Dita Ndërkombëtare, aktivitet për promovimin e vlerave të arumunëve

Shoqata kulturore “Arumunët e Shqipërisë” në Tiranë organizoi sot një aktivitet për të shënuar “Ditën Ndërkombëtare të Arumunëve”.

Në aktivitetin e organizuar ishte i pranishëm edhe ambasadori i Rumanisë në Tiranë, Octavian Șerban, i cili vlerësoi marrëdhëniet shqiptaro-rumune.

Ndërsa Profesor Zhani Ciko në fjalën e tij përshëndetëse u shpreh se “njohjet e para me Gheorghe Micun i kam pasur që nga vitet ’50 me revistat Musica. Në operan e Bukureshtit ekziston një skulpturë e një arumuni nga Drenova, Mihail Dumitrescu, e shumë të tjerë, deri tek Victor Eftiumiu, ministra si Ion Caramitru, e po aq drejtori i Operës së Vjenës në vitet 2000 ka qenë po arumun”.

“Shpirti i bashkëpunimit ka qenë i jashtëzakonshëm. Rumania ka qenë ngaherë pas nesh. Jemi në një fazë që identiteti duhet ruajtur. Një nga kompozitorët e shquar me ADN të tillë arumune, është edhe shqiptari arumun Nikolla Zoraqi”, tha ndër të tjerash Profesor Ciko.

Ai shtoi se “gëzohem që sot mësova se ambasadori rumun vjen nga sfera e historisë”.

Në aktivitet u shfaq edhe dokumentari i shkurtër, i gazetarit Edmond Prifti “Grabova, “muzeu i gjallë” i bashkëjetesës vllehe”.

Sipas regjistrimit të popullsisë dhe banesave në Republikën e Shqipërisë, të publikuar më 13 dhjetor 2012, në vendin tonë numërohen 8266 arumune (0.3% e totalit të popullsisë së qëndrueshme).

Që nga viti 1997, Rumania ka dhënë bursa studimi për të rinjtë arumunë në Shqipëri, në të gjitha nivelet e arsimit. Departamenti për Rumunët Kudo miratoi gjithashtu projekte dhe një sërë vendesh për të rinjtë arumunë në Shqipëri, në kampet e programit “ARC”./atsh/ KultPlus.com