Kosova strehon gazetaren e nëntë ukrainase

Në Kosovë ka mbërritur gazetarja e radhës ukrainase, Kateryna Bilobrova, si pjesë e programit “Journalists in Residence –Kosovo”.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka bërë të ditur lajmin përmes një postimi në “Facebook”, duke njoftuar se gazetarja është mirëpritur në Aeroport nga Drejtorja Ekzekutive e AGK-së, Getoarbë Mulliqi, Zyrtarja Ligjore e European Centre for Press and Media Freedom ECPMF, Flutura Kusari, përfaqësueses së Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Policisë së Kosovës.

Bilobrova është gazetarja e nëntë që strehohet në Kosovë në kuadër të programit JiR, i cili mbështetet financiarisht nga Qeveria e Republikës së Kosovës.

Ky program është duke u zbatuar nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës në bashkëpunim të ngushtë me ECPMF-në, përmes së cilit gazetarëve ukrainas u siguron pagë mujore, akomodim në banesë, kushte për punë, kurse të gjuhës dhe të integrimit, si dhe ndihmë psiko-sociale sipas nevojës. /KultPlus.com

AGK: Qëndrojmë për respektim të Kodit Etik të Mediave

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës përmes një komunikate për media ka deklaruar se qëndrojnë për respektim të Kodit Etik të Mediave, duke bërë thirrje që gazetarët ta respektojnë Kodin e Mediave të Shkruara të Kosovës dhe Kodin Etik për Ofruesit e Shërbimeve Mediale në Kosovë.

Ky reagim i AGK-së,vjen pasi një media online ka publikuar sot një audio-incizim, ku pretendohet se gazetari i portalit ‘Insajderi’ Visar Duriqi bisedon me një person të quajtur Halit Sahitaj i cili pyet gazetarin lidhur me shumën që duhet paguar në këmbim të publikimit të artikujve për persona të caktuar në këtë portal.

“Në dritë të zhvillimeve të fundit, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës dëshiron të ritheksojë se qëndron prapa thirrjes që gazetarët të respektojnë Kodin e Mediave të Shkruara të Kosovës dhe Kodin Etik për Ofruesit e Shërbimeve Mediale në Republikën e Kosovës, gjatë zhvillimit të punës së tyre.AGK-ja e ka parasysh se kredibiliteti i mediave është ngushtë i lidhur me zbatimin e standardeve etike dhe ligjore nga ana e gazetarëve.  AGK-ja inkurajon zhvillimin e gazetarisë profesioniste, e cila është shtyllë e rëndësishme në funksionimin e demokracisë të një vendi”, thuhet në reagimin e AGK-së. / KultPlus.com

Vdes ish-kameramani i RTK-së, AGK dërgon telegram ngushëllimi

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës me pikëllim të thellë ka pranuar lajmin për vdekjen e ish-kameramanit të Radio Televizionit të Kosovës, Lulzim Kryeziu.

“Kryeziu ka qenë shembull i profesionalizmit dhe përkushtimit në punë, andaj veprimtaria e tij do të jetë frymëzim e udhërrëfim për brezat e rinj.

Ceremonia mortore do të mbahet sot në orën 16:00, në varrezat e Prishtinës”, thuhet në telegram ngushëllimin e AGK-së.

“AGK-ja i shprehë ngushëllime familjarëve, kolegëve dhe bashkëpunëtorëve të Lulzim Kryeziut”./ KultPlus.com