë fushat e bashkëpunimit me interes të përbashkët.
Drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, Blerina Rogova-Gaxha theksoi se ky kënd përfaqëson jo vetëm prezencën kulturore të Kosovës, por gjithashtu përpjekjen për të ndërtuar ura miqësie përmes librit, gjuhës dhe dijes.
“Librat që sot vendosen këtu përfaqësojnë zërin e letërsisë dhe të mendimit shqiptar, si edhe përpjekjen tonë për të ndërtuar ura miqësie kulturore në një Evropë që bashkon e respekton diversitetin: një hap konkret drejt njohjes, shkëmbimit dhe afrimit përmes librit”, tha ajo.
Ndërkaq drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare të Bullgarisë, Kalina Ivanova, ka thënë se hapja e këndit është një konfirmim se letërsia është ambasadori më i mirë i mundshëm i bashkëpunimit midis vendeve.
“Siç e dimë, bibliotekat nuk janë vetëm për ruajtjen e trashëgimisë kulturore, por shërbejnë si institucione për t’i përafruar vendet dhe kulturat, dhe ne sot kemi nderin të hapim në bibliotekën tonë këndin e librit shqip nga Kosova”, ka thënë ajo.
Këndi i Librit të Kosovës do të jetë një hapësirë e përhershme në Bibliotekën Kombëtare të Bullgarisë, duke ofruar vepra të autorëve shqiptarë dhe botime të rëndësishme për historinë dhe kulturën shqiptare.
Akademia e Shkencave e Shqipërisë, në bashkëpunim me Institutin e Gjuhësisë dhe Letërsisë, Departamentin e Studimeve Letrare dhe Degën e Letërsisë pranë Institutit Albanologjik të Prishtinës, janë bashkorganizatorë të konferencës shkencore me temën: “Autobiografia në letërsinë shqipe”.
Në këtë konferencë shkencore do të marrin pjesë këta studiues nga Instituti Albanologjik: Hysen Matoshi: “Ditari si autobiografi”, Meliza Krasniqi: “Letërsia si akt kujtese: gratë që rikrijojnë heroinat”, Gëzim Aliu: “(Auto)biografi në letërsi”, dhe Adil Olluri: “Studimi i Agron Y. Gashit mbi autobiografinë”.
Ngjarja do të mbahet sot, nga ora 09:30, në ambientet e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, gjegjësisht në sallën “Akademikët”.
Ambasada Gjermane në Kosovë ka njoftuar se Institutiti Arkeologjik Gjerman dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës, kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi në fushën e arkeologjisë.
“Sot, Instituti Arkeologjik Gjerman dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit nënshkruan një marrëveshje kornizë që ngritë në një nivel të ri bashkëpunimin tonë në fushën e arkeologjisë,” thuhet në njoftimin e Ambasadës Gjermane.
Marrëveshja u nënshkrua nga Dr. Lukas Werther dhe Bislim Bislimi, në prani të ambasadorit gjerman Jorn Rohde dhe ministrit Hajrulla Çeku. Kjo marrëveshje synon të vendosë themelet për projekte të reja të përbashkëta dhe shkëmbim të ekspertizës profesionale në mes të të dyja vendeve./ KultPlus.com
Në të gjithë Kosovën, më 28 mars të vitit 1989, shpërthyen protestat e mëdha kundër ndryshimit të Kushtetutës së Kosovës nga parlamenti serb.
Kjo datë shënon edhe pushtimin e Kosovës nga forcat ushtarake serbe. Nga sulmet e ushtrisë serbe, që në ditën e parë të demostratave u vranë 22 persona dhe u plagosën qindra të tjerë.
Kjo datë e furishme dhe e përgjakshme ka hyrë në historinë e Kosovës si ditë e manifestimit të vullnetit për pavarësi. Me gjithë dhunën e egër, kosovarët nuk e ndërprenë luftën dhe përpjekjet për lirie pavarësi. Dy vite më vonë, u shpall pavarësia e vendit, në vitin 1991, u përfundua referendumi, ku kosovarët shprehën dëshirën e tyre që të jetojnë të lirë dhe të pavarur në vatrat dhe në trojet e tyre.
