‘Jemi verbue shpirtnisht, na mungon dashunia’

Nga At Zef Pllumi

“Hapni sytë e shikoni realitetin me sy, shihni se jemi vendi ma i mbrapambetun i Europës e konkurojmë edhe për botën.

Pse?… Mjerisht duket se tash shumë kohë ne nuk na punon logjika si tjerëve: i thurim lavde vedit për mbrapambetjen tonë, turpet i quejmë ‘virtyte të larta të kombit’. Jemi verbue shpirtnisht pse na mungon mendja e kthjelltë e inteligjenca për me pa se ku jemi; na mungojnë vullneti e trimnia për me thanë të vërtetën ..

Shka na mungon ne që mos të jemi si europjanët tjerë? Toka, jo; dielli e deti, jo. Na mungon mendja e mentaliteti e, mbi të gjitha dashunia. Nuk na sjell lavdi lashtësia, në qoftë se nuk jemi të qytetnuem.

Nuk na sjell lavdi origjina, në qoftë se jemi të përçamë dhe mendojmë si t’i bajmë vorrin vëllaut.”

Zef Pllumi (Bogë, 1924 – Romë, 2007) qe frat françeskan, publicist e shkrimtar. Me prirje përgatitore për kah historia para se të ndërmerrte kalvarin, me të arritur lirinë merr ndër duar frerët kulturorë të trashëgimisë françeskane. / KultPlus.com

Homazh At Zef Pllumit, që rrojti për të kujtuar

Ministria e Kulturës së Shqipërisë bën të ditur se muaji shkurt do të jetë edhe “Muaji i Kujtesës”.

Pikërisht kështu është emëruar, pasi ky muaj do t’i kushtohet viktimave të sistemit komunist në vendin tonë, i cili veç të tjerëve, nuk kurseu as intelektualët që i kanë shërbyer Shqipërisë duke i sakrifikuar ata “Në emër të popullit”.

“E kemi pagëzuar “Muajin e kujtesës”, një vijim i natyrshëm i një dite ndërkombëtare, kushtuar viktimave të Holokaustit. Gjatë këtij muaji do të kujtojmë martirët tanë, viktimat e një sistemi vrastar, që u sakrifikuan për mendimin, fjalën e lirë dhe besimin në Zot. Do të mbeten përherë të përjetshëm dhe shembuj frymëzimi”, shprehet Ministria e Kulturës.

Këtë muaj, Ministria e Kulturës e nis me At Zef Pllumin, duke i vendosur theksin e rëndësisë së veprës së tij. “Homazh At Zef Pllumit, që rrojti për të kujtuar terrorin komunist. Vepra e tij është dëshmia më e gjallë dhe mësim për brezat e rinj, që e shkuara të mos përsëritet”.

Zef Pllumi lindi në Bogë, më 28 gusht 1924 dhe ndërroi jetë më 26 shtator, 2007 në Romë. At Zef Pllumi ishte frat françeskan, publicist e shkrimtar. Nga viti 1967 deri më 1989 burgoset dhe vuan dënimin në Spaç, Reps, Skrofotinë të Vlorës, Ballsh, Zejmen-Shënkoll, Shën Vasil dhe Tiranë për 23 vjet.

Dëshmia dhe vepra e tij, vepra “Rrno vetëm për me tregue” u përkthye në anglisht më 2008 nën titullin “Live to tell”. Më 6 mars të vitit 2014 u përkthye edhe në gjuhën italiane me titullin “Il Sangue di Abele – Vivi per testimoniare”. Në vitin 2006 At Zef Pllumi dekorohet me urdhrin e lartë “Nderi i Kombit” nga Presidenti i Shqipërisë Alfred Moisiu. At Zef Pllumi ka marrë çmimin letrar “Penda e Artë” në vitin 2006 për trilogjinë e tij me kujtime “Rrno vetëm për me tregue”, çmim ky i akorduar nga Ministria e Kulturës. /ATSH-Bledi Naska/ KultPlus.com

“In memoriam – At Zef Pllumi”, mblodhi akademikë, shkrimtarë e studiues në Tiranë

Ekspozita kushtuar memuaristikës shqipe, si një rrugëtim i vetëdijes së dëshmimit historik e personal në kulturën shqiptare, kulmon me veprën e tij “Rrno vetëm për me tregue”, shkruan KultPlus.

Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, në vijim të aktiviteteve me rastin e 10-vjetorit të ndarjes nga jeta të një nga figurave më të shquara të kulturës shqiptare, At Zef Pllumi, hapi të hënën, ekspozitën “In memoriam – At Zef Pllumi”, me pjesëmarrjen e ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro-Furxhi, akademikë, shkrimtarë, përkthyes, studiues, nxënës të shkollës 9-vjeçare “At Zef Pllumi” në Tiranë, etj…, shkruan KultPlus.

Ekspozita kushtuar memuaristikës shqipe, si një rrugëtim i vetëdijes së dëshmimit historik e personal në kulturën shqiptare, kulmon me veprën e tij “Rrno vetëm për me tregue”. Kjo ekspozitë është gjithashtu pjesë e veprimtarive kulturore në vijim të “Viti i kujtesës”, shpallur në muajin janar në BKSH. Aktiviteti vijoi me Forumin “Át Zef Pllumi – dëshmi”, me pjesëmarrjen e Odile Daniel, Sabri Hamiti, Ardian Marashi, Keda Kaceli, Mark Marku, Enriketa Pandelejmoni, Agron Tufa, Pashk Përvathi, Persida Asllani, etj., të cilët ndanë me të pranishmit dëshmi dhe kujtime personale të takimeve me At Zef Pllumin. Gjatë këtij forumi, At Viktor Demaj prezantoi botimin e veprës së plotë të At Zef Pllumit, nga “Botimet françeskane”. Ndër vëllimet e veprës botohen për herë të parë disa shkrime të panjohura të tij./KultPlus.com

Sot, jeta dhe vepra e Át Zefit është e këshillueshme për politikanët shqiptarë

Shkruan: Ndue Ukaj
Sot është përvjetori i dhjetë i kalimit në amshim të Át Zef Pllumit. Kjo figurë shembullore, është dëshmi e fortë se historinë nuk e shkruajnë të fortit, ata që qeverisin me autoritetin e dhunës; as ata që mbjellin idhnim e vrazhdësi, por të drejtët, ata që mbjellin dashuri e humanizëm.
Kujtimet e Át Zefit, sot e përgjithmonë, janë një heshtë që shporon zemrën e egër të komunizmit shqiptar dhe dishepujve të tij keqbërës, që asnjëherë nuk u penduan dhe nuk kërkuan falje për mizoritë që u shkaktuan shqiptarëve.

Sot, jeta dhe vepra e Át Zefit është këshillueshme për politikanët shqiptarë, sepse është vepër madhore dhe ndihmon katharaisin e domosdoshëm kombëtar. Po ashtu, vepra e tij mund të ndërgjegjësojë secilin që ushtron pushtet: se dhuna dhe padrejtësia, nuk ngadhënjejnë përballë lirisë dhe drejtësisë.

Gjithë ata që bëjnë keq ose nuk bëjnë mirë, nesër, mund të shohin veten në pasqyrën e historisë, ashtu siç e shohin sot dhunuesit e lirisë dhe kriminelët e diktaturës komuniste, veten dhe të bëmat e tyre të marra në rrëfimet e Át Zefit./KultPlus.com