‘Disa njerëz besojnë se kanë lindun me të drejtën për t’i gjykue të tjerët’

Shkruan: Arta Maxhuni

Mania për me kritikue

Disa njerëz besojnë se kanë lindun me të drejtën për t’i gjykue të tjerët. Tue pa tansinë e diskursit të shoqnisë sonë, fjala e lirë kuptimisht po shkrihet në shpërdorim, me te tana mënyrat e hapësinat e pushtetit të saj. Çlirimi krahas ndryshimeve që solli, i dha hv edhe fjalës së lirë, e cila ‘atëbotë’ jo vetëm që ishte e mohueme, por për shkak të saj, njerëzit dënoheshin në mënyrat nga ma çnjerëzoret.

Me gjasë, kjo dhe asht arsyeja pse na jemi t’uritun m’u shpreh, me kumtue mendimet; gëzuem të drejtën e fjalës deri në cakun ma të tejmë të saj, pa ça kryet për shkeljen që u shkaktojmë të tjerëve, për faktin se nuk dimë që ekzistojnë kufij që ndajnë të drejtën dhe shkeljen.

Forca e rrjeteve sociale po u jep përdoruesve mundësinë t’i bajnë opinionet e tyne të lexueme nga nji masë e madhe, ka ndihmue poashtu në kultivimin e nji “fortese të zemërimit” që, sipas ekspertëve, kërcënon bisedat e dobishme. Lajmet e egra përmes mediave sociale mund të formojnë emocione morale n’atë mënyrë që ta bajnë ma të vështirë ndryshimin e shoqnisë për të mirë.

Fjala e lirë asht në krizë dhe si e tillë kurrë nuk ka kenë ma e lirë dhe ma e parregullueme. Keqpërdoret deri n’atë masë, sa që tjetri me jetue me frikë e dyshim, ku e vërteta dhe e pavërteta përzihen mundimshëm.

Fyerjet publike, fjalori i ulët, shpifjet që prekin dinjitetin e tjetrit me identitete të rreme, tue shkaktue konflikte me ndikim psikologjik në te tana format e dhunës verbale, psikike deri te ajo fizike.

Të qenunit anonim u jep rahatllakun e opinionbamjes dhe komunikimi bahet ma interesant, intensiv e agresiv, tue kalue nëpërmjet përçamjes së strukturës sociale, shpeshherë me tendencë të deformimit të realitetit. Shakaja online asht kthye n’industri të zhvillueme e të fuqishme, fal’ së cilës fyemjet dhe rrenat hidhen nëpër televizione, radio, n’internet dhe në shtyp pa asnji problem. / KultPlus.com