Kur Gegë Marubi i dhuroi fototekën Arkivit Qendror të Filmit (VIDEO)

Ministria e Kulturës në Shqipëri e shpalli këtë muaj, si kohën për të nderuar të gjithë ata që krijuan e punuan në fushë e artit të fotografisë.

Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit (AQSHF), sjell një kronikë domethënëse të vitit 1972, kur Gegë Marubi i dhuron shtetit fototekën e familjes së tij, arkiv prej 180 mijë fotosh, krijuar nga Kel Marubi, me qëllim ruajtjen e materialit origjinal dhe edukimin e brezave.

“Sot, ky koleksion i vyer mban emërtimin Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi” dhe është i vizitueshëm nga të gjithë në selinë e tij të re në Shkodër”, shprehet AQSHF, që ka publikuar kronikën në faqen e institucionit, në Facebook.

Edhe ministrja e Kulturës, Elva Margariti, prej disa ditësh po vijon të publikojë fotografi nga Shqipëria. Pak ditë më parë, ministrja e Kulturës Elva Margariti, bëri me dije se ky muaj do t’i kushtohet fotografisë, që është dhe një nga fushat më të dashura të artit. Sipas saj, mëngjeset e gushtit do të jenë me urime me fotografi, që janë realizuar nga ata që vunë themelet e fotografisë shqiptare.

Foto-studio “Marubi” u themelua më 1856 në Shkodër nga piktori, skulptori dhe arkitekti Pietro Marubbi. Fototeka “Marubi” është krijuar më 1970 pasi Gegë Marubi dhuroi arkivin e të tij personal prej tre brezash, me rreth 150 mijë negativë, shtetit. Në këtë arkiv gjenden negativë nga të gjitha formatet, që nga 30 cm x 40 cm dhe deri te 6 cm x 9 cm në pllaka xhami, nga viti 1858 deri në vitin 1959. Ky është një nga arkivat më të pasur të Ballkanit. / KultPlus.com

https://www.facebook.com/plugins/video.php?href=https%3A%2F%2Fwww.facebook.com%2FFilmarkiva%2Fvideos%2F2705262246396624%2F&show_text=0&width=560