93 vite më parë lindi Neil Amstrong, njeriu i parë që zbarkoi në hënë

Sot, janë shënuar 93 vite nga lindja e astronautit amerikan Neil Amstrong, shkruan KultPlus. Ai ishte njeriu i parë i cili zbarkoi në planetin e hënës.

Neil Alden Armstrong ka lindur më 5 gusht në Wapakoneta të Ohios. Më 16 korrik 1969 zbarkoi në Hënë me anë të anijes kozmike Apollo 11. Me të shkelur në sipërfaqen e Hënës, fjalët e para të Neil’it ishin: “ky është një hap i vogel për mua, por një hap i madh për njerëzimin” (That’s one small step for a man, one giant leap for mankind).

Ka bërë fluturim 78 orë mbi Korenë, si pilot i Forcave Detare. Në vitin 1971 u largua nga NASA dhe filloi të punojë në Universitetin e Cincinnati’t. Deri në vitin 1979 vazhdoi në këtë Universitet si Profesor i Inxhinierisë së Hapësirës Ajrore.

Prej vitit 1985 deri në 1986 ka qenë në shërbim të Komisionit Ndërkombëtar të hapësirës Ajrore. Në vitin 1986 ishte nënkryetar i komisionit të krijuar për hulumtimet e aksidentit Challenger. Ishte i martuar dhe kishte dy fëmijë. Vdiq me 25 gusht 2012 kur ishte 82 vjeç./KultPlus.com

Katër astronautë kthehen në Tokë me kapsulën SpaceX

Katër astronautë u kthyen pa probleme të dielën në Tokë pas një misioni në Stacionin Ndërkombëtare të Hapësirës.

Astronautët mbërritën me kapsulën Crew Dragon të kompanisë SpaceX, duke zbritur me parashutë në ujërat e Gjirit të Meksikës, tha NASA.

Kthimi i tyre shënon misionin e parë të kapsulës Dragon nga kompania SpaceX për të dërguar e sjellë astronautë nga qëndrimet disa mujore në hapësirë. Misioni përfaqëson një bashkëpunim publik-privat mes kompanisë raketore SpaceX të sipërmarrësit Elon Musk dhe agjencisë federale amerikane për eksplorimin e hapësirës NASA.

Ekuipazhi me astronautët amerikanë Michael Hopkins, Victor Glover dhe Shannon Walker, si dhe astronautin japonez Soichi Noguchi u nisën nga Qendra Kennedy në Florida më 15 nëntor me raketën e SpaceX-it, Falcon 9.

Kapsula ra sot në det në orët e para të ditës pranë brigjeve perëndimore të Floridas./ KultPlus.com

Sa paguhet një astronaut?

Një astronaut fiton mjaftueshëm, por jo aq sa mund ta imagjinoni. Astronautët civilë të NASA-s klasifikohen si nëpunës civilë GS-12 dhe GS-13, në varësi të aftësive dhe vjetërsisë së tyre.

Sipas pagave të vitit 2020, ata flasin për një shifër midis 66 167 dhe 161 141 dollarë bruto në vit. Në euro, ato janë ndërmjet 55 000 dhe 134 000 euro bruto në vit, të cilat neto janë mes 42 000 dhe 91 000 afërsisht.

Duke i ndarë me 12 muaj, ato korrespondojnë me një pagë midis 3500 (një astronaut i ri) dhe 7600 euro neto në muaj një astronaut me super përvojë. Astronautët evropianë që i përkasin niveleve A2 dhe A4, fitojnë shifra të ngjashme, pak më të larta se pagat në nivelin më të ulët, por më të ulëta se ato maksimale.

Më pak se një futbollist. Paga të mira, me pak fjalë, por jo shumë të mira. Edhe pse është një punë stresuese, e rrezikshme që kërkon qëndrim të shpeshtë jashtë vendit: të stërvitesh për një fluturim në Stacionin Hapësinor duhet të kalosh shumë kohë në Rusi, Japoni, Kanada, dhe për Evropianët gjithashtu në Gjermani, dhe Shtetet e Bashkuara . Sigurisht, shpërblimet janë të shumta, por nëse qëllimi është të pasurohesh, më mirë të jesh menaxher i një kompanie të madhe ose një futbollist. /express/ KultPlus.com

Rrëfimi i astronautit që mban rekordin për kohën e qëndrimit në hapësirë

2 nëntori shënon 20 vjetorin e dërgimit të njerëzve të parë në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës. Scott Kelly, astronauti që mban rekordin e qëndrimit në stacion me 340 ditë resht, rrëfen përvojën e tij.

