Një film kinez për Shqipërinë: ‘Balkan Blood’ po shfaqet në kinema në Tiranë

Dikur filmat tanë mrekullonin audiencën kineze. Sot një producent i ri kinez, i mahnitur nga historitë që babai i tij i rrëfente, për kinemanë shqiptare udhëtoi këtu dhe gjeti sheshxhirime, për filmin e tij të parë në bashkëpunim me aktorë shqiptarë.

“Balkan Blood”, e quajti ai filmin, që aktualisht po shfaqet në të gjithë kinematë e Tiranës. Ai dukshëm ka korrur sukses, megjithëse ngelet në kategorinë e filmave komercialë.

“Është hera e parë që unë sjell një film kinez këtu në Shqipëri. Por ashtu siç mund ta dini ne kemi një histori të gjatë mes dy vendeve. Kur babai im ishte i ri shihte shumë filma shqiptarë. Ata janë të emocionuar teksa më thanë: hej djalë çove një film kinez në Shqipëri” është shprehur producenti, Cui Wenchao.

Filmi ka si personazh kryesor ekspertin Kinez të Arteve Luftarake Qiao Lin, që përballet me bandën e gangsterëve Ballkanas. Pushteti që favorizon kriminelët është në qendër të subjektit të filmit, duke u përkthyer edhe si një atashim indirekt për realitetin ballkanik.

Filmi vjen nën regjinë e Shou Hao. Është xhiruar në disa destinacione në Shqipëri, si Petrelë, Durrës etj dhe sjell në role aktorët Yu Chong, Klodian Hoxha, Emi Canaj, Kamber Mici etj.

“Kam qenë në Durrës dhe Vlorë për të xhiruar këtë film. Bregdeti është i mrekullueshëm. Kjo ishte eksperienca ime e pare këtu, por Zoti më bekoi që të gjeja aktorë shumë të mire këtu.Ishte një experience shumë e bukur të bëja këtë punë këtu” ka shtuar producenti.

Balkan Blood që mbështjell ngjarjet nën zhanrin e aksionit dhe “thrillerit”. Aktualisht ai është në të gjitha kinematë e kryeqytetit.