Armand Plaka
Ishte koha kur aludohej se aleatët që pritej të zbarkonin
nga dita në ditë në brigjet kontinentale e të nisnin kështu inkursionin e tyre
për të mundur nazistët, do të mund ta bënin këtë punë, pikërisht duke shkelur
në brigjet shqiptare. Gjithçka rezultoi një blof, një legjende e sajuar me
kujdes nga shërbimet inteligjente britanike për të turbulluar ujërat e për të
bërë gjermanët e aleatët e tyre të besonin diçka të gabuar. Në këtë kuadër,
tashmë Shqipëria kishte marrë një rëndësi të veçantë dhe edhe një vend neutral
si Zvicra, që i kishte shpëtuar paq pushimit hitlerian, raportonte jo pak për
të.
Një artikull botuar në faqet e revistës së ilustruar “Die
Berner Woche”, më 2 janar 1943, edhe pse nga volumi thuajse minimal, ofronte
kësisoj një informacion të detajuar për lexuesit e saj rreth një vendi që
tashmë dukej se kishte kohë që i kishte rrëshqitur izolimit.
Ndërsa u bëjnë një skanim vertikal realiteteve historike,
politike e shoqërore të një vendi “si të thuash ende të pastudiuar” deri para
Luftës së Dytë Botërore, duket se për ta, në vitin e fundit të dominimit
italian në Shqipëri, ajo vijonte të matej me sipërfaqen e të dhënat që kishte
para kohës së “Shqipërisë së Madhe”, e cila, nën pushtimin italian, kishte dy
vjet që ishte bërë realitet ndërsa shkruan se: “Shqipëria përfshin rreth 28 000
kilometër katrorë, është, pra, pak më e madhe se Sicilia”.
Përsa u përket tipareve fizike, zviceranët shënojnë:
“Shqiptarët kanë ngjyrë më të ndritshme lëkure se pjesa tjetër e popujve
ballkanikë. Në veri, biondët ndeshen shumë shpesh”. Më tej, përveç përshkrimit
të natyrës apo shifrave të ftohta të eksport-importit, që dëshmonin nivelin
modest të zhvillimit të vendit, interesant të duket përcaktimi si “qyteti më i
madh” për Korçën dhe Shkodrën, ndërsa për vetë Tiranën artikullshkruesi (i cili
nuk e dimë për ç’arsye kish vendosur të paraqitej vetëm nën siglën “J”), pa
sjellë detaje të tjera, ka preferuar ta cilësojë atë si një “smerald”. Më
poshtë, artikulli i plotë:
Nëse aleatët do ta zotëronin ndonjëherë gadishullin Apenin,
nuk do ishte i përjashtuar fakti që përmes Shqipërisë të përpiqeshin të
avanconin për në brendësi të Ballkanit. Mund të ishte me interes të vrojtohej
më nga afër ky vend.
Shqiptarët, të cilët banojnë në anën tjetër të brigjeve të
Detit Adriatik, përballë Italisë së Jugut, janë pa dyshim pasardhës së
trakoilirëve të vjetër. Që në kohën e Homerit tregohet se në rrethimin e
Trojës, këta ilirë u kanë ardhur në ndihmë grekëve. Më vonë, ato i gjejmë në
luftë me Romën, së cilës iu nënshtruan në vitin 168 para Krishtit, kur mbreti i
fundit, Genti, bashkë me bijtë e tij u zunë rob nga romakët. Por pushtimit të
vendit i erdhi fundi vetëm në kohën e perandorit August.
Në vitin 395 pas Krishtit, Shqipëria u afrua me Perandorinë
Romake të Lindjes dhe u qeveris nga guvernatorët bizantinë. Megjithatë, në
brendësi ishte si të thuash e pavarur. Në Mesjetë, mbi të vërshuan dyndjet e
popujve të tjerë. Shqiptarët u rrezikuan fort nga sllavët. Madje, gjatë viteve
1343-1348, u vunë nën sundimin e drejtpërdrejtë të serbit, Stefan Dushan. Në
vitin 1391, filluan luftërat me turqit. Heroi Kombëtar, Skënderbeu, mundi t’u
bënte ballë atyre në malet e pakalueshme për një kohë të gjatë.
Pas vdekjes së tij, në vitin 1468, mori fund edhe autonomia
e Shqipërisë. Vetëm pas luftërave ballkanike, në nëntor të vitit 1912, u
realizua Deklarata e Pavarësisë së Shqipërisë, në Vlorë. Në vitin 1920,
Shqipëria u anëtarësua në Lidhjen e Kombeve. Në 1925-ën, Ahmet Zogu u bë
President i Republikës, në 1928-ën, nën titullin Zogu I, u emërua Mbret. Por
para Luftës aktuale Botërore, ai u dëbua nga italianët dhe vendi u pushtua nga
Italia.
