Artistët romë tregojnë historinë dhe traditën përmes artit

Në kujtim të Ditës Ndërkombëtare të Romëve, Artistët romë hapën një ekspozitë duke prezantuar një numër të caktuar të veprave të artit multidisiplinar mbi historinë, kulturën dhe lëvizjet politike të Romëve.

Përmes këtyre veprave të artit, artistët romë bënë thirrje për një përfshirje më të madhe sociale dhe ekonomike të minoritetit rom, si dhe nevojën për ruajtjen e trashëgimisë së pasur kulturore të Romëve.

Me gjithë progresin e bërë, Romët ende përballen me vështirësi të shumta. Ata vazhdojnë të jenë ndër më të varfërit, ndër grupet më të margjinalizuara dhe të përjashtuara nga shoqëria në Shqipëri. Shumë romë po përballen me pengesa direkte dhe indirekte në gëzimin e shërbimeve publike.

Për të trajtuar këto sfida, PNUD në partneritet me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe mbështetjen financiare të Delegacionit të Bashkimit Evropian ka zbatuar një program 3-vjeçar: “Fuqizimi ekonomik dhe social për Romët dhe Egjiptianët, shtysë për përfshirjen sociale”.

Në kuadër të programit, 515 Romë dhe Egjiptiane u aftësuan dhe u punësuan, 120 u mbështetën me hapje biznesesh apo gjenerim të të ardhurave; kushtet e jetesës së më shumë se 8000 banorëve janë përmirësuar përmes projekteve të infrastrukturës në shërbim të komunitetit; 160 romë dhe egjiptianë të cilët nuk kanë pasur mundësi për të përfunduar arsimin bazë janë regjistruar dhe ndjekin rregullisht shkollën përmes “modelit të arsimit fillor me kohë të pjesshme”; Më shumë se 14033 romë dhe egjiptianë kanë qasje më të mirë në shërbimet bazë.

Ekspozita do të jetë e hapur për dy ditë në Qendrën e ArTurbina. / atsh/ KultPlus.com