Scott Kelly, një astronaut amerikan dhe kapiten i marinës amerikane, tashmë në pension, ka regjistruar më shumë se 15 mijë orë fluturimi në 40 mjete ajrore dhe hapësinore.

Përvoja e tij e gjatë në hapësirë përfshin dy fluturime në anijen ruse Soyuz, e cila u nis nga dhe zbriti në Kazakistan.

Ai po ashtu qëndroi dy herë në Stacionin Hapësinor Ndërkombëtar në cilësinë e komandantit.

I pari ishte një mision 159 ditor më 2010-2011, pasuar nga misioni prej 340 ditësh më 2015, së bashku me kozmonautin rus Mikhail Kornienko.

Kelly reflekton mbi kohën e tij në Stacionin ndërkombëtar të Hapësirës, në prag të 20 vjetorit të dërgimit të njerëzve atje.

“Një nga arritjet më të mëdha të Stacionit Ndërkombëtar Hapësinor është fakti se ai është një program ndërkombëtar dhe është një eksperiment i vazhdueshëm se si mund të jetosh dhe punosh në një hapësirë të kufizuar dhe me shumë rreziqe, sepse një ditë duam të shkojmë në Mars. Duam të shkojmë në vende tjera të sistemit tonë diellor”, thotë ish astronauti i NASA’s.

Kolegia e tij, astronautja Kate Rubins, votoi më 22 tetor për zgjedhjet presidenciale amerikane ndërsa ndodhej më shumë se 200 milje mbi tokë.

Kelly, i cili po ashtu ka votuar nga hapësira, shpjegon procesin.

“Mendoj se është me rëndësi që të gjithë të votojnë. Unë kam votuar nga hapësira, prandaj askush nuk mund të arsyetohet. Mua më ndihmoi NASA të votoj. Është njësoj si në tokë, të duhet një plan, nëse do të votosh ditën e zgjedhjeve ose përmes postës. Është e rëndësishme të pranojmë se ka shumë mënyra për të votuar. Edhe pse nuk është e detyruar të votosh, unë mendoj se e kemi detyrim qytetar”, thotë ai.

Sytë dhe sistemi imunitar i astronautit nganjëherë reagonin çuditshëm gjatë qëndrimit në orbitë, të paktën krahasuar me trupin e vëllait të tij binjak në tokë, Mark.

Lajmi i mirë është se ai po përmirësohet. Kështu thonë shkencëtarët që publikuan rezultatet e studimit të binjakëve, një hulumtim i parë që mundësoi ndjekjen e pasojave biologjike gjatë qëndrimit në një anije hapësinore duke krahasuar vëllezërit.

Një ekip ekspertësh analizoi shëndetin e binjakëve para, gjatë dhe pas qëndrimit 340 ditor të zotit Kelly në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës.

Studimi analizon rreziqet e mundshme të fluturimeve më të gjata hapësinore.

Astronauti thotë se Stacioni Ndërkombëtar i Hapësirës përfaqëson atë që mund të arrihet nga njerëzimi nëse bashkëpunohet dhe dëgjohen ekspertët.

“Ky stacion është gjëja më e vështirë që e kemi bërë ndonjëherë. Madje më e vështirë se shkuarja në hënë. Është një dëshmi se nëse përqendrohemi tek diçka, nëse dëgjojmë ekspertët, nëse punojmë si ekip mund të arrijmë gjëra të pabesueshme” thotë astronauti Scott Kelly.

Në kohën kur kapsula me astronautët Kelly dhe Krinenko u lëshua nga Kazakistani, dyshja kishte udhëtuar 144 milionë milje në hapësirë, ishin rrotulluar 5 mijë e 440 herë rreth tokës dhe kishin përjetuar 10 mijë e 880 herë lindjen dhe perëndimin e diellit në orbitë./voa/ KultPlus.com