Shekujt mbrujnë ardhmëninë

Avni Dehari

(Për 25 vjetorin e Epopesë së UÇK-së)

Eh, Prekaz, Prekaz…!
Prekaz i vogël, sa një grusht,
Prekaz, i madh, i pakufi,
Mal e fushë lulëgjakesh,
Këngë frymëzimi,
Burim, lumë, det, oqean,
Diell për Liri!
Në Prekaz,
Në Kullën e Jasharajve,
Shekujt, që shkojnë e vijnë,
Hartën shtrijnë,
Çdo cep të Atdheut
Me Diell Lirie qëndisin!
Në Prekaz,
Në Kullën e Jasharajve,
Ku plumbat
Në gjokse
Si në ujë u shuan,
Ku tanket
Si në legjendë u ngrinë,
Ku aeroplanët
Si zogj të plagosur
Në qiell humbën fluturimin,
Ku predhat e topave
Në parzmat ― flakë Lirie, u shkrinë,
Bajlozët, para Gjergj Elez Alisë,
U përgjunjën, kokën thyen!
Në Prekaz,
Në Kullën e Jasharajve,
Me Diell Lirie, që lind,
Nga gjokset e burrave,
Nga gjokset e grave,
Nga gjokset e pleqve,
Nga gjokset e fëmijëve,
Shekujt, që shkojnë e vijnë,
Mbi hartën e Atdheut
Mbrujnë ardhmëninë!/ KultPlus.com

Çamëri, dhembja ime

Poezi nga Avni Dehari

Çdo mbrëmje vdesim,
Nga plagët e Tua,
Çdo mëngjes lindim
Me mallin për Ty,
Çamëri!

Midis stuhish,
Në udhëkryq të takova,
Çarlat e gjoksit Tënd
Ma ngjethën mishtë,
Memec mbeta,
E baladën për Mollën e Kuqe
Në vargun e përgjakur ta fsheha!

Buzëplasura Çamëri,
Vajtoret
Flokëthinjura,
Faqeçjerra,
Mbi kurmin Tënd,
Një grusht dhe në cep shamie,
Natë e ditë ta bëjnë gjëmën!

Kobzeza Çamëri,
S’paska varg që t’i numëron plagët!
Ku ta gjej atë varg që t’i mëlcon dhembjet!

Gjëmëmadhja Çamëri,
Në balljen ngjyrë deti,
Në jelekun fletë shqiponje,
Në palën e fustanellës,
Palë flamuri,
Mallkimi,
Mallkthimi,
Lëmashk të kanë zënë!

Çamëri,
Dhembja ime,
Altar t’u bëfsha
Ditën e martirizimit,
Përkrah Thesprotit
Në Dodonë!

E shenjta Çamëri,
Që të nesërmen,
Në tokë e në qiell
Diellit pellazg do t’i falem
Për tri ditët e afshit të zemrës,
Për të cilat kemi rënë në cikna dimrash
Dhe jemi ngritur në bulim pranverash.

Ditën e parë,
Lavën e Vezuvit
Mbi Zervën me gjithë lukuni
Do ta derdh!

Ditën e dytë,
Zjarrin e plagëve të Tua
Dhe afshin e mallit për Ty,
Në Thyamis vetëm për pak kohë do t’i shuaj,
Jo më shumë se sa të zbardhë e treta ditë!

Ditën e tretë,
Që pa dalë ylli i mëngjesit,
Tokës mëmë,
Si bir i saj tragjik,
Do t’i përgjërohem,
Që fill pas grahmës së fundit
Me dhembshuri mëme
Të më marrë në gji,
Lehtas me kokën drejt Teje
Trupin të ma shtrijë!

Në m’i mbylltë veshët e gojën,
Të mos m’i mbyllë qepallat,
Se sytë nuk durojnë,
Sa bota kanë mall për Ty!

Ndryshe, nuk do të gjej prehje,
Çamëri, mirazh i mëngjeseve,
I mesditave, i mbrëmjeve
Të jetës sime!

Pa rënë muzgu,
Sapo dielli të falet,
Përultas, me zemër në dorë e me lot në sy,
Tokës mëmë
Për herë të fundit do t’i përgjërohem:
Mishin e eshtrat në m’i trettë,
Dhembjen e plagëve të Tua
Dhe mallin për Ty,
Deri në Apokalips të mos m’i cenojë!

Ndryshe, nuk do të gjej prehje,
Çamëri, mirazh i mëngjeseve,
I mesditave, i mbrëmjeve
Të jetës sime. / KultPlus.com

“Sërish vjen marsi”, vjen në Zvicër me trilogjinë për Gjergj Kastriotin-Skënderbeun

Në 550 vjetorin e vdekjes së heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbeut, i shpallur si viti i Skënderbeut, vjen trilogjia „Gjergjat në drita përkrenaresh“ të autorit të njohur, Avni Dehari, i cili sjellë një nga veprat më sublime për fëmijë rreth jetës dhe veprës së Gjergj Kastriot Skënderbeut.

