Balzac: Sa më shumë dikush gjykon, aq më pak ai dashuron

“Lavdia është një helm që duhet marrë me doza të vogla!”

“Ligjet janë rrjeta ku mizat e mëdha kalojnë lehtësisht, ndërsa mizat e vogla ngelin të mbërthyera!”

“Prapa çdo pasurie të madhe, fshihet një krim i madh!”

“Zemra e një nëne është një humnerë e thellë, në fundin e të cilës do të gjesh faljen!”

“Një grua e njeh fytyrën e njeriut që dashuron, ashtu si marinari njeh detin e hapur!”

“Një bashkëshort i mirë nuk shkon kurrë të bjerë për të fjetur i pari natën dhe nuk zgjohet kurrë i fundit në mëngjes!”

“Lumturia e një nëne është si një rreze drite, ajo ndriçon të ardhmen, por reflektohet gjithashtu në të kaluarën, në formën e kujtimeve të bukur!”

“Kur gratë na dashurojnë, ato na falin për gjithçka, edhe për krimet tona; kur nuk na dashurojnë, nuk na njohin meritën për asgjë, as edhe për virtytet tona!”

“Dashuria është poezia e shqisave!”

“Kur zhytemi në thellësitë e kënaqësisë, ne nxjerrim lart më shumë llum, sesa perla!”

“Ndoshta virtyti nuk është asgjë më shumë, se sa mirësjellja e shpirtit!”

“Kur ligji bëhet despotik, morali dobësohet, dhe anasjelltas!”

“Pasioni është humaniteti universal. Pa të, feja, historia, romanca, arti do të ishin të kotë!”

“Një burrë është një krijesë e gjorë, krahasuar me një grua!”

“Vetmia është e mirë, por gjithsesi të duhet dikush, që të të thotë se vetmia është e mirë!”

“Mençuria është kuptimi i atyre gjërave hyjnore, tek të cilat shpirti ngjitet përmes dashurisë!”

“Në atë kohë, vetëvrasja ishte në modë në Paris: e çfarë çelësi më të përshtatshëm mund të kishte, për të zbërthyer misterin për një shoqëri skeptike?!”

“Armiqtë tanë më të mëdhenj janë të afërmit tanë. Mbretërit nuk kanë vëllezër, nuk kanë bij, nuk kanë nëna!”

“Sa më shumë dikush gjykon, aq më pak ai dashuron!”

“Lumturia është poezia e gruas!”

“Të pakuptuarit përfshihen në dy kategori: femrat dhe shkrimtarët!”

“Fama tepër e dëshiruar është pothuaj gjithmonë një prostitutë e pashpallur!”

“Kritika është një furçë që nuk mund të përdoret mbi stofra të buta, ku mund të rrënojë gjithçka!”

“Martesa është një betejë deri në vdekje, para së cilës bashkëshortët ia kërkojnë qiellit bekimin e tij!”

“Besojini gjithçka që dëgjojini të flitet për të tjerët, asgjë nuk është aq e shëmtuar sa të jetë e pamundur.” / KultPlus.com

Një jetë mes famës dhe borxheve

Balzaku (Honore de Balzac, 1799-1850) është shkrimtari i famshëm francez i cili me romanet dhe tregimet e tij – sidomos ato në opusin e “Komedisë njerëzore” (La Comédie humainë) ku përshkruan shoqërinë franceze të periudhës post-napoleonike – pati ndikim të madh në të gjithë literaturën botërore.

Te “Komedia njerëzore” ku janë 91 vepra të përfunduara dhe 46 të papërfunduara (në mesin e të cilëve disa veç si tituj), Balzaku i pari në botë përdori “mekanizmin” e kthimit të personazheve të njëjta në vepra të ndryshme – në mjedise të ndryshme shoqërore dhe tema e perspektiva tjera. Prandaj, njihet si babai i realizmit në letërsinë evropiane, sepse personazhet e tij janë aq të zhvilluara dhe komplekse saqë edhe detajet anësore janë reale – pra “njerëzore”.

Para se të bëhej i famshëm, shpesh me pseudonime shkroi novela koti që të mbijetonte, e që i shërbenin si ushtrime për të ndërtuar rutinën ditore pa të cilën nuk do të shkruhej “Komedia njerëzore”. Por, edhe më vonë, kur shkruante kryeveprat e letërsisë franceze, kishte probleme me para dhe mendonte biznese të çuditshme (për shembull, kah fundi i jetës donte të blinte tetë mijë hektarë pyje në Ukrainë e të sillte drurin në Francë). Por, që të gjitha dështonin, ndaj ishte përherë në borxhe (më 1828 gjyshes ia kishte 50 mijë franga borxh e për të tjerët kush nuk mund ta dijë).

Pra, çdo frang ishte i rëndësishëm për të, për çka kjo anekdotë ka rëndësi. Dikur, në fund të viteve ’20 apo në fillim të viteve ’30 të shekullit XIX, kur po ia shtronte vetes rrugën kah kulmi i letërsisë botërore, thuhet se dorëshkrimin e një prej romaneve të tij ia ofrua një shtëpie botuese që gjoja quhej “Zana e fundit”. Botuesi ishte i kënaqur, ndaj vendosi t’ia ofrojë shkrimtarit të ri tremijë franga. E kërkoi adresën, por kur merr vesh se jetonte në periferi, tha se dymijë franga mjaftojnë. Kur hyri në ndërtesën ku Balzaku jetonte, kuptoi se ai mund të kursente ende para e se njëmijë franga janë ofertë e duhur. Ndërkaq, kur arriti në katin e gjashtë, shuma bie aq shumë saqë kur troket në derë thotë: “Z. Balzak, këtu janë treqind franga për romanin tuaj”. Balzaku, duke mos ditur se sa donte t’i ofronte në fillim, e pranoi ofertën pa u shtyrë.

Balzaku për një kohë të shkurtë ka shkruar vepra të mëdha (vdiq në moshën 51-vjeçare). Por, si punonte ai? Në ora pesë ose gjashtë pasdite hante një vakt të lehtë dhe do të shtrihej për të fjetur. Zgjohej rreth mesnatës, priste të “vinte në vete”, e do të shkruante mes orës një dhe tetë të mëngjesit, e ndonjëherë edhe 15 orë pa u ndalë (një herë ka thënë se ka punuar 48 orë me vetëm tri orë pushim), me normën që i bie tridhjetë fjalë për minutë (sipas teknologjisë së sotme). Gjatë kësaj kohe, pinte litra të tëra të kafesë së hidhur të zezë. Balzaku për momentin kur pi kafen thënë: “Idetë lëvizin si batalionet e Ushtrisë së Madhe (Ushtria e Napoleonit) në betejë. Gjërat që mbahen mend vijnë në galop, me flamujt që valëviten në erë. Kalorësia e lehtë bën sulm madhështor, artileria e logjikës godet me municion, zgjuarsia hedh shtiza si shigjetarët e klasës së parë. Dheu hidhet, letra është e mbuluar me ngjyrë, sepse lufta fillon dhe përfundon me një pishtar të ujit të zi, si një betejë me barut”. /Telegrafi/KulPlus.com