Aulon Naçi, drejtori i ri i Teatrit Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor

Drejtori i ri i Teatrit Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor është zgjedhur Aulon Naçi, përcjell KultPlus.

Naçi ka një karrierë të pasur dhe të spikatur në fushën e muzikës dhe kompozicionit. Ai ka përfunduar studimet në Konservatorin “J. Tomadini” në Udine, Itali, duke u diplomuar me maksimumin e notave dhe me titullin nderi. Më pas, ka vazhduar specializimin në Belgjikë, si asistent lektor në Konservatorin Mbretëror të Brukselit për një vit.

Veprat e tij janë interpretuar dhe pritur me entuziazëm në një gamë të gjerë vendesh, përfshirë Shqipërinë, Kosovën, Italinë, Austrinë, Greqinë, Kanadanë, Holandën, Belgjikën, Rumaninë, Slloveninë dhe shumë të tjera. Ai ka udhëhequr artistikisht aktivitete të shumta brenda dhe jashtë vendit, duke bashkëpunuar me emra të njohur të panoramës muzikore kombëtare dhe ndërkombëtare, si ansamble dhe solistë. Disa nga bashkëpunimet më të njohura janë me Korin e Filarmonisë së Kosovës dhe solistët e Orkestrës së “Teatro Alla Scala”.

Aulon Naçi ka marrë çmime të ndryshme si kompozitor dhe kontribues në muzikë përfshirë rikthimin e tij në vendlindje si “Albanian Excellence”, “Vela Latina” dhe “Krenaria e qytetit të Vlorës”. Në vitin 2023, ai u përzgjodh për të marrë pjesë në programin prestigjioz LEAD Albania, modeluar sipas programit White House Fellows në SHBA. Po ashtu, në maj 2024, ai përfundoi programin Emerging Leaders në Harvard Kennedy School duke u aftësuar në aspektet menaxheriale dhe të lidershipit.

Në vitin e fundit, Naçi ka kontribuar edhe si këshilltar pranë Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. Gjithashtu prej 8 vitesh është angazhuar si pedagog në Universitetin e Arteve në Tiranë, Fakultetin e Muzikës për degën e kompozicionit duke dhënë kontributin e tij për ngritjen e kapaciteteve të talenteve të reja.

Përzgjedhja u bë një Juri, përmes një procesi konkurrimi platformash, të zyrtarizuar me miratim nga Këshilli i Ministrave, me propozim të Ministrit të Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit – MEKI./ KultPlus.com

Manastiri i Zvërnecit ‘ndez’ shpirtrat e turistëve përmes muzikës

Manastiri i Zvërnecit është kthyer mbrëmë në një skenë e një koncerti simfonik, që ka argëtuar turistët vendas e të huaj.

Në koncertin që u udhëhoq nga dirigjenti spanjoll Ricardo Casero interpretoi artisti shqiptar rezident në Itali Aulon Naci, sopranoja Nina Muho si dhe muzikantë të tjerë. Koncertin e rrallë për këtë ishull e ka ndjekur edhe kryeministri Rama i shoqëruar nga bashkëshortja, Linda.

Manastiret janë vende mistike. Pak kush do të donte t’i vizitonte natën. Por një grup artistësh të zhanreve të ndryshme kanë rrëzuar të gjitha mitet, duke elektrizuar shpirtrat e turistëve në Manastirin e Zvërnecit me koncertin “Tinguj jete mes Tokës dhe Detit”.

Vizitorët nuk kanë qenë të zakonshëm. Kryeministri dhe bashkëshortja e tij kanë ndjekur këtë koncert së bashku me zyrtarët lokalë e dhjetëra të tjerë, vendas e të huaj, që kanë ndjekur me kërshëri këtë event. Ky aktivitet është një ndër dhjetëra të tilla që bashkitë dhe qeveria po organizojnë për ta bërë sezonin turistik tërheqës për ata që zgjedhin të kalojnë pushimet e tyre në Shqipëri.

Kryebashkiaku Leli tha se ishulli i Zvërnecit falë investimeve është kthyer në destinacion edhe për këmbësorët në çdo orë.

“Për here te pare ne ishullin e Zvernecit fale investimit dhe ndërtimit te urës qe lidh pjesën tokësore me ishullin për here te pare kemi sjelle ne ishull nje piano, ne ishull me një orkestër simfonike nga te gjithë muzikantet e larguar apo ata qe jetojnë këtu nen udhëheqjen e dirigjentit Aulon Naci”, tha ai, raporton shqiptarja.com. /KultPlus.com