“Bërbili”, thesari muzikor i Arbëreshëve të Kroacisë

Arberëshët e Kroacisë janë pak të njohur, po ata ruajnë në Zarë një thesar muzikor, që e zbuluan studiueset Dina Bušić e Melita Ivković. Këngët e vjetra arbëreshe janë ura lidhëse brenda trashëgimisë kulturore europiane.

Këngëtarja e studiuesja, Dina Bušić bashkë me kitaristen, Melita Ivković

Një muzikologe e re nis një hulumtim në kuadër të studimeve në Akademinë e Muzikës në Zagreb në vitin 1999 dhe zbulon papritur një botë të panjohur më parë për të. Dina Bušić, vetë nga ana e nënës me rrënjë nga Arbëreshët e Zarës nuk e dinte fillimisht kur regjistroi këngë e fragmente këngësh me gjyshen apo këngëtarë të moshuar, se ato ishin sjellë 300 vjet më parë nga arbëreshët e shpërngulur nga zonat e Liqenit të Shkodrës drejt Kroacisë.

Shpëtimi i një thesari të harruar

Ky zbulim e nxiti Dina Bušić t’i kushtohej jo vetëm mbledhjes, por edhe përpunimit të tyre derisa një ditë ato ishin të gatshme për t’u regjistruar në albumin “Berbili” në Kishën Marijana të ishullit Zlarina që njihet për akustikën e mrekullueshme. “Në një farë mënyre është trashëgimia ime familjare, por në anën tjetër është puna ime shkencore, sepse derisa pyeta, nuk e dija që ato ishin këngë ‘arbnesh’. Kjo traditë seriozisht kishte filluar të zbehej shumë. Për fat të keq sot nuk ka asnjë mënyrë për të mësuar mbi këtë repertor tradicional, kështu në një lloj mënyre, ne e shpëtuam atë nga harresa e plotë”, rrefen studiuesja. Ishte muzikologja e kitaristja, Melita Ivković që e nxiti Dinën të mos e humbisnin këtë thesar. “Ne na u bë e qartë, se nëse nuk do të ndërmerrnim diçka, ky thesar do të humbiste njëherë e përgjithmonë”, thotë Ivković.

Prof. Dr. Eckehard Pistrick

Tradita e arbërëshevë të Kroacisë është “në hije” krahasuar me tradita të tjera të diasporës, thekson Prof. Eckehard Pistrick, etnomuzikolog në Institutin për Etnomuzikologjinë Europiane në Universitetin e Kölnit dhe drejtues i degës së Shoqatës së Europës Juglindore për Kölnin, prandaj ai e kishte për zemër organizimin e një mbrëmjeje të tillë. Bashkë me rrjetin UraCult që angazhohet prej disa vitesh në prezantimin e ndërlidhjen e kulturës shqiptare në Gjermani e Europë ata sollën në Köln studiueset e muzikantet, Dina Bušić dhe Melita Ivković të prezantojnë këngët arbëreshe. Ali Salihu, nga kryesia e UraCult, që gjithmonë e ka tërhequr historia arbëreshe rrëfen, se bashkëpunimi kishte një parahistori.

“Vetë kam qenë disa herë në Zarë dhe kam vizituar Arbanasin, kam kuptuar se kjo pakicë ka kontribuar në Kroaci me disa personalitete të ndryshme.[..] Kur lexova për këtë album, e kontaktova menjëherë zonjën Bušić dhe doja që një ditë ta prezantojmë këtë projekt shumë të mirë, në Köln. Ne si Uracult nuk e shohim veten vetëm si shoqatë shqiptare, por si urë lidhëse mes të gjitha vendeve të Evropës Juglindore e Gjermanisë, prandaj jemi të lumtur që të prezantojmë për herë të parë edhe artistë nga Kroacia.”

Ali Salihu nga kryesia e UraCult

“Dina e Mel”, siç paraqitet dueti në koncerte, u desh të punonin gjatë për këtë album bashkë me artistë të tjerë të njohur. Sepse nuk mjaftoi vetëm mbledhja e fragmenteve muzikore e këngëve, atyre u desh të konsultonin shumë burime për t’i rikonstruktuar këto këngë herë melankolike, herë humoritiske që i kushtohen dashurisë, natyrës, nënës, familjes e nostalgjisë për vendlindjen.