Ndërkaq në vitin 1992 u zhvilluan zgjedhjet për deputet në parlamentin e Kosovës dhe për Kryetarin e Republikës. / KultPlus.com
Rrjeti për Zhvillim të Qëndrueshëm të OKB-së, në “Ditën Botërore të Lumturisë” ka publikuar Raportin Botëror të Lumturisë, ku ka renditur vendet të cilat kanë popullin më të lumtur.
Në këtë raport vendin e parë e ka zënë Finlanda, si vendi më i lumtur në botë, dhe pas këtij shteti vijnë Danimarka në vendin e dytë, Islanda në vendin e tretë, Suedia zë vendin e katërt dhe Holanda vendin e pestë.
Në listë, Kosova ka zënë vendin e 29, duke bërë me dije se qytetarët e Kosovës janë më të lumturit në Ballkan.
Pas Kosovës, prej vendeve ballkanike vjen Serbia në vendin e 31, Bosnja dhe Hercegovina në vendin e 56-të, Mali i Zi në vendin e 71, Maqedonia e Veriut në vendin e 86-të si dhe Shqipëria në vendin e 89.
Në kapitullin e tretë të raportit, tregohet se ka shumë mënura që të kujdesemi dhe të ndajmë me njëri-tjetrin si për shembull të ngrënit vetëm nuk është e mirë për mirëqenien tuaj.
Ndryshe, në korrik 2012, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara shpalli një rezolutë, sipas së cilës Dita Ndërkombëtare e Lumturisë do të shënohet çdo vit më 20 mars./KultPlus.com
Në Vjenë të Austrisë më 10 mars 2007, mbarojnë bisedimet për statusin përfundimtar të Kosovës mes shqiptarëve dhe serbëve pa marrëveshje.
Të pranishëm ishin krerët e Kosovës Fatmir Sejdiu, Agim Çeku, Kolë Berisha dhe të tjerë dhe Serbisë, Boris Tadic, Vojislav Kostunica dhe të tjerë, si dhe i dërguari i OKB-së për statusin, Martti Ahtisaari.
Ahtissari shprehu keqardhje që nuk është arritur asnjë marrëveshje. Ai edhe njoftoi se dokumenti përfundimtar për statusin e Kosovës do t’i dërgohet Këshillit të Sigurimit të OKB-së në fund të këtij muaji.
Albert Rohan, bashkëpunëtor i Martti Ahtisaari i dorëzon OKB-së propozimin e Ahtisaarit për statusin e Kosovës, 15 mars 2007. Plani direkt propozon pavarësi për Kosovën. / KultPlus.com
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë mbledhjes solemne të qeverisë në nder të 17-vjetorit të pavarësisë së Kosovës, është shprehur se ky vit e zë Kosovën me arritje dhe suksese që janë punuar mbi amanetin e dëshmorëve.
Kurti për nder të përvjetorit të pavarësisë u ka uruar gjithë qytetarëve të Kosovës 17-vjetorin e shtetësisë.
“Liria për të cilën kemi sakrifikuar kaq shumë kërkon demokraci e cila mundëson që të dëgjohet zëri i popullit dhe të drejtat e tyre”, tha Kurti.
Ai tha se tani kemi institucione që garantojnë të drejtat e njeriut dhe pakicat.
“Republika jonë është më e fortë se kurrë. Ekonomia po rritet shpejt dhe qëndrueshëm, kemi ndërtuar shtet solidar për qytetarë. Po lëvizim në 38 shtete pa viza. Kurse jemi indeksuar më lartë për rend dhe ligj”, tha Kurti duke theksuar se prinë Kosova sot prinë dhe për të drejtat politike dhe civile./KultPlus.com
Në kuadër të Javës Kulturore të Kosovës në Slloveni, Kori i Filharmonisë së Kosovës është prezantuar me një koncert në sallën “Marjan Kozina”, në Ljublanë, shkruan KultPlus.
