Profesori amerikan: Bekim Fehmiu u bë i zjarrtë ndaj antishqiptarizmit serb, duke mbrojtur etninë e tij

Pjesë nga artikulli i profesorit amerikan Bruce Williams për aktorin shqiptar. Përkthyer nga: Bujar Meholli

“Once upon a time there was a country” ishin fjalët hyrëse të “Kusturica’s Underground” (1995) që na lejojnë të reflektojmë për unitetin falsifikues të Titos në Jugosllavi dhe nocionin e kinemasë jugosllave. Siç pohon Dina Iordanova, kjo deklaratë shfaq pretendimin se bashkimi jugosllav qe “ndërtim politik fals i ndërtuar mbi gënjeshtra dhe tradhti”.

Shqipëria, “toka e shqiponjave” ka qenë vend magjepsës për Perëndimin që nga vargjet e Bajronit kur ky e vizitoi atë deri te shkrimet e shekullit 20 të Edith Durhamit e Rose Wilder Lanes. Siç shihet, në Kosovë dhe Maqedoni nocioni i kombit shqiptar nuk është kufizuar vetëm brenda kufijve, ndaj dhe ky kompleksitet identitar shqiptaro-jugosllav është mishëruar në karrierën dhe personalitetin e aktorit Bekim Fehmiu.

Karriera e Fehmiut ishte e pasur. Ai ishte njëri nga yjet ndërkombëtar të filmit, duke u bërë i njohur edhe për audiencën amerikane si seks simboli i mashkullit jugosllav, i cili në vitin 1970 luajti në filmin “The Adventures” me yllin Lewis Gilbert. Në fund të viteve ’80 Fehmiu praktikisht ishe pensionuar nga skena dhe kinemaja duke theksuar propagandën antishqiptare që ishte shtysë për të që të vijë te ky vendim. Aktori që kishte marrë leksione në Akademinë e Arteve Dramatike në Beograd dhe në Teatrin Kombëtar Jugosllav ishte në të dy anët e konfliktit etnik. Koncepti i kombësisë në rastin e tij është problematizuar dhe ka qenë i lidhur ngushtë me pritje të ndryshme që iu bënë nëpër periudha të ndryshme kohore.

Për biografinë e Bekim Fehmiut është folur e shkruar mjaft. Është pohuar se ai ka lindur në Sarajevë më 1936 nga një familje etnike shqiptare e më pas është transferuar në Shkodër, përpara se të vendoset në Kosovë. Megjithatë vendi dhe data e lindjes janë kontestuar. Në një referencë në shtypin serb pohohet se ai ka lindur në Kukës.

Sidoqoftë, Fehmiu nuk ishte çdoherë prototipi i “evropianit” gjatë karrierës së tij ndërkombëtare. Në disa raste, prejardhja dhe edukimi i tij u tekstualizuan më afër nëpër rrëfime, teksa audienca ndërkombëtare e pa mësuar me ndryshimin e theksuar midis një shqiptari dhe një serbi do të ishte e shurdhër ndaj detajeve dhe etnisë së aktorit. Siç tregon në autobiografinë e tij, Fehmiu krijoi miqësi me një mësues drame të njohur në letërsinë dhe kulturën shqiptare, i cili do ta inkurajoi aktorin që të shërbejë si model në Jugosllavi për etninë e tij shqiptare.

Gjatë një interviste në vitin 1982 aktori duket sikur thekson pozicionin e tij, kujdesshëm, karshi nacionalizmit dhe problemeve që do të çonin në luftën e viteve 98-99 në Kosovë. Aty Fehmiu thotë se duhet të garantohen liritë me kushtetutën jugosllave, duke nënkuptuar nocionin e unitetit jugosllav teksa tejkalon çështjen e pavarësimit të Kosovës. Tutje, ai shtron pyetjen e diskutueshme: si ndihet një shqiptar në Beograd për etninë e tij shqiptare?

Fehmiu rrëfen vizitën e tij të parë në Shqipëri ku supozohej të dakordohej për të luajtur rolin e heroit kombëtar Skënderbeut në një film. Aktori pati pranuar propozimin por më tej nuk u bë gjë nga ana e palës shqiptare.  Në fund të intervistës aktori pohon se po iu mëson të bijve gjuhën shqipe, jo për arsye të nacionalizmit por siç thoshte babai i tij “sa më shumë gjuhë të dish aq më shumë do të kesh vlerë”. Megjithatë viti 1982 e solli atë në një rol shqiptar për herë të parë, kur luante rolin e babait të Nënë Terezës në “Teresa’s father in Brunello Rondi’s”, aty rrëfehej fëmijëria e saj dhe periudha në Kalkutë.

Sidoqoftë, Fehmiu ishte mes dy gjuhëve dhe kjo i hapte dyert për paradigmat tjera identitare, mjaft delikate. Në fakt, gjuha serbe ishte gjuha e ligjërimit profesional të tij. Megjithëse shumë e rëndësishme, etnia shqiptare e Fehmiut s’kishte rol jashtë vendit. Kur nisën tensionet etnike atëherë u ngritën këto çështje dhe u zhvendos paradigma, ndërsa aktori e tekstualizoi kombësinë e tij shqiptare duke e parë veten në qendrën e një vorbulle lokale e kulturore, fetare e gjuhësore. Fehmiu u bë i zjarrtë në denoncimin e tij publik kundrejt antishqiptarizmit serb. Ai u bë mbrojtës i zëshëm i etnisë së tij. Por qasja e Fehmiut ishte e vështirë sepse u përpoq të jetë mirë me të dyja komunitetet. Kjo ide e tij mbeti vetëm imagjinare, pasi që gjithçka u shpartallua. Pikërisht dinamika etnike e detyroi Fehmiun ta braktisë aktrimin. Dhe Fehmiu doli në pension, e Ballkani mbeti Ballkan. /KultPlus.com