Përfundon restaurimi i Kalasë së Bashtovës me mbështetjen e BE

Zyra e Bashkimit Evropian në Tiranë njoftoi sot përfundimin e punimeve për konservimin dhe restaurimin e Kalasë së Bashtovës, një prej monumenteve historike më të rëndësishme të Shqipërisë.

E ndërtuar fillimisht në shekullin e 15-të nga venedikasit për të kontrolluar bregdetin dhe tregtinë e grurit, Kalaja e Bashtovës është ruajtur dhe restauruar përmes ndërhyrjeve të thella që kanë pasur për qëllim mbrojtjen e strukturës, nxjerrjen në pah të elementeve historike dhe përgatitjen e saj për përdorim të qëndrueshëm në të ardhmen.

Punimet përfshinë restaurimin e mureve dhe kullave të kalasë, përmirësimin e aksesit dhe elementëve të sigurisë, kërkime të detajuara arkeologjike, zhvillimin e një sistemi interpretimi interaktiv multimedial si dhe ndërtimin e një qendre për vizitorët.

Ky projekt u realizua në kuadër të programit EU4Culture, të financuar nga Bashkimi Evropian dhe të zbatuar nga UNOPS, në partneritet të ngushtë me Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.

Zyra e BE-së fton qytetarët dhe vizitorët të ndjekin informacione të mëtejshme mbi këtë sit kulturor të rëndësishëm.