Organizohet sesion shkencor në nderim të Atë Shtjefën Gjeçovit

Shoqata e Intelektualëve Shqiptarë “Trojet e Arbrit” dhe Shoqata e Shkrimtarëve “Shtjefën Gjeçovi” kanë organizuar dje sesionin e veçantë shkencor “Atë Shtjefën Gjeçovi 1874-1929”, në 90-vjetorin e vrasjes të këtij atdhetari, kleriku e krijuesi shumëdimensional, përcjellë KultPlus.

Sesioni u hap me intonimin e Himnit Kombëtar dhe një minutë heshtje për viktimat e tërmetit në Shqipëri. Drejtuesi i Shoqatës “Trojet e Arbrit, Nue Oroshi, shpalosi një kronologji të veprimtarive të kësaj Shoqate, ndërsa Frrok Kristaj, foli për veprimtaritë zhvilluara rreth figurës së Gjeçovit në Zym.

 Një fjalë përshëndetëse e mbajti Gjet Ndoj, drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme të Politikave të Zhvillimit të kulturës në Ministrinë e Kulturës (Shqipëri).

Në këtë sesion morën pjesë studiues nga mbarë trevat shqiptare dhe diaspora.

Kumtesat e tyre i lexuan profesorët dhe publicistët: Anton Nikë Berisha, Zeqir Kadriu, Xhemal Meçi, Ermonda Foniqi, Leonora Berisha, Rovena Vata, Enver Sulaj, Besim Muhadri, Rezehana Hysa, Murat Ajvazi, Frrok Kristaj, Nue Oroshi, Besim Morina, Nexhat Çoçaj, Zog Çoçaj, Nikollë Loka, Mark Palnikaj, Mikel Gojani, Pal Canaj etj.

Në vazhdim u përuruan dy vepra për Atë Shtjefën Gjeçovin: “Aliajt e Kryeziut (Pukë), paraardhës të Gjeçovit”, shkruar nga Tonin Alija, për të cilën vepër ligjëroi Alfred Uka dhe “Të pathënat për Gjeçovin”, ku ligjëruese ishte Rovena Vata.

Në hapësirat ku u mbajt kjo veprimtari shkencore qëndroi e hapur edhe ekspozita e Frrok Kristajt “Gjeçovi në fotografi”, e cila do t’i dhurohet Shtëpisë së Gjeçovit në Zym. Poashtu, u përkujtuan dy personalitete shkencore që u ndanë prej nesh (në kohën midis dy sesioneve, Mehmet Gjoshi dhe Riza Sadiku, kurse mbi varrin e Gjeçovit u vendosën lule dhe u bënë nderime. / KultPlus.com