‘Arkitektura popullore në akuarel’, në muze me punimet e arkitektit Maksim Mitrojorgji

Arkitektura popullore vjen përmes 181 punimeve në akuarel. Në sallën e ekspozitave në Muzeun Historik Kombëtar u hap ekspozita personale e arkitektit Maksim Mitrojorgji.

Monumentet më të spikatura të arkitekturës popullore (qytetare dhe fshatare), si dhe punime që paraqesin peisazhin urban të qyteteve shqiptare të traditës prezantohen në ekspozitën “Arkitektura popullore në akuarel”, nga arkitekti Maksim Mitrojorgji.

Punimet e ekspozitës janë pjesë e një seti me 250 punë, që siç tregon dhe vetë autori janë realizuar gjatë vitit të fundit. Për të bërë të njohur identitetin tonë arkitekturor në Shqipëri, arkitekti ka sjellë në akuarele banesat tradicionale nga jugu në veri të vendit.

Arkitekti Maksim Mitrojorgji shprehet mes të tjerave se në punët e kësaj ekspozite prezanton modelet më të mira të trashëgimisë ndërtimore.

“Punët në ekspozitë janë prej një seti 250 punimesh, që unë i bëra vitin e fundit që ishim dhe pak të bllokuar në shtëpi. Janë punime me temën e arkitekturës popullore.

Janë punime në akuarel të karakterit të peisazhit urban, të peisazhit rural fshatar, të modeleve më të mira që unë mendoj janë të banesës popullore, të urave, të kullave të sahatit, të kishave dhe xhamive.

Kam prekur të gjithë trashëgiminë ndërtimore me modelet më të mira, të cilat i kam trajtuar në punime në akuarel, dhe që i kam ekspozuar në këtë ekspozitë në muze”, thotë ai. Arkitekturën popullore në akuarel në punimet e arkitektit Maksim Mitrojorgji, vizitorët mund të gjejnë këto ditë në Muzeun Historik Kombëtar.

Ai shprehet se një nga qëllimet e ekspozitës, që është hapur këto ditë për publikun është që të bëjë të njohur pasurinë, që ne kemi në arkitekturën popullore. Arkitekti Mitrojorgji shprehet se ne sot shohim qytete si Berati apo Gjirokastra, por një pjesë e punimeve të ekspozitës tregojnë atë pjesë të pasurisë së trashëgimisë sonë, që nuk preket shumë kollaj nga njerëzit. “Qëllimi i kësaj ekspozite është pikërisht që të bëj të njohur këtë pasuri të mrekullueshme, që ne kemi.

Vërtetë ne shikojmë Beratin, Gjirokastrën, por gati gjysma e punimeve në këtë ekspozitë janë me urat, me banesën fshatare që është një mrekulli, e cila nuk preket shumë kollaj me vizitorë ose nga njerëz të tjerë. Mesazhi i ekspozitës është, që të bëj një pasqyrë sa më të gjerë për arkitektët e rinj, për profesionistët, por qoftë dhe për masën e gjerë të vizitorëve që do të vijnë në ekspozitë, të cilët për një arsye apo një tjetër nuk kanë mundësi që të marrin këtë informacion dhe të shikojnë këtë mrekulli, që ne kemi”, thotë arkitekti.

Puna me akuarele

Punimet e prezantuara në këtë ekspozitë personale janë realizuar gjatë kohës së pandemisë, por arkitekti Maksim Mitrojorgji tregon se me akuarelet ka qenë një punë, që atij i ka dhënë kënaqësi. “Unë jam arkitekt në pension tani dhe pak merrem me projektim, ndonjë gjë të rastësishme, dhe këto janë punë që punohen në studion time në shtëpi. Unë kam një kënd pune, por nuk më pengon asgjë.

Kjo gjë më ka dhënë kënaqësi që unë të mbush kohën gjatë periudhës, që ne kemi qenë të bllokuar nga pandemia”, shprehet ai. Gjatë ditëve të ekspozitës do të shpërndahet falas libri “Për cilin qytet e ke fjalën?!” i autorëve Maksim dhe Joli Mitrojorgji. Libri është një përmbledhje artikujsh analitikë mbi morfologjinë urbane dhe peizazhin urban të qyteteve shqiptare. Gjithashtu në këtë botim janë përfshirë dhe shumë artikuj të tjerë teorikë mbi problemet bashkëkohore të arkitekturës në këndvështrimin e autorëve.

Ekspozita “Arkitektura popullore në akuarel”, që u çel të enjten në sallën e ekspozitave të Muzeut Historik Kombëtar qëndron e hapur për publikun deri të dielën, në datën 21 shkurt. /sot/ KultPlus.com