“Janë këngë shumë emocionuese, del në pah se janë këngë të vjetra, këngë që nënat i kanë kënduar me fëmijët e tyre prej shumë e shumë kohësh, një gjuhë e thjeshtë, gjuhë e shtëpisë, që automatikisht tek dëgjuesi sjell emocione familjare. Por me këtë koncert këngëtarja dhe kitaristja na treguan, se si mund të transfomohet muzika që është trashëguar në familjet në një ambient të ngushtë, në një muzikë që transporton dhe kthehet në një urë mes kulturave, sepse ajo ka treguar që e njëjta këngë ekziston në disa gjuhë dhe ka përdorur elementë nga gjuhë të ndryshme për të kombinuar këtë”, thotë Dr. Adelheid Feilcke, drejtuese e Programeve të Europës e Ballkanit Perëndimor në Deutsche Welle, eksperte prej vitesh jo vetëm e politikës së Ballkanit.

Ajo vetë ka hulumtuar dikur në Shqipëri mbi etnologjinë e muzikës.

Dr. Adelheid Feilcke, drejtuese e Programeve të Europës e Ballkanit Perëndimor në Deutsche Welle

Muzika si element lidhës i popujve të Ballkanit jo ndarës

Disa prej këtyre këngëve, “Dina e Mel” ia prezantuan publikut entuziast në Köln  të enjten (16.09.) pas një tryeze diskutimi mbi strategjitë e ruajtjes, rinkonstruktimit dhe përçuarjes së trashëgimisë kulturore të pakicave në Europën Juglindore. Muzika zë një vend të veçantë në ruajtjen e identitetit të një pakice, thotë Prof. Pistrick.

Këto këngë “rrëfejnë për transformimin kulturor, përmes mobilitetit njerëzor, historinë e rezistencës kulturore dhe përshtatjes. Rëndësi ka një qasje  “muziko-arkeologjike”, që do të thotë që tradita të tilla të dokumentohen në studime etnomuzikologjike, por edhe të shihen burime të arkivave fonikë dhe të shkruara. Kjo është një punë gati kriminologjike, por ajo na mundëson të rikonstruktojmë një larmi të gjithë, nga e cila sot në botën ekzistojnë vetëm fragmente.

Podium diskutimi në Köln, 16.09.2021

Në kulturën e pakicave nuk bëhet fjalë vetëm për identitetin e ruajtjen e tij. Aty reflektohen edhe konfliktet e përplasja me shoqërinë e shumicës, ngjizet historia kombëtare e lokale. Por e kanë fuqinë të luajnë një rol pajtues thesarë të tillë që nxirren nga historia? Adelheid Feilcke është e bindur se këtë rol bashkues nuk e luan vetëm muzika, por edhe elementë të tjerë të trashëgimisë kulturore imateriale.

“Për mua kjo muzikë është një shembull i mirë, si mund të krijohet një urë kulturore përmes muzikës. Doja të shtoja, se shpesh muzika në Ballkan, Europën Juglindore merret më shumë me frymën e ndarjes, kjo është e jona, kjo është e jotja, por në qoftë se ti analizon, del që muzika është shumë e ngjashme tek njëri e tjetri. Ndoshta ata këndojnë në gjuhë të ndryshme, por baza muzikore është e njëjtë. Duke marrë këtë si shembull do thoja se mund të gjejmë shumë elementë të përbashkët të muzikës për t’i ndërlidhur më shumë popujt e Ballkanit. Përmes muzikës, si element emocionues  i kulturës, ne mund të kapërcejmë kufijtë.”

“Kthyem pjesë të thesarit muzikor në Shqipëri”

Arbëreshët në Kroaci janë pjesë e larmisë së pakicave kulturore në Europën Juglindore, si ajo e romëve, vllehëve, pomakëve, larmi që po zbulohet gjithnjë e më shumë nga studiuesit këto kohë. “Kultura e pakicave ka rëndësi të madhe, sepse ajo krijon ura mes shoqërisë së shumicës dhe pakicës”, thotë Prof. Pistrick prandaj ka shumë rëndësi një politikë kulturore që ruan dhe rivitalizon kulturën e pakicave.

“Mbetet problematike, që për shkak të një politike të UNESCO-s të orientuar nga trashëgimia kulturore e shteteve kombëtare, ajo merr më pak vëmendje, pasi kjo kulturë nuk kategorizohet vetëm tek një shtet kombëtar”, thekson ai.

Dina Busic që është edhe drejtuese e zyrës së Kulturës në Zarë është krenare që risjellja për publikun e këngëve të tilla të vjetra dhe  albumi “Bërbili” rizgjuan edhe më shumë interesin tek arbanasit për traditën e tyre dhe përçimin e saj tek brezat. e rinj. Në Arbanasi ka edhe një shkollë të vogël shqipe, dhe organizata që i kushtohen ruajtjes së kulturës arbëreshe. Pavarësisht, se në jetën e përditshme, vetëdija si arbëresh nuk luan donjë rol, thotë Bušić.

