Hapet për vizitorë “Meeting Point” i Autostrada Biennale

Vendtakimi dhe hapësira kreative e Autostrada Biennale – Meeting Point është e hapur për vizitorë.

Autostrada Biennale në edicionin e saj të dytë ka krijuar një instalacion artistik në kejin pranë lumit Lumbardhi.

Ishujt e gjelbër në shtratin e Lumbardhit janë pikë takimi për vizitorët në edicionin e dytë të Autostrada Biennale. E inspiruar nga logoja e “Autsostrada Biennale”, e cila pasqyron 4 urat e Prizrenit të cilat shihen nga kalaja, vizitorët në këtë hapësirë po informohen më shumë për rrjedhën e këtij edicioni.

“Sikur urat që lidhin dhe bashkojnë njerëzit edhe kjo hapësira kreative ka këtë qëllim. Çdo ditë vizitorët mund ta përjetojnë nga afër lumin dhe hapësirat natyrale të gjelbërimit”, thuhet në komunikatën për media të “Autostrada Biennale”.

Meeting Point është pikë informuese ku vizitorët mund të njoftohen me programin dhe hartën e sivjetme dhe gjithashtu është pikë shitëse për produktet e Autostrada Biennale.

“Mëngjeset me kafe që shërbehen këtu, ulur buzë lumit, është motivimi i duhur për ditën e gjatë para. E, mbrëmja e freskët në këto ditë të nxehta, e shoqëruar me muzikë mirë të zgjedhur është përmbyllja më e mirë e ditës. Gjatë tërë kohës, nga ora 10:00 e mëngjesit, deri në ora 00:00, stafi i biennales bën pritjen e mysafirëve me hartat dhe biletat e ekspozitës ndërkombëtare të artit bashkëkohor”, ka theksuar komunikata.

Ekspozita e sivjetme e kuruar nga kuratori i njohur italian Giacinto Di Pietrantonio është hapur me 21 korrik dhe do të vazhdojë deri më 21 shtator. / KultPlus.com