Me rastin e botimit të trilogjisë së profesorit Avni Dehari, “Gjergjat në drita përkrenaresh“, mërgata shqiptare në bashkëpunim me LAPSH-in kanë organizuar promovimin e kësaj vepre në tetë qytete të Zvicrës, shkruan albinfo.ch.

Vepra e autorit Dehari, vjen jo rastësisht në Zvicër, në muajin mars, në mesin e bashkatdhetarëve, që ndryshe, sivjet, shënon 20 vjetorin e epopesë së lavdishme të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosoves, nga ku dhe vetë autori ka jetuar e vepruar para se të kthehej në Kosovë.

Trlogjia „Gjergjat në drita përkrenaresh“ ka zgjuar një interesim të jashtëzakonshëm në mesin e lexueseve dhe lexuesëe të diasporës shqiptare në Zvicër.

Kështu, mbrëmë në St. Gallen, si asnjëherë më parë, vinin bashkatdhetarë të shumtë, varg e varg, për ta ndjekur nga afër prezantimin e trilogjisë „Gjergjat në drita përkrenaresh“, botuar dhe promovuar nga shtëpia botuese „Orfeu“, në Prishtinë, me vetëm 500 ekzemplarë, në janar të këtij viti.

Shoqata „Mëmëdheu“, e cila ishte bartëse e prezantimit të librit në St. Gallen, me sekretarin Agush Buja dhe poetin Isuf Sherfi i bëri një prezantim trologjisë së autorit Dehari, i cili gjatë kohës sa ka jetuar në Zvicër, ka qenë anëtar i kesaj shoqate me të shoqen Xhemilen, fëmijët Arbnorin, Astritin dhe Albanën.

Sekretari i kësaj shoqate, Buja, foli për iniciativën e bashkatdhetarëve që kjo vepër të ribotohet dhe të na vijë bashkë me autorin për promovim edhe në Zvicër. „Filluam me 300, e rritëm me 500 dhe u bënë 800 ekzemplarë brenda një kohe të shkurtër, falë gatishmërisë së bashkëvepritarëve të Avniut“.

Sipas tij, librin tani e kemi këtu dhe është duke u prezantuar para mërgimtarëve si asnjë libër më parë.

„Brenda një periudhe një-javore po bëhen tetë prezantime. Ka filluar në Gjenevë, ka vazhduar në Bernë e Rapperswil-Jona, në Kreuzlingen, sot në St. Gallen, nesër në Wil dhe Flums dhe pasnesër e mbyllim në Lozanë“, tha Buja.

„Kjo trilogji për Skënderbeun, është proza më e mirë e shkruar ndonjëherë që është botuar pikërisht 550 vjet pas vdekjes së Skënderbeut“, përfundoi Buja.

Në vitin jubilar të 550 vjetorit të Gjergj Kastriotit –Skënderbeut, Avniu nuk erdhi me xhepat bosh, por na solli një dhuratë shumë të çmuar, trologjinë, „Gjergjat në drita përkrenaresh“, ishte konstatimi i recensentit, Destan Hajdini.

„Ai solli në mesin tonë hitorinë 70 vjeçare të Arbërisë me kryeheroin tonë, me tre romane të të njejtës tërësi; „Dragoi“, „Udhëkryqi“ dhe „Flakadanët e lirisë“.

Kjo trilogji paraqet kurorëzimin me shukses të punës mbi 30 vjeçare të Avni Deharit.

„30 vjet hulmutim, 30 vjet punë flet mjaft për nxjerrjen e kësaj trilogjie në dritë, e cila është e vetmja në hapësirën shqiptare për grupmoshat, të cilëve ju dedikohet“.

Kjo trilogji e plotëson një vakum shumë të madh që ka ekzistuar deri më tani.

Kjo vepër përbëhet nga 46 nëntituj, secili prej të cilëve një njësi metodike, e kjo është një ndihmesë e çmuar për mësuesit e historisë dhe të letërsisë për shpjegimin e zhvillimeve të periudhës historike në fjalë.

Përveç shpjegimeve të kësaj periudhe të lavdishme të popullit tonë dhe heronjtë e saj, autori përcjell një mesazh të fortë të lexuesit e rinj dhe të tjerë. Ky mesazh na vjen përmes dialogut të tij me nipin e tij Hamzain.

Botimi i kësaj vepre në këtë përvjetor të madh të historisë sonë, është vlerësuar si vepra më e mirë e realizuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës. Çmimi vjetor për letërsi „Vehbi Kika“, për veprën më të mirë letrare për fëmijë të botuar brenda vitit 2017, iu nda autorit Avni Dehari për veprën „Flakadanët e Lirisë“.

