‘Hija e Korbit’, një nga thesaret më të mëdhenj në Shqipëri

Banka e Shqipërisë bën të ditur se, në janar të vitit 1982, në vendin e njohur sot me emrin “Hija e Korbit”, u gjet një thesar monedhash antike.

Kodra ku është gjetur thesari ngrihet pranë qytetit të Maliqit, mbi bregun e majtë të lumit Devoll.

Nisur nga pozicioni strategjik dhe sipërfaqja, Hija e Korbit mendohet të ruajë rrënojat e një qyteti të lashtë ilir të Desaretisë antike, identifikimi i të cilit nuk është përcaktuar përfundimisht.

Thesari përbëhet nga 618 monedha argjendi, të prera në një periudhë kohore që shkon nga shek. IV p.e.s., përfaqësuar nga tetradrahmet e Athinës, dhe përfundon me tetradrahmet e fundit të shekullit III p.e.s. të prera nga Antioh Hieraks, i mbretërisë seleukide.

Në përbërje të thesarit gjejmë dy vlera monedhash: tetradrahme dhe drahme, të prera nga qytete dhe mbretër si: Athina, Aleksandri i Madh dhe Filipi III, të prera pas mbretërimit të tyre, të Lysimahut të Thrakisë, të Eumenit I, mbretit të Pergamit, të mbretërve Seleukidë, dhe mbretit të Maqedonisë, Antigon Gonatës.

Muzeu i Bankës së Shqipërisë, ka të ekspozuar në katin numizmatik të tij, një pjesë të këtij thesari, të huazuar nga Instituti i Arkeologjisë./atsh/ KultPlus.com

Banka e Shqipërisë publikon serinë e monedhave numizmatike për 107-vjetorin e Pavarësisë

Si sot, 107 vite më parë, më 28 nëntor 1912, Shqipëria u shpall shtet i pavarur.

Ismail Qemali, në një konferencë që mbajti para personaliteteve shtetërore dhe publike të Vlorës disa ditë pas nënshkrimit të koncesionit për themelin e “Bankës Kombëtare të Shqypërisë”, më 4 tetor 1913, parashtroi shkurt platformën e tij rreth veprimtarisë bankare në Shqipëri. Ai tha ndër të tjera: “Mbetet tani për të shpjeguar një nga punët që bëri më në fund qeveria shqiptare, për të cilën shumë gjëra janë thënë dhe shumë njerëzve u kanë trazuar mendjen. Kjo punë është Banka Kombëtare e Shqipërisë, e cila u themelua disa ditë më parë. Ashtu si çdo njeri, i cili sado i pasur të jetë ka nevojë për kredi, madje sipas kredive që ka kuptohet se sa është nderi i tij. Kështu dhe shtetet kanë nevojë për kredi dhe lavdërohen me kredinë që kanë në gjirin e bursave të përgjithshme. Ju e dini fort mirë se fuqia më e madhe në këtë jetë është Anglia; edhe më i pasuri komb është ai anglez. Po kjo fuqi kaq e madhe, ky popull kaq i pasur a mund të rrojë pa kredi? Jo!”. (shkëputur nga vepra “Monedha, krediti dhe banka në Shqipëri gjatë shekujve”, e Prof. Dr. Kristo Frashërit).

Përmes serisë së monedhave numizmatike: 200 Lekë, 100 Lekë dhe 50 Lekë, me tematikë “100-vjetori i Shpalljes së Pavarësisë”, përkujtojmë këtë datë të shënuar për vendin tonë. Monedhat paraqesin simbolet e kësaj ngjarjeje: portretin e Ismail Qemalit, Deklaratën e Shpalljes së Pavarësisë, si dhe shqiponjën e flamurit që u ngrit në Vlorë më 28 nëntor 1912. /ATSH / KultPlus.com