Në këtë koncert të mbajtur përpara personaliteteve të jetës kulturore dhe politike të Sllovenisë, i pranishëm ishte edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Nën drejtimin e dirigjentit Baki Jashari, u interpretuan vepra nga kompozitorë të njohur nga Kosova dhe Shqipëria, si Rafet Rudi, Mendi Mengjiqi, Baki Jashari, Vasil S. Tole dhe Hajrullah Syla.
Përpara publikut u prezantuan gjithashtu edhe vepra nga kompozitorë ndërkombëtarë, si Eric Whitacre, Ambrož Čopi, Laura Jēkabsone dhe Jake Runestad.
“Performancat e mrekullueshme nga solistët dhe Kori i Filharmonisë u përcollën me duartrokitje të gjata nga publiku.
Ky ishte koncerti i fundit i Korit të Filharmonisë për vitin 2024. Aktivitetet e këtij viti do të përmbyllen me Gala Koncertin e Vitit të Ri, i cili do të mbahet më 21 dhjetor 2024, në AMC Hall, në Prishtinë, duke filluar nga ora 19:30″, thuhet në njoftimin e MKRS./ KultPlus.com
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka njoftuar se Kosova dhe Kanadaja do ta fillojnë Programin e Bashkëpunimit në Trajnim Ushtarak.
Përmes një postimi në Facebook, Osmani tha se asaj dhe ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ua dha lajmin ministri i Mbrojtjes së Kanadasë, Bill Blair.
“Një lajm i mrekullueshëm sot nga Halifaxi: Kosova dhe Kanadaja do ta fillojnë Programin e Bashkëpunimit në Trajnim Ushtarak. Së bashku me ministrin e Mbrojtjes Ejup Maqedonci, në Forumin Ndërkombëtar të Sigurisë në Halifax, takuam ministrin e Mbrojtjes të Kanadasë, Bill Blair, i cili na dha lajmin e mirë rreth këtij Programi, pas kërkesës që ia kam bërë ish-Ministres së mbrojtjes gjatë vizitës sime të mëparshme në Kanada. Kosova dhe Kanadaja – një partneritet në rritje në dobi të qytetarëve, paqes dhe sigurisë”, ka shkruar Presidentja Osmani./ KultPlus.com
Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, ka përgëzuar Kosovën për mbështetjen e dhënë ndaj Ukrainës.
Në organizimin për Ditën e Ukrainës nga shtetet e QUINT-it, ai theksoi se Kosova është në mesin e shteteve ndërkombëtare që e mbështeti Ukrainën.
“Ne do të qëndrojmë me Ukrainën për sa kohë që duhet kjo nuk është vetëm një premtim, por edhe një zotim që shumë shtete e kanë bërë, jam krenar të them që Kosova ka qenë pjesë e kësaj mbështetje nga fillimi”.
“Ky solidaritet veçanërisht i jashtëzakonshëm pasi që Ukraina nuk e ka njohur ende Kosovën si shtet sovran, ende kosovarët bashkëndjejnë dhimbjen e ukrainasve që nga ditët e fillimit të luftës”, tha Rohde. /Klankosova.tv/ KultPlus.com
Edicioni i pestë i festivalit të filmit ‘Kino Kosova’ do të mbahet në Bernë nga 11 deri më 15 shtator. Sipas njoftimit të organizatorëve, festivali i këtij viti përqendrohet në temën “Contemplating” – “Përsiatje”, duke shfaqur filma nga Kosova dhe diaspora e saj në kinematë e Bernës.
Sivjet në ‘Kino Kosova’ do të shfaqen mbi 30 filma, duke ofruar një program të larmishëm dhe atraktiv.
Bosnja dhe Hercegovina është shteti mysafir këtë edicion në bashkëpunim me Sarajevo Film Festival dhe Shoqatën e kineastëve nga Bosnje dhe Hercegovina, dhe me një program të veçantë me filmat e shkurtër zviceranë në bashkëpunim me Festivalin e Filmit të Shkurtër nga Winterthur (Kurzfilmtage Winterthur).