Shqipëria, para Luftës së Dytë Botërore, ishte si të thuash
ende e pastudiuar. Që prej asaj kohe, mangësitë janë lënë pas në njëfarë
mënyre. Në bregun jugor të detit Adriatik, fillimisht shtrihet gjerësisht një
plazh i sheshtë. Më tej shtrihen pyje moçalorë, laguna të infektuara nga
malaria dhe kodrina të gjelbra. 60 kilometër pas bregut fillon një terren malor
i padepërtueshëm. Kanione të shumta, të pakalueshme, copëzojnë vendin dhe
favorizojnë formimin e peizazheve të rralla. Në brendësi gjenden liqene të
rralla e të rëndësishme, më i njohuri ndër të cilët është Liqeni i Ohrit. Në
Shqipëri mbizotëron verë e thatë, ndërkohë që dimri është shumë i pasur në
reshje. Deri në 600 metër lartësi rriten shkurrnaja, pastaj fillojnë pyjet,
dominojnë lisat, më tej shkurret dhe më në lartësi gjendet brezi i kullotave.
Në këtë vend të izoluar ka relativisht pak kafshë të mëdha,
përjashtim bën derri i egër, i cili shpesh kthehet në kërcënim. Bota e zogjve
përfaqësohet veçanërisht nga shpendët grabitqarë, shpendët e kënetës dhe zogjtë
e ujit. Edhe pelikani ka këtu folenë e tij. Shqipëria përfshin rreth 28 000
kilometër katrorë, është pra pak më e madhe se Sicilia. Gjuha shqipe nuk
paraqet ndonjë afërsi me asnjë gjuhë të gjallë. Shqiptarët kanë ngjyrë më të
ndritshme lëkure se pjesa tjetër e popujve ballkanikë. Në veri, biondët ndeshen
shumë shpesh. Kostumet e njohura popullore të dikurshme me ngjyra
karakteristike, janë në zhdukje.
Në brendësi të maleve takohen madje edhe dy popuj endacakë,
romët dhe ciganët. Në ekonomi dhe në raportet sociale, Shqipëria përbën ende
një vend gati mesjetar. Pengesa kryesore e rivendosjes së qarkullimit të
rrugëve tregtare të dikurshme, që kryheshin përmes Shqipërisë, midis Adriatikut
dhe Maqedonisë, nuk është natyra e papërshtatshme e vendit, por njeriu. Forca e
çuditshme e rezistencës, e cila u ka lejuar shqiptarëve ndër shekuj të ruajnë
karakteristikat e tyre, buron pjesërisht nga organizimi shoqëror. Si skocezët
dikur, kështu jetojnë ende shqiptarët, të organizuar në fise. Fisi është
familja e zgjeruar.
Shqiptari është krenar për armët, simboli i lirisë së tij.
Shqiptarët, siç ata e quajnë veten, pretendojnë se e kanë origjinën nga
shqiponja, të cilën e mbajnë me krenari edhe në stemën e tyre. Shqiptari është
bujk dhe barî. Në shkencat teknike nuk është shquar kurrë një shqiptar. Nga ana
tjetër, nga ky popull kanë dalë burra të rëndësishëm shteti, ndër të cilët
është edhe pashai Mehmet Ali me origjinë shqiptare. Popullsia e Shqipërisë
arrin në 1 milion.
Por jashtë vendit ka mjaft shqiptarë, veçanërisht në Italinë
e Jugut dhe në Greqi. Nga 2 milionë shqiptarë gjithsej, 1 milion janë
myslimanë, 600 000 ortodoksë dhe 400 000 katolikë. Në Shqipëri kultivohet oriz,
misër, grurë edhe duhan i mirë, i cili gjithsesi nuk eksportohet. Pemëtaria
është në lulëzim të plotë. Numërohen 500 000 rrënjë ullinj, 400 000 mana, gjithashtu
pemë të shumta kumbullash, qershish dhe lajthish, pjeshkë, kajsi, fiq, limonë
dhe portokaj. Rrushi në vreshta konsumohet siç është, ndërsa verë prodhohet më
pak. Lënda e drurit shpesh shkon për eksport.
Sektori i gjedhëve më shumë është përkeqësuar, ndërkohë që
rritja e deleve dhe dhive është e zhvilluar shumë mirë. Në Shqipëri ka më shumë
gomarë se kuaj. Interesante janë burimet e ndryshme të naftës. 400 000 hektarë
u janë lënë në dorë shoqërive të huaja. Shqipëria zotëron vetëm një linjë
hekurudhore, nga Durrësi në Tiranë. Rrjeti rrugor është zgjeruar më shumë kohët
e fundit. Në Shqipëri nuk ka qytete të mëdha.
Më i madhi është Korça me 26 000 banorë, qytet i rëndësishëm
është edhe Shkodra në veri të Shqipërisë. Qyteti “smerald”, Tirana, me 17 000
banorë, është kryeqyteti. Porte të mira ka pak, ndër të cilët Durrësi (me 5000
banorë), më tej është Vlora që shtrihet në ngushticën detare të Otrantos. “Që
në 1901-in,- pati thënë dikur Marini, ministri i Jashtëm i mëvonshëm italian,-
ai që pushton portin e Vlorës, do të bëhet pa dyshim zot i detit Adriatik”.