Nis punimet konferenca ndërkombëtare ‘Arkeologjia e Ballkanit’, prezantohen zbulimet e fundit për arkeologjinë në Ballkan

Flonja Haxhaj

Sot ka filluar punimet konferenca ndërkombëtare ‘Arkeologjia e Ballkani’, e cila mbahet për herë të parë në Prishtinë dhe ka për qëllim prezantimin dhe diskutimin e rezultateve të gërmimeve dhe rezultateve të fundit nga fusha e studimeve arkeologjike në territorin e Ballkanit, përcjell KultPlus.

Në konferencën ndërkombëtare që po mbahet në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës po marrin pjesë studiues ndërkombëtarë e vendorë të fushës së arkeologjisë.

E pranishme në hapjen e kësaj konference ishte edhe ushtruesja e detyrës së rektores në Universitetin e Prishtinës, Luljeta Plakolli – Kasumi, e cila u shpreh se mbrojtja dhe zhvillimi i trashëgimisë kulturore si mjet për promovimin e vlerave të përbashkëta dhe ngritjes së prosperitetit ekonomik paraqet një prej prioriteteve strategjike të qeverisë së Republikës së Kosovës.

“Organizimi i kësaj konference ndërkombëtare shkencore është fryt i një bashkëpunimi që buron nga një traditë e gjatë e partneritetit në mes të institucioneve të Kosovës dhe atyre perëndimore si në Francë, Gjermani, Austri, Hungari, Itali në fushën e arkeologjisë’, u shpreh Plakolli-Kasumi, duke shtuar se rezultatet e këtij bashkëpunimi tashmë kanë mundësinë të diskutohen pikërisht në Prishtinë.

Ndërkaq, në emër të Ministrisë së Kulturës foli Nora Arapi-Krasniqi, këshilltarja e ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku. Arapi – Krasniqi u shpreh se mbrojtja dhe zhvillimi i trashëgimisë kulturore si mjet për promovimin e vlerave të përbashkëta dhe ngritjes së prosperitetit ekonomik paraqet një prej prioriteteve strategjike të qeverisë së Republikës së Kosovës.

“Kosova ka një pasuri të jashtëzakonshme të trashëgimisë kulturore, materiale dhe jo materiale. Në veçanti trashëgimia e pasur arkeologjike na jep një dëshmi për lashtësinë e civilizimit në trojet tona, prandaj kjo fushë duhet të trajtohet me kujdes dhe vëmendje të veçantë. Krahas njohjes dhe dokumentimit, publikimi dhe promovimi i rezultateve ka rëndësi të veçantë si në promovimin në aspekt shkencor-akademik, por edhe në vetëdijesimin e publikut më të gjerë për vlerat, potencialet e edhe rëndësinë e trashëgimisë arkeologjike për vendin tonë“, tha Arapi-Krasniqi e cila deklaroi më tutje se Ministria e Kulturës ndjehet e nderuar për bashkëpunimin me UP-në, Fakultetin e Antropologjisë, Ambasadën Franceze dhe me mbështetjen e Shkollës së Lartë Normale në Paris, që ndihmuan në realizimin e kësaj konference.

Sudiuesi francez, Christophe Goddard, e që ishte i pranishëm në hapje u shpreh se trashëgimia mund të mbetet vetëm nëse është e mirëmbajtur dhe duhet ndihmë që të realizohet kjo mirëmbajtje.

“Nuk ka arkeologji pa trajnime, mu për këtë i gjithë qëllimi i universiteteve tona kudo që jemi është qenësore që jo vetëm të ndërtojmë një arkeologji të mirëfilltë shkencore por po ashtu të krijojmë këtë gjeneratë të re të specialistëve që duhet të punojnë bashkërisht’, u shpreh Goddard duke falënderuar më tutje organizatorët e kësaj konference.

I pranishëm në këtë hapje ishte edhe profesori universitar, Ardian Gola i cili vuri në pah rëndësinë që kanë konferencat e tilla dhe studimet në fushën e arkeologjisë për Kosovën.

“Për shtetin e Kosovës prodhimtaria në fushën e arkeologjisë është me interes të shumëfishtë duke filluar me interesin historik, me ç’rast kemi të bëjmë me një fushë e cila na e shpalos në mënyrë të vazhdueshme ekzistencën e lashtë historike të popujve që jetojnë në këtë hapësirë, interesi shkencor pasi që Kosova si një kompleks pothuajse arkeologjik me lokalitete të shumta arkeologjike që ka është një lloj parajse arkeologjike për shumë studiues, hulumtues dhe shkencëtarë pavarësisht se nga vijnë”, tha Gola i cili ndër të tjerash shtoi se komplekset arkeologjike janë edhe me interes turistik pasi mund të shërbejnë si pika turistike të vizitorëve dhe turistëve kureshtarë.

Ju kujtojmë që konferenca ndërkombëtare ‘Arkeologjia e Ballkanit’ do të vijojë punimet deri më 19 nëntor./ KultPlus.com