“Përveç shfaqjeve të filmave, pjesëmarrja e artistëve do të jetë e lartë dhe do të ketë panel diskutime, ku audienca do të ketë mundësinë të thellohet në tema të ndryshme së bashku me kineastët dhe artistët. Midis tyre, një panel do të eksplorojë artin e filmave të shkurtër, ndërsa një tjetër do të shqyrtojë fuqinë transformuese të festivaleve të filmit në shoqëritë e pasluftës. Gjithashtu, festivali ka kënaqësinë të mirëpresë dy artiste nga Kosova, Blerta Hashani dhe Lumturie Krasniqi, të cilat po marrin pjesë në një rezidencë artistike në qendrën kulturore PROGR në Bernë përpara se të prezantojnë punën e tyre gjatë festivalit”, thuhet në njoftimin e organizatorëve të festivalit.
Gjithashtu, festivalit do t’i shtojnë ngjyra muzikore edhe artistja shqiptare Linda Rukaj dhe kuarteti i saj.
Ministria e Drejtësisë e Kosovës ka thënë të mërkurën se kërkesa e Serbisë për të siguruar informacione për sulmin në Banjskë të Zveçanit, një vit më parë, është në kundërshtim me disa pika të Ligjit për bashkëpunim juridik ndërkombëtar, dhe në bazë të ligjeve të Kosovës, vetëm organet gjyqësore të Kosovës kanë juridiksion t’i gjykojnë çështjet që pretendohet se janë kryer brenda territorit të vendit.
Më 24 shtator të vitit të kaluar, një grup i armatosur serb e ka sulmuar Policinë e Kosovës në Banjskë, duke lënë të vrarë zyrtarin e Policisë së Kosovës, Afrim Bunjakun.
Në shkëmbim e sipër të zjarrit janë vrarë edhe tre sulmues serbë.
Përgjegjësinë për sulmin – që Kosova e konsideron terrorist – e ka marrë ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq, i cili tani besohet se është në Serbi.
Hetimet për këtë rast po kryhen në Kosovë nga Prokuroria Speciale, dhe burimet e Radios Evropa e Lirë brenda këtij institucioni, kanë thënë se para vjeshtës pritet të ngrihet një aktakuzë në rastin Banjska.
Hetime për këtë rast po kryen edhe Prokuroria e Lartë në Beograd, e cila ka kërkuar informacione në Kosovë për rastin Banjska, përmes Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit, EULEX.
Zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë ka konfirmuar javë më parë për Radion Evropa e Lirë se e ka pranuar kërkesën e autoriteteve të Serbisë dhe ua ka përcjellë autoriteteve të Kosovës.
Në reagimin e Ministrisë së Drejtësisë është përmendur që Kosova nuk ka marrë asnjëherë përgjigje nga Serbia, në kërkesën e bërë në tetor të vitit të kaluar, “për dorëzimin e kriminelëve në mënyrë që ata të përgjigjen para drejtësisë në Republikën e Kosovës”.
Kjo ministri ka bërë thirrje për një kryerjen e një hetimi ndërkombëtar për, siç ka thënë, “bazat e trajnimit të terroristëve në territorin e Serbisë, përfshirjen e Serbisë në financim dhe furnizim me armatim të terroristëve”.
Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë,më 14 gusht se, Kosova mund të ndihmojë në mbajtjen e Radoiçiqit përgjegjës për veprën penale.
“Sa e di unë dhe zyrtarët serbë kanë folur për këtë, ata kanë parashtruar kërkesë zyrtare përmes kanaleve zyrtare për ndihmë juridike reciproke, që t’ju sigurohen provat që iu duhen për ta ndjekur penalisht z. Radoiçiq, të cilat i kanë autoritetet kosovare. Sërish, në baza politike, do të shpresoja që Qeveria e Kosovës t’i përgjigjet kësaj kërkese, sepse dëshironi që të siguroni që të ketë ndjekje penale dhe që z. Radoiçiq, si dhe të tjerët që ishin të përfshirë, të japin përgjegjësi për veprën e tyre kriminale”, ka thënë Hovenier.
