Produksionin e biopikut të Bee Gees e merr përsipër producenti i “Bohemian Rapsody”

Shtoni edhe Bee Gees në listën e muzikantëve, jeta e të cilëve do të portretizohet në ekranin e madh. Një raport i ri thotë se një biopik rreth tyre është në fazat më të hershme të zhvillimit dhe se në të është përfshirë Graham King, producenti i biopikut për bendin “Queen”, “Bohemian Rapsody”.

Sipas Deadline, Paramount Pictures i negocioi të drejtat për storien e vëllezërve Gibb me përfaqësuesit e trashëgimisë së tyre, të cilat vijnë me mundësinë për ta përdorur muzikën e tyre, shkruan KOHA Ditore. Paramount gjithashtu po hyn në partneritet me Sister, një kompani e re e filluar muajin e kaluar nga një treshe e veteranëve të industrisë, Elisabeth Murdoch, Stacey Snider dhe Jane Featherstone.

Pasi që Paramount po e sjell Kingun në bord, filmi Bee Gees do ta kombinojë producentin e Bohemian Rapsody, i cili i fitoi 903 milionë dollarë dhe i pati katër kandidime për “Oscar”, me studion që na e solli “Rocketman”, biopikun për Elton John që arriti këtë verë dhe i inkasoi 195 milionë dollarë globalisht.

Deadline thotë që asnjë informacion tjetër nuk është konfirmuar për projektin përveç ekzistencës së tij. Pa skenarist ende, nuk dihet se cili aspekt i karrierës së Bee Gees do të mbulohet, nga origjina e tyre australiane në mesin e viteve ’60 e deri në ngritjen e tyre në famë si bend pop Beatlesesque disa vjet më vonë në rishfaqjen e tyre si superyje në epokën e diskos dhe më gjerë.

Tregimi për ta përfshin mjaft tragjedi, me vdekjen e hershme të vëllezërve binjakë Maurice (2003) dhe Robin (2012), dhe vëllait të tyre të vogël Andy (1988), i cili nuk ishte në bend, por e pati karrierën e tij në fund të viteve ’70. Barry Gibb, vokali falsetto i të cilit i mundësoi klasikët e tyre të zhanrit disko, është anëtari i vetëm i mbijetuar i Bees Gees. Koha.net / KultPlus.com