Titulli i trilogjisë „Gjergjat në drita Përkrenaresh“, sipas autorit Avni Dehari ka ardhur duke u bazuar në një fragment ku bëhet fjalë për rrethimin e Krujës ku Gjergji herë pas here natën sulmonte kampin e Sulltanit. „Meqë përkrenarja e tij ishte bërë tmerr për pushtuesit, një ditë një nga bashkëluftetarët e tij i propozon që të bëjnë shumë përkrenare të tilla, t`i vejnë në kokë dhe ta befasojnë armikun i cili vazhdimisht shihte një Gjergj me përkrenare nën dritën e hënës dhe dritën e flakës së kampeve të tyre që digjeshin, te shihnin edhe Gjergja të tjerë“, kjo ishte arsye pse kam zgjedhur këtë titull për trilogjinë, u shpreh Dehari i cili dha shpjegime shtesë. „Libri i parë „Dragoi“ bën fjalë nga lindja gjer në ditën kur dorëzohet peng te sulltani. Libri i dytë mban titullin „Udhëkryqi” që përshinë jetën dhe veprën e Gjergjit në Adrinopojë dhe libri i tretë „Flakadanët e Lirisë“, përfshin jetën dhe të bëmat e Gjergjit që nga kthimi prej Nishit e deri në ditën e vdekjes së tij në Lezhë“.

Ramadan Avdyli,punëtor i arsimit, u paraqit me një rezyme rreth librave duke vlerësuar trilogjinë si një përmbledhje unikate, që ndonëse i kushtohet gjeneratave të reja, duhet ta lexojnë edhe të rriturit. „Këto libra kanë nevojë së pari t’i lexojnë gjenerata e vjetra, për të parë e përjetuar historinë e luftës së trimave të Gjergjit.“

Ai kërkoi nga Ministria e Arsimit të Republikës së Kosovës që kjo trilogji të futet në planpropgramet e arsimit shkollor si lektyra për të rinj, sepse, siç u shpreh ai, janë shumë edukative. „Shumë përralla e tregime neve na janë stërvjetëruar, si „Kësëlkuqja -ujku e ngrëni Gjyshen, Skilja e të tjera nuk janë më edukative“.

Shënime biografike për autorin Avni Dehari dha poeti Isuf Sherifi.
Avni Dehari, tha ai, lindi më 5 maj 1947 në fshatin Sllupçan, rrethi i Kumanovës. Shkollën fillore kreu në vendlindje. Shkollën e mesme, gjimnazin, e mbaroi në Preshevë. Kurse u diplomua në Fakultetin e Filologjisë-gjuhë dhe letërsi shqipe, në vitin 1974, në Prishtinë. Që nga viti 1969 e deri më 1981 e ushtroi detyrën e mësimdhënësit të gjuhës dhe të letërsisë shqipe në Ferizaj, në Sllupçan, në Gjilan dhe në Kumanovë.
Si pasojë e masave diskriminuese antishqiptare nga serbo-maqedonomëdhenjtë, në nëntor të vitit 1981, u perjashtua nga Gjimnazi i Kumanovës dhe u detyrua të largohej nga vendlindja.
Përkohësisht u vendos në Zvicër, ku qëndroi gati 19 vjet. Në vitin 1999, për herë të parë pati mundësi të kthehej në vendlindje. Një vit më vonë, së bashku me familjen, u vendos në Prishtinë. Shkruan prozë e poezi për të vegjël dhe për të rritur. Deri më tani ka të botuara 12 vepra letrare.

Përurohet trilogjia e Avni Deharit “Gjergjat në drita përkrenaresh”

Promovimi bëhet në kuadrin e aktiviteteve të “Vitit të Skënderbeut” që përkon me 550 vjetorin e vdekjes së kryeheroit të shqiptarëve, Gjergj Kastriotit – Skënderbeut.

Duke filluar nga 3 marsi, në disa qytete të Zvicrës bëhet promovimi i trilogjisë “Gjergjat në drita përkrenaresh” të autorit të njohur nga Kosova, i cili më parë ka jetuar në Zvicër, Avni Dehari.

Promovimi bëhet në kuadrin e aktiviteteve të “Vitit të Skënderbeut” që përkon me 550 vjetorin e vdekjes së kryeheroit të shqiptarëve, Gjergj Kastriotit – Skënderbeut.

Promovimi i parë bëhet më 3 mars në Gjenevë, për të vazhduar më 4 mars në Ostermündingen (Bernë) dhe Rapperswil-Jona (St.Gallen), pastaj 8 mars në Kreuzlingen (ZG), 10 mars Wil dhe Flums St, Gallen) dhe më 11 marts në Lozanë.

Në pllakatin më poshtë i gjeni të dhënat më të hollësishme rreth kësaj serie promovimesh.