Mekanizmi ndërkombëtar u ka bërë thirrje disa herë autoriteteve në Serbi që t’i mbajnë përgjegjës të gjithë ata që kanë përgjegjësi për këtë rast.
Kosova as në vitin 2025 nuk do të marrë pjesë në Eurovision.
Transmetuesi Publik i Kosovës RTK nuk e ka marrë ftesën e lakmuar nga Unioni Evropian i Transmetuesve (EBU) për të marrë pjesë në Festivalin e Këngës Eurovision 2025 në Zvicër.
Sipas një postimi të llogarisë zyrtare të Kosovës në Eurovizion në X (ish-Twitter), EBU nuk dha dritën jeshile për arsye politike, shkruan Eurovision News.
Po ashtu, ata kanë konfirmuar për RTK-në se për të marrë pjesë në garën evropiane të muzikës duhet të bëhen anëtarë të plotë të organizatës së transmetuesve publikë të gjitha shteteve.
Kur atdheut i rrxohen kështjellat I shemben pirgjet urat kullat I zihet fryma I mpikset gjaku Themelet kur i luejnë vendit Rozafë ajo bahet Sall gjinin e djathtë e len përjashta Gjergji Muji Halili Ademi Shabani Hamza Pijnë tambël Forcadë marrin Për lufta t’rrebta Tevona Si rr’fe prej qielle Veç nji za ndihet “Oj Kosovë, mos thuej mbarova, Se djemtë tu ende janë gjallë…”./ KultPlus.com
Mbrëmë përfundoi Beerfest Kosova 2024, ku për katër natë radhazi solli argëtim dhe atmosferë të jashtëzakonshme për mijëra vizitorë. Në mesin e vizitorëve pati edhe turistë nga vende të ndryshme të botës të cilat sipas organizatoreve u mahnitën nga pritja dhe organizimi.
“Gjithçka ishte në nivelin e duhur dhe sipas planifikimeve tona. Jemi ndarë shumë të kënaqur duke filluar nga pjesa argëtuese, promovimi i birrave, sigurimi dhe mbarëvajtja e festivalit në përgjithësi. Ajo çfarë na bënë krenarë është edhe vlerësimi i nivelit të lartë nga vizitorët të cilët na dhanë komente te mrekullueshme Kjo tregon që ky festival çdo herë me shumë po i ofrohet organizimeve me standarde me te larta evropiane”, tha zëdhënësja e këtij edicioni Rina Zeka nga kompania Eventure.
Gjatë këtyre netëve të festivalit për argëtimin e të pranishmëve u kujdesën disa bende dhe artistë të mirënjohur siç janë: Burak Yeter, Stealth & Vinz (Hellbanianz), Yll Limani, Geasy, Sabri Fejzullahu, Sinan Vllasaliu, Kida, Buta, Ardi dhe Mirdoni, Diona Fiona, Grupi 403, Blerando, La Fazani, Gillespie, Zwada, Haliband dhe Dj Biggby.
Sikurse edhe në edicionet e kaluara, Beerfest Kosova ju dha hapësirë edhe disa artistëve të rinj Redon Berani, Young Arti, Leyla, etj.
Festivali ofroi laramani aktivitetesh për të gjithë vizitorët, duke përfshirë degustimin e birrave të shumta një kënd ushqimi dhe pije jo alkoolike, si dhe surpriza tjera të shumta.
Përkrahësit e këtij edicioni ishin: Birra Lasko (Sponzor Gjeneral), Vuse (Sponzor i Arte), Artmotion, Golden Eagle, Prishtina Mall dhe Komuna e Prishtines.
Brende dhe kompani tjera qe e bene te mundur këtë edicion ishin edhe: Birra Tuborg, Somersby, Carlsberg, Heineken, Krombacher, Paulaner, Becks pastaj 2U, Gekos, Crystal24, Senses dhe Pizza Crust.
