Festivali i Dramës origjinale shqipe ‘Talia e Flakës’ hapet sot me shfaqjen “Viganët”

Sot me fillim nga ora 18:00 do të hapet edhe festivali i dramës origjinale shqipe “Talia e Flakës”, në kuadër të Flakës së Janarit, shkruan KultPlus.

Me regji të Ilir Bokshit shfaqja “Viganët” do të jepet premierë në Teatrin e Qytetit të Gjilanit, me një kastë profesionale të aktorëve.

Alban Shahiqi, Ali Demi, Artan Selimi, Aurita Agushi, Ernest Zymberi, Fitore Jashari, Gani Rrahmani, Kushtrim Qerimi, Lavdije Idrizi, Safete Mustafa Baftiu, Patriot Osmani dhe Tringa Hasani do të luajnë në këtë shfaqje.

”Viganët me trup të mëdhenj, me fuqi mbinatyrore, me tipare të jashtëzakonshme, na vijnë të teatralizuar më ndryshe, bazuar në eposin “Cikli i Kreshnikëve”, që populli i njeh si “Këngë kreshnike”. Ato tashmë janë në rrugëtimin për t’u njohur institucionalisht edhe si trashëgimi shpirtërore botërore dhe me vlera universale njerëzore. Viganët, gjigantët, kreshnikët, dramat dhe stili i tyre jetësor, me tipare njerëzore e hyjnore, me dobësi e madhështi, na vijnë në skenën e teatrit, ngjashëm siç na vijnë universalisht edhe drama të tjera nga qendrat e civilizimeve të ndryshme nëpër histori. Shfaqja “Viganët” do të ofrojë qasje të veçantë, në kontekstin e ri teatror, qoftë edhe për t’iu përgjigjur pyetjeve retorike të kreshnikëve: “A don forcë, Mujo, me qindrue? A don luftë, Mujo, me luftue? A don gjâ, Mujo, a don máll? A don dije, Mujo, a don gjuhë? Lyp shka t’duesh Mujos te i kan thânë.”

Për shkak të Vendimit të Qeverisë së Kosovës për masat e përgjithshme dhe të veçanta për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19, që hyri në fuqi sot më 22 janar dhe që vlen deri më datën 4 shkurt 2022, të gjitha shfaqjet teatrore “Talia 2022”, do të fillojnë ora 18:00. /KultPlus.com

May be an image of text