Vdes Christo, gjeniu bullgar i artit bashkëkohor

Artisti Christo, i njohur për realizimet e tij të përmasave të mëdha që konsistonin në mbështjelljen e jashtme të monumenteve si Pont-Neuf në Paris dhe Reichstag-un e Berlinit, vdiq sot në moshën 84-vjeçare, njoftuan bashkëpunëtorët e tij.

”Artisti Christo Vladimirov Javacheff, i lindur në Bullgari, vdiq për shkaqe natyrore më 31 maj 2020 në shtëpinë e tij në Nju Jork”, sipas një mesazhi të postuar nga zyra e tij në faqen Facebook.

Ky njeri, me siluetë hollake, me flokë gjysmë të gjatë të bardha, formonte me bashkëshorten e tij një prej çifteve më të mediatizuar të artit kontemporan që ata shënuan me veprat e tyre në vend.

Së bashku me bashkëshorten, Jeanne-Claude Denat, artisti ka qenë një nga protagonistët e vlerësuar, po aq sa i diskutuar, veçanërisht me instalacionet e tij madhështore, që në disa raste ndryshonin përkohësisht peizazhin e qyteteve dhe zonave të përzgjedhura.

Shpikës i një lloji të ri artistik  “mbulimi i hapësirës” Christo kishte realizuar mbështjelljen e Pont-Neuf në Paris (1985) dhe të Reichstag-ut në Berlin (1995).

“Christo e jetoi jetën e tij plotësisht, jo vetëm duke imagjinuar atë që dukej e pamundur, por duke e kuptuar atë. Puna e Christo dhe Jeanne-Claude mblodhi njerëz në përvojat e përbashkëta në të gjithë botën dhe puna e tyre vazhdon në zemrat dhe kujtimet tona”, shkruajnë bashkëpunëtorët e tij në mesazhin e tyre./ atsh/ KultPlus.com