Ky edicion u zhvillua ne partneritet me: AMC Corporation, Modus Events, PR Solutions, Tenda3, Besa Security, Zahiri dhe Polica e Kosovës.
Adhuruesit e futbollit qe ishin në beerfest patën mundësinë të shohin edhe finalen e madhe te UEFA EURO 2024, mundësuar nga Transmetuesi Zyrtar ArtMotion.
Këtë edicion e veçoi skena gjigante, programi artistik i jashtezakonshem dhe organizimi i nivelit ma te larte!
Zëdhënësja, Zeka paralajmëroi se risitë për edicionin e radhës janë ndryshimi i lokacionit si dhe ndryshimi i konceptit të festivalit në diçka më ndryshe se edicionet e fundit.
Kryeministri Albin Kurti, u është drejtuar mërgimtarëve me një postim në Facebook, ku i ka njoftuar se nga e hëna, ata që vijnë me automjete do të marrin falas policën e sigurimit me vlefshmëri një muaj, në cilëndo prej pikave kufitare hyrëse.
Kurti u ka uruar atyre mirëseardhje në vendlindje, derisa ka thënë se Kosova i pret me krahë t’hapur.
“Ju që do të vini me automjete, nga e hëna mund të merrni falas policën e sigurimit me vlefshmëri një muaj, në cilëndo prej pikave kufitare hyrëse. Mirë se vini në vendlindje! Pushime të këndshme!”, ka shkruar Kurti.
Sot, futet në fuqi “Ligji për Modernizimin e Shtetësisë së Republikës Federale të Gjermanisë” (StARModG).
Me ligjin e ri, bie kushti i heqjes së shtetësisë tjetër, për të marrë shtetësinë gjermane. Pas kësaj date, ish-shtetasit e Republikës së Kosovës që e kanë dorëzuar shtetësinë kosovare për të marrë atë gjermane mund të aplikojnë për rifitimin e shtetësisë së Republikës se Kosovës.
Në vegzën në vijim, mund t`i gjeni të gjitha informacionet mbi procedurën për fitimin e shtetësisë së Kosovës:
Festivali Beerfest Kosova 2024, shpalos disa nga emrat e shquar të artistëve të cilët do të perforcojnë gjatë katër netëve aq sa do të zgjas festivali. Ndër ta, emrat e njohur si , Yll Limani, Ghetto Geasy, Sabri Fejzullahu, Sinan Vllasaliu, , Diona Fiona, Grupi 403, Ardi dhe Mirdoni, Buta, Blerando, Kida, La Fazani janë vetëm fillimi i një liste që do të vazhdojë të shtohet ditë pas dite.
Në ditët në vazhdim, do të prezantojmë emra tjerë të skenës muzikore që do të performojnë në festival.
Festivali nuk përfshin vetëm muzikën, por ofron një laramani aktivitetesh për të gjithë vizitorët. Nga degustimi i birrave të shumta vendore dhe ndërkombëtare, deri te këndi i ushqimit dhe pijeve jo alkoolike nuk do të mungojë asgjë për ta bërë këtë përvojë sa më mbresëlënëse për të gjithë.
Pra, bashkohuni me ne për të përjetuar emocionin, shijuar birrën duke krijuar kujtime të paharrueshme në BeerFest Kosova 2024!
Pagesat do të jenë “Cashless”, pra do të bëhen në mënyrë elektronike me byzylyk, në pikën e dedikuar brenda hapësirës së festivalit.
Beerfest Kosova do të mbahet në Parkingun prapa Pallatit të Rinisë në Prishtinë nga data 12 deri më 15 korrik 2024.
Për më shumë informacione rreth agjendës së aktiviteteve dhe për të rezervuar biletën tuaj në kohë, na ndiqni në rrjetet sociale Facebook dhe Instagram.
Kjo do të jetë një përvojë për të mos u harruar, me muzikë, birrë, ushqim dhe shumë surpriza të tjera!/ KultPlus.com