“Bërbili” nuk këndoi vetëm në Köln. Ai ishte në korrik edhe në Festivalin në Kalanë e Rozafës, një moment emocional për Dina Bušić. “Kur patëm një koncert para 2000 vetëve në Rozafa, dhe biseduam pas koncertit me njerëzit, organizatorët, e muzikantët kuptuam, se nuk bëmë vetëm diçka që ndihmoi Arbëreshët e Zarës, për të ruajtur kulturën e tyre, por e kthyem edhe pjesë të thesarit muzikor në Shqipëri. Ishte emocionuese se si ata dalluan fjalë të vjetra gegërisht, fjalë arkaike sic thanë ata, që i dinin nga stërgjyshërit e tyre.

Rrugëtimi i Bërbilit vazhdon në Köln me prezantimin e Festivalin “Migrant Music Manifesto” dhe më pas synon të shkojë edhe në Tiranë e Prishtinë. / KultPlus.com

Arbëreshët e Kroacisë, historia e shqiptarëve të Zarës

Arbëreshët e Veriut në Kroaci janë me prejardhje shqiptare dhe besim fetar katolik. Paraardhësit e tyre janë shpërngulur nga rajoni i Liqenit të Shkodrës, sot pjesë e Malit të Zi.

Në kohën Shqipëria u pushtua nga Perandoria Osmane, arbëreshët katolikë u zhvendosën në veri midis shekujve XVII dhe XVIII. Ndërsa Arbëreshët Ortodoksë emigruan kryesisht në Italinë e Jugut.

Vala e parë e migrimit në vitin 1655, shkoi në Pula dhe Istria. Një valë e dytë, në 1726-27 dhe 1733, u mbështet dhe u hartua nga Kryepeshkopi i Zadarit Vicko Zmajević dhe Republika e Venecias për të ripopulluar fshatin dhe zonën e pasme të Zadarit, sipas “East Journal”.

Këto grupe u integruan në sferën sociale dhe ekonomike të Dalmacisë Veneciane. Dhe nëse në qytete të tjera bregdetare do ishin asimiluar, në Zadar ata ishin në gjendje të ruajnë gjuhën dhe zakonet e tyre, gjithashtu falë një zgjidhjeje të veçantë.

Në fakt, arbëreshët u vendosën në periferi të Zadarit në një tokë kënetore të furnizuar nga pronari venecian Erizzo, një lokalitet i njohur më vonë si Borgo Erizzo / Varoš Eričina ose Arbënesh / Arbanasi.

Arbanasi do të bëhej aktori kryesor ekonomik në sektorin e ushqimit në Zadar për dy shekujt e gjysmë të ardhshëm.

“Çështja kombëtare” nën sundimin e Habsburgëve

“Çështja kombëtare” që tronditi Dalmacinë në fund të shekullit të 19-të, nën sundimin e Habsburgëve, përfshiu gjithashtu komunitetin shqiptar. Në 1896 u hap një shkollë fillore italiane në Arbanasi dhe në vitin 1901 një shkollë e dytë kroate dhe shqipe.

Në 1873 Partia Kroate e të Drejtave organizoi veprimtarinë e parë publike në Arbanasi, në të cilën udhëheqës u zgjodh Ante Starčević, babai themelues i nacionalizmit kroat. Por kishte edhe pro-italianë në komunitetin shqiptar. Një figurë kryesore italo-arbëreshe ishte Giacomo Vuxani i cili promovoi dhe organizoi Shoqatën Italo-Shqiptare në Zadar në vitin 1910, në një kohë kur marrëdhëniet Italo-Shqiptare po përmirësoheshin në të gjithë rajonin.

Shumë shqiptarë të lidhur me Rilindjen Kombëtare dhe zhvillimin e letërsisë shqipe pas pavarësisë shqiptare të vitit 1912 gjithashtu bënë kontakte dhe vizituan arbëreshët në Zadar, si Faik Konica, Shtjefën Gjeçovi dhe Fan Noli.

Vetë Arbëreshët i dhanë mbështetjen e tyre pavarësisë së Shqipërisë me një dokument në gjuhët arbëreshe, italisht dhe kroatisht, duke pohuar identitetet e tyre të shumëfishta. /diasporashqiptare